Dr. Artur Gaçe & dr. Ervina Shirka
Mjekë kardiologë, Spitali Villa Maria
Gjatë këtij artikulli ju do të njiheni me informacionet bazë në lidhje me një ndër ekzaminimet kryesore kardiake siç është prova ushtrimore. Po ashtu do të merrni përgjigje për pyetjet kryesore në lidhje me këtë ekzaminim
Prova ushtrimore është një ekzaminim i zemrës i cili kryhet për të hetuar nëse ka sëmundje kardiovaskulare. Ajo arrin të sigurojë një informacion të detajuar se si i përgjigjet zemra juaj sforcos fizike. Prova ushtrimore mund të kryhet me metoda të ndryshme si për shembull duke ecur në një tapet (treadmill) ose duke pedaluar një biçikletë (cikloergometri). Gjatë kësaj sforcoje fizike me nivele të ndryshme ngarkese bëhet një monitorim i elektrokardiogramës tuaj, ritmit dhe presionit arterial.
Përse kryhet prova ushtrimore?
Mjeku mund të kërkojë provën ushtrimore për disa arsye:
- Për të hetuar mundësinë e sëmundjes së arterieve koronare, pra për të vlerësuar nëse zemra juaj furnizohet normalisht me gjak gjatë sforcimit fizik.
- Për të kontrolluar pas një periudhe kohe efektivitetin e procedurave të kryera në rast sëmundjesh të arterieve koronare;
- Për të identifikuar çrregullime të ritmit;
- Për të përcaktuar një prag ushtrimor të sigurtë
Si duhet të përgatiteni përpara një prove ushtrimore?
Përpara një prove ushtrimore ju duhet të merrni kontakt me mjekun tuaj rekomandues. Në përgjithësi, përpara një prove ushtrimore duhen ndjekur disa rekomandime:
- Të mos ushqeheni 2 – 4h përpara ekzaminimit. Mund të pini ujë.
- Të mos pini lëngje me përmbajtje kafeine dhe mos tymosni duhan 12h përpara ekzaminimit, pasi ato mund të interferojnë (ndërhyjnë) në rezultatet e provës;
- Këshillohuni me mjekun, se cilët medikamente kardiake duhet të merrni dhe cilët duhet të ndërprisni përpara provës;
- Nëse jeni përdorues pompe për probleme të mushkërisë apo alergjisë, merrni ato me vete ditën e ekzaminimit;
- Nëse jeni diabetik dhe mjekoheni me insulinë duhet të konsultoheni me mjekun tuaj për dozën e insulinës. Në përgjithësi, ditën e ekzaminimit mund të konsumoni një vakt të lehtë 4h para dhe të bëni gjysmën e dozës së zakonshme të insulinës. Pas kryerjes së procedurës mund të planifikoni që të ushqeheni normalisht.
Çfarë ndodh gjatë provës ushtrimore?
Përpara se të filloni provën ushtrimore, infermieri apo tekniku specialist do të pastroj kraharorin tuaj dhe do të vendosi disa elektroda të vogla të cilat do të regjistrojnë elektrokardiogramën tuaj gjatë sforcos fizike. Më pas do t’ju udhëzojnë për mënyrën se si do të kryhet prova, pra ju duhet të ecni në një tapet rrotullues i cili ndryshon shpejtësi gradualisht ose të pedaloni mbi një bicikletë. Gjatë të gjithë kësaj kohe ndiqet ritmi juaj dhe presioni arterial. Çdo ankesë tuajën gjatë sforcos, ju duhet tia referoni mjekut që kryen ekzaminimin. Sforcoja kryhet në përputhje me moshën tuaj dhe arsyen e provës. Në përgjithësi inkurajoheni që të punoni sa më shumë të jetë e mundur. Ju mund të ndërprisni vazhdimin e provës në çdo moment nëse nuk mundeni, ose ndërprerja bëhet nga mjeku kur ka arritur parametrat e kërkuar. Kohëzgjatja e sforcimit mund të arrij nga 7 – 12 minuta.
Rezultatet
Pasi përfundoni sforcimin fizik, mjeku kardiolog studion elektrokardiogramën tuaj ushtrimore ku vë re reagimet apo ndryshimet dhe ju komunikon rezultatet e saj.


