Në kuadër të Javës së Ndërgjegjësimit për Alergjitë Stinore dr. Eris Mësonjësi, Mjeke Alergologe pranë Shërbimit të Alergologjisë në QSUT na ndihmon të kuptojmë më shumë rreth tyre, simptomat, trajtimi dhe rekomantimet për pacientët.
Sëmundjet alergjike janë çrregullime që shkaktohen nga një reaksion jonormal ndaj një substance jo të dëmshme e cila quhet alergen. Fjala alergen do të thotë “substancë e aftë të shkaktojë alergji”. Alergenët zakonisht tolerohen pa problem nga individët
jo alergjikë. Për shembull, shumica e njerëzve nuk kanë problem nga kontakti me macet, por nëse ju jeni alergjik ndaj tyre do të filloni teshtimat, prurittin (të kruarat) e hundës apo rrufë të ujshme.
Sëmundjet alergjike janë të shpeshta dhe kanë pësuar një rritje këto 20-30 vitet e fundit. Ato prekin rreth një në katër persona në vendet e zhvilluara. Kanë një variabilitet të lartë përsa i përket frekuencës dhe rëndesës së simptomave. Frekuenca e simptomave varion nga disa ditë në vit deri në simptoma ditore, gjithashtu dhe rëndesa e simptomave varion nga simptoma të lehta që neglizohen nga pacienti deri në reaksione të rënda invalidizuese, kërcënuese për jetën madje dhe vdekje.
Një nga patologjitë alergjike karakteristike që shfaqet në pranverë është Riniti Alergjik Sezonal (Hay Fever).
Riniti alergjik sezonal që shkaktohet nga polenet njihet edhe si pollinosis. Kjo sëmundje karakterizohet nga një inflamacion i mukozës nazale i shkaktuar nga alergjia ndaj poleneve. Polenet janë pudër fertilizuese që prodhohet nga bimët (pemët, barishtet dhe shkurret), të cilat çlirohen në të njëjtën periudhë të vitit, çdo vit. Polenet qëndrojnë pezull në ajër dhe përhapen nëpërmjet erës. Prandaj dhe pacientë me alergji sezonale i përjetojnë simptomat në një periudhë të caktuar të vitit. Pacientët mund të jenë të sensibilizuar nga më shumë se një lloj poleni, ose një bimë mund të ketë sezon polenizimi disa herë në vit
kështu që pacientët mund të shfaqin simptoma edhe më shumë se një herë në vit. Simptomat që ankon pacienti janë teshtima, rrufë e ujshme, bllokim të hundëve, prurit (të kruara) të hundës dhe të syve. Këto simptoma janë më të shprehura në periudhën pik të polenizimit, por tek pacientët me formë më të rëndë të sëmundjes mund të fillojnë që me fillimin e sezonit polenik dhe të zgjasin me gjatë se ai. Dëmtimi i mukozës nazale i shkaktuar nga inflamacioni alergjik mund të shkaktojë dhe sensibilitet ndaj irritantëve inhalatore si tymi i duhanit, erërat e forta, substancat kimike etj. të cilat shpjegojnë faktin përse simptomat persistojnë edhe kur polenet nuk janë të pranishme në atmosferë. Pacientët me alergji stinore ndonjëherë mund të paraqesin dhe simptoma të rrugëve të poshtme-bronkioleve, si kolle, marrje fryme, fërshellimë; në kohë sëmundja alergjike mund të përparojë në astëm alergjike.
Diagnoza e rinitit alergjik bazohet në simptomat e pacientit. Sensibilizimi ndaj poleneve konfirmohet nga testet kutane dhe/ose IgE specifike në serumin e pacientit. Prania e astmës bronkiale duhet të përjashtohet tek pacientët me rinit alergjik.
Trajtimi i rinitit përbëhet nga disa pika kyçe: evitimi i ekspozimit ndaj poleneve, trajtimi medikamentoz dhe imunoterapia (vaksinimi ndaj alergenit). Evitimi i alergenëve nënkupton reduktimin e sasisë së polenit të inhaluar dhe të polenit që depozitohet në veshje dhe në flokë gjatë qëndrimit jashtë gjatë polenizimit.
Trajtimi mjekësor zakonisht është i domosdoshëm për kontrollin e simptomave dhe përfshin mjekimin me antihistaminikë, mjekime nazale me kortikosteroidë. Antihistaminikët duhet të jenë të gjeneratave të reja, që nuk shkaktojnë sedacion. Mjekimet lokale me dekongjestionatë nuk janë të indikuar për shkak të efektit rikthim të kongjestionit që ato shkaktojnë në mukozën nazale pas ndërprerjes.
Imunoterapia specifike është një mjekim i cili mund të modulojë dekursin e sëmundjes por është një vendim që merret në bashkëpunim me mjekun kurues dhe kryhet nga specialistët alergologë duke vlerësuar përfitimet që mund të marrë secili pacient ndaj saj duke qenë se përgjigja ndaj saj është personale.
Riniti alergjik ka një impakt të fortë në cilësinë e jetës së pacientit, në cilësinë në punë dhe në shkollë. Shumica e bimëve e kanë periudhën e polenizimit në kohën e fund-shkollës apo të sezonit të provimeve në universitet duke shkaktuar shqetësime tek ky grup i popullatës dhe nga studimi është parë që ndikon dhe në rezultatet e provimeve.
Disa rekomandime për pacientët:
Shplarja e hundëve me solucion fiziologjik do të pastrojë rrugët nazale nga sekrecionet dhe nga polenet e depozituara.
• Mbani dritaret të mbyllura gjatë natës dhe nëse përdorni ajër të kondicionuar sigurohuni të ketë filtrat e duhur. Gjithashtu në makinë mbajini dritaret e mbyllura dhe përdorni filtra të përshtatshëm;
• Gjatë sezonit polenik, mos qëndroni shumë jashtë , veçanërsht në mëngjes (midis orës 5-10 am kur çlirohet sasia më e madhe e polenit) dhe në darkë (midis orës 7-10 pm, kur polenet zbresin teksa ajri ftohet);
• Shikoni kalendarin polenik në zonën tuaj apo të vendit ku do të udhëtoni.
• Zgjidhni një zonë pa polene për pushimet tuaja;
• Përdorni mjekimet sipas këshillës së mjekut alergolog;
• Evito tharjen e teshave jashtë gjatë ditëve të pikut polenik, meqënëse polenet mund të ngjiten në to;
• Përdor syze dielli për të mbrojtur sytë.


