Përshtati në shqip: Arlinda Rexhmati
Deri më tani të gjitha vdekjet nga koronavirusi kanë ndodhur në Kinë, me shumicën prej tyre në qytetin jugor të Wuhan, epiqendrën e shpërthimit të virusit.
Franca ishte vendi i parë europian që konfirmoi raste të koronavirusit, me katër raste të raportuara deri tani. Po katër raste konfirmohen edhe në Gjermani, të gjitha në kontenë e Bavarisë.
Ndërkohë, dyshime të reja janë shfaqur për koronavirusin në Europë teksa harta zyrtare e Wikipedia ka përfshirë në vendet me të dyshuar Greqinë, Italinë dhe Spanjën.
Në Itali ditën e djeshme disa turistë nga Hong Kong të cilët udhëtuan për në Milano të Italisë u ndaluan në aeroport dhe dyshohen si persona të prekur me virus.
Në Greqi disa turistë kinezë nga Wuhan, u ndaluan në aeroportin e Athinës por më pas u lanë të shkonin për në ishullin Santorini.
Ndërsa një grua në Torrevieja të Spanjës është futur në karantinë pasi doktorët kanë parë se 66- vjeçarja ka treguar shenja koronavirusi. Ajo po ekzaminohet në spitalin e Kosta Blankës.
Po sa e përgatitur është Europa për një shpërthim të koronavirusit të ri?
“Kemi pasur dy raste sëmundjesh të ngjashme këto 20 vitet e fundit, kemi pasur SARS, që erdhi nga Kina dhe MERS, që erdhi nga Lindja e Mesme, që janë të dyja koronaviruse. Kështu që kemi shumë informacion se si përhapet ky lloj infeksioni. Kemi eksperiencë në menaxhimin e tij, në mënyrë që pacientët të kenë më shumë gjasa të mbijetojnë dhe më pak mundësi të infektojnë të tjerët, sidomos punonjësit e shëndetësisë, infermieret dhe mjekët,” u shpreh Paul Hunter, një profesor në Shkollën Mjekësore të Norwich.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka deklaruar se rreziku global i virusit të ri është i lartë por nuk e ka konsideruar atë një emergjencë të shëndetit publik apo shqetësim ndërkombëtar, një term i ruajtur vetëm për shpërthimet epidemike shumë të rrezikshme.
“Nëse virusi vjen në Europë dhe përhapet, ne duhet të gjurmojmë mbartësit, duhet t’i testojmë ata dhe nëse rezultojnë pozitiv për virusin, t’i vendosim në kuarantinë. Kështu në atë rast, kemi nevojë per teste të shpejta diagnostike,” tha Herman Goossens, drejtor i Platformës Europiane të Përgatitjes Kundër Epidemive, një rrjet i financuar nga BE që mbështet kërkimet mjekësore rreth epidemive të sëmundjeve infektive.
“Ajo që po bëjmë tani është hartimi i protokolleve, përgatitja e spitaleve, përgatitja e kontratave dhe marrjes së aprovimit etik, dhe pastaj do të fillojmë menjëherë punën, pasi numri i rasteve po rritet. Gjithçka varet nga numri i rasteve në Europë,” u shpreh Goossens.
Burimi: Al Jazeera/ DW/ ECDC

