Kryefaqja Aktualitet Sesion informues me pacientët: Korrupsionin në shëndetësi e nxisim edhe ne

Sesion informues me pacientët: Korrupsionin në shëndetësi e nxisim edhe ne

0
Shpërndaje

Mjekë të korruptuar apo të paragjykuar?! Kjo ishte pyetja rreth së cilës diskutuan të rinjtë/pacientë në pjesën e parë të sesionit informues organizuar nga shoqata “Together for life“.

V.C i është dashur shpesh të përballet me sistemin shëndetësor. Nga eksperienca e tij ai tregon se mjekët “janë heronj dhe duhet t’i çmojmë për punën që bëjmë.

“Nuk mund të themi që mjekët janë të korruptuar, sepse nuk mund të mendojë për paratë një mjek që ndodhet përpara një pacienti që vjen urgjencë. Marr rastin e mjekëve të spitalit të Traumës, pasi më është dashur të përballem me ta shumë shpesh. Më besoni, se vijnë njerëz të dëmtuar nga aksidentet nga e gjithë Shqipëria dhe lufta bëhet për t’i mbajtur në jetë. Asnjë mjek nuk e lë një pacient të vuajë sepse nuk ka lekë. Sepse asnjë mjek në atë situatë nuk mendon për lekun. Ndaj mendoj se ne shkojmë në spital me një bindje të krijuar që mjekët janë të korruptuar, edhe pse vetë mund të mos na kenë kërkuar asgjë”, tha ai.

A.LL. u shpreh se “korrupsionin e nxisim ne, sepse jemi ne që kërkojmë me patjetër të paguajmë mjekët, pas shërbimit.

“Mbase vjen nga natyra jonë si mirënjohës, apo të mësuar me korrupsionin. Këtë nuk di ta them”- u shpreh A.LL.

Midis të rinjve/pacientë pjesëmarrës për të qenë në këtë aktivitet, për të diskutuar sesi është koncepti i tyre për sistemin shëndetësor, pati nga ata që u shprehën kategorik: “sistemi shëndetësor, ashtu si pjesa më e madhe e sistemeve të këtij shteti, është i korruptuar“.

Pas këtyre diskutimeve, në pjesën e dytë të aktivitetit, eksperti ligjor Andi Muratej shpjegoi të gjitha hallkat ligjore që ndiqen në rast të shkeljes së të drejtave të pacientëve në sistemin shëndetësor. Muratej prezantoi të rinjtë me institucionet ligjzbatuese, përmes rasteve të suksesit që shoqata “Together for life” ka ndjekur.

Eksperti përmendi rastet e fëmijëve me sëmundje të rënda apo pacientët e shërbimit të onkologjisë, hematologjisë që kjo shoqatë ka ndjekur qoftë përmes Komisionerit për të Drejtën nga Diskriminimi apo në Gjykatë, duke i fituar ato. Përmes këtyre rasteve shoqata kërkoi jo vetëm të informojë të rinjtë/pacientë të përballur me sistemin shëndetësor, por edhe t’i inkurajojë ata për t’u treguar qytetar edhe në rast të shkeljes së të drejtave, duke e kërkuar atë përmes rrugëve ligjore.

Ky sesion informues u zhvillua në kuadër të projektit “Fuqizimi i pacientëve: Luftë kundër korrupsionit në sistemin shëndetësor përmes fuqizimit të pacientëve dhe institucioneve të pavarura“, pjesë e projektit “Transparenca në sistemin shëndetësor”, financuar nga USAID/Albania.

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here