Shqipëria ende sot e kësaj dite nuk ka shifra në rang kombëtar përsa u përket tregueshmërisë së sëmundshmërisë infektive, por rastet e sifilizit po shtohen
Aishe Thartori
Sëmundjet infektive janë sëmundje që shkaktohen nga agjente mikrobikë infektivë që përfshijnë bakteriet, viruset, myqet, parazitët, të cilat prekin çdo organ apo sistem në organizmin tonë. Këto sëmundje ndryshe njihen si sëmundje ngjitëse për shkak të veçorisë së tyre për t’u trasmetuar nga një person tek një tjetër.
Shqipëria ende sot e kësaj dite nuk ka shifra në rang kombëtar përsa u përket tregueshmërisë së sëmundshmërisë infektive. Për t’u njohur më gjerë me sëmundjet infektive ne u ndalëm në një nga institucionet që ndjek nga afër problematikat e sëmundjeve infektive në Tiranë, siç është Spitali Infektiv në QSUT.
Mjeku infeksionist Arjan Harxhi, në një intervistë për gazetën “Shëndeti” jep një panoramë të gjendjes aktuale të sëmundjeve infektive në Shqipëri. Ai flet për sëmundjet që janë “eliminuar” me sukses, si dhe për sëmundjet që janë ende të pranishme në shoqërinë tonë. Një rëndësi të veçantë ai i jep sifilizit, si një sëmundje që është rishfaqur në Shqipëri pas viteve ’90.
Sifilizi është rikthyer në shoqërinë tonë, por çfarë është kjo sëmundje?
Sifilizi është një sëmundje tipike seksualisht e trasmetueshme që shkaktohet nga një mikrob i veçantë, një spiroketë (bakterie në formë spirale), i cili ka aftësinë për t’u trasmetuar nëpërmjet marrëdhënieve seksuale. Prandaj është kryesisht një infeksion seksualisht i trasmetueshëm, por mundet që ky infeksion të transmetohet edhe vertikalisht, nga nëna tek fëmija që është gjithashtu një problem madhor, si dhe mund të transmetohet edhe përmes gjakut.
Kur u rishfaq sifilizi?
Sifilizi, i cili ka qenë një problem në Shqipëri, u arrit të shfarosej në vitet 80’. Vitet e fundit kemi një rishfaqje të tij në vendin tonë. Rasti i parë që diagnostifikuam me sifiliz në 1994 është diagnostikuar në këtë spital nga ekipi i mjekëve infeksionistë te një subjekt që ishte i infektuar edhe me HIV. Pra, duket se ka një trend në rritje, gjë kjo që tregon se popullata ka sjellje të rrezikshme, domethënë marrëdhënie seksuale të pambrojtura. Vlen të përmend edhe faktin se në disa dhjetëra raste të diagnostifikuara me sifiliz kemi vënë re edhe praninë e HIV/AIDS.
Simptomat e para që mund të kenë një femër ose edhe një mashkull janë puçrra në organet gjenitale që mund të jenë pa dhimbje dhe personi që i ka, mund të mos i vërë re dhe si i tillë ai mund të jetë infektues për partnerin/en e tij/saj. Këto puçrra ose lytha gjenitalë mund të rrinë deri në 2 -3 javë dhe pastaj të zhduken. E keqja e këtij shkaktari është që pasi kalon këtë fazën e parë të puçrrave në organet gjenitale, mund t’i shfaqen gjendrra në pjesë të ndryshme duke prekur më pas edhe organe shumë të rëndësishme, siç është syri, mëlçia, mund të japë temperaturë, njolla në trup, mund të ketë rënie të flokëve.
Ne i ndajmë në stade:
Në stadin primar (fillestar) ku ka lezione vetëm në organet gjenitale,
Në stadin sekondar kur tashmë i ka prekur të gjitha organet e mësipërme,
Në stadin terciar i cili është pas shumë vitesh dhe jep dëmtime të rënda të zemrës, të trurit, të palcës kurrizore etj.
Është një infeksion serioz për të gjitha arsyet e lartpërmendura, por edhe sepse transmetohet nga nëna tek fëmija, duke sjellë dëmtime të rënda tek foshnja.
Fatmirësisht ne arrijmë ta testojmë gruan shtatzënë, pra t’i ofrojmë trajtimin për sifilizin, gjë që duhet të bëhet në mënyrë të rregullt edhe për infeksionet e tjera.
Në Shqipëri arrijmë testojmë edhe gjakun që dhurohet, madje një pjesë e rasteve që janë diagnostifikuar me HIV/AIDS janë raste që janë zbuluar nga puntet e gjakut në personat që kanë qenë dhurues.
Si ta parandalojmë dhe luftojmë sifilizin ?
Në nivelin individual e rëndësishme është që çdo njeri, si për çdo IST tjetër, të ketë parasysh atë që quhet ABC, çka do të thotë: Abstinencë, Besnikëri dhe Condom (masa mbrojtëse)
Këto janë 3 përqasje që parandalojnë sifilizin apo infeksionet e tjera seksualisht të transmetueshme, pra të mos kryhen marrëdhënie seksuale në moshë shumë të re, të ketë besnikëri në çift dhe të përdoren masa mbrojtëse në rastet e partnerëve të panjohur.
A duhet të ketë një strategji për menaxhimin e IST-ve?
Jo më larg se dy javë më parë, unë isha i ftuar në Londër për të parë sesi funksionon modeli anglez. Në Angli ka klinika që janë enkas për mjekësinë kleuto-urinare, ku mbulojnë në mënyrë tepër profesionale problemet e IST-ve dhe të HIV/AIDS dhe në këto klinika dihet që nuk të duhet rekomandimi nga mjeku. Sepse një person që ka sifiliz ose që ka një IST nuk shkon tek mjeku i familjes për të marrë rekomandim, për të shkuar më pas tek mjeku infeksionist. Ajo çka dua të them, është që duhet të rishihen të gjitha problemet e reformave, sepse nuk duhet të funksionojnë IST dhe sifilizi me rekomandime. Në të gjithë botën këts pacientë paraqiten menjëherë në këto klinika të specializuara, të cilat janë “miqësore”, sepse nuk kanë paragjykim për këto çështje dhe për të sëmurët.
Në këtë kuptim, kjo gjë duhet të funksionojë edhe në Shqipëri. Personat që janë të riskuar, duhen testuar edhe duhen diagnostifikuar përndryshe këto infeksione ngelen. Çfarë është e keqja e IST-ve? Jo të gjithë mund të kenë shenja, siç është edhe HIV-i. Ti mund të jesh i infektuar, nuk ke asnjë ankesë, por je infektues për partnerët e tu.
Kështu që kjo është “A-ja” e infeksioneve seksualisht të trasmetueshme. Pra, duhen të testohen grupet që janë risk për përçimin e këtyre sëmundjeve, të identifikohen dhe mjekohen, që të ulet infektiziviteti në popullsi.
A mjafton një analizë e thjeshtë gjaku për të zbuluar nëse je me sifiliz?
Jo. Për të zbuluar nëse jeni apo jo me sifiliz duhet që të kryeni një analizë specifike gjaku për sifilizin.