Tejkalimet buxhetore 2021–2024 zbulojnë nevojat e larta në sektorin e shëndetësisë

Pas pandemisë “Covid-19”, nevojat për financimin e shërbimeve publike të shëndetësisë janë rritur më shumë sesa ndan buxheti i shtetit për këtë sektor, ndryshe nga fushat e tjera të shërbimeve publike.

Një analizë e Kuvendit të Shqipërisë për deputetët tregoi se sektori shëndetësor ka më shumë nevoja për financime sesa parashikohen, duke dëshmuar për dobësitë në programim dhe mos-ndarje të drejtë të buxhetit sipas nevojave.

Në vitin 2021 shpenzimet faktike për Ministrinë e Shëndetësisë ishin 78,361 milionë lekë, ndërsa parashikimet ishin 70,998 milionë lekë, 7,363 milionë lekë ose 110.37% më shumë se plani.

Në vitin 2022 shpenzimet faktike ishin 77,225 milionë lekë, ndërsa ato të parashikuara ishin 74,572 milionë lekë, ose 103.56%. Në 2023 shpenzimet ishin të njëjta me programin, por në 2024 shpenzimet faktike ishin 78,795 milionë lekë ose 4.24% më shumë se buxheti në dispozicion.

Në vitin 2021 dhe 2022, pandemia e COVID-19 mund të ketë shkaktuar nevojën për më shumë shpenzime në sektorin e shëndetësisë, siç janë blerjet e pajisjeve, ilaçeve dhe kostot për kujdesin e pacientëve, duke çuar në një tejkalim të parashikimeve. Ky mund të ketë kontribuar në realizimin e shpenzimeve që janë më të larta sesa ishin parashikuar.

Viti 2025 ende nuk është mbyllur, por kërkesat e spitaleve dhe sektorit shëndetësor publik po vijnë në rritje nga plakja e popullsisë dhe barra më e madhe e sëmundjeve.

Në shërbimin spitalor parashikimet për fondet i bëjnë shefat e pavioneve. Por shpesh disa shërbime përballen me flukse më të larta se të dhënat historike. Duke qenë se shefat e shërbimeve janë mjekë dhe nuk e kanë parësore planifikim-menaxhimin, ndoshta profesionistët e ekonomisë mund të bënin parashikime më të sakta.

Rritja e kërkesës për shërbime shëndetësore në vendin tonë po rritet me shpejtësi dhe flukset janë shumë me të mëdha në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”.

Megjithë nevojat e larta për financime, buxheti për shëndetësinë ka pësuar ulje si në raport me PBB-në ashtu edhe me shpenzimet e përgjithshme buxhetore.

Nga viti 2021 në 2026, pjesa e buxhetit të shtetit e dedikuar për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale ka rënë nga 11.3% në 9.3%, një ulje prej rreth 2 pikë përqindje në pesë vjet. Ka një rritje nominale të buxhetit të shëndetësisë (si vlerë absolute), por ka një ulje të rëndësisë relative të këtij sektori në buxhetin e përgjithshëm të shtetit.

Gjithashtu, nga 2021 në 2026, shpenzimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale si pjesë e PBB-së kanë rënë nga 4.22% në 2.97%, nivele shumë më të ulëta se vendet e rajonit dhe të BE-së që financojnë 4–9% të PBB-së për nevojat shëndetësore./ monitor

Postime të ngjashme

EMRI/ Ndalohet drejtori i Spitalit të Fierit, zbardhen detajet e para
Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha