Pas situatës së krijuar nga koronavirusi ka reaguar dhe ish – deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu.
Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Shehu u shpreh se koronavirusi është një rrezik real e masat e marra duhet të jenë në tre faza: të pengohet hyrja e virusit, të kufizohet përhapja e tij (nqs. arrin të depërtojë), dhe më tej lufta me komplikacionet e tij.
“Kujdesi parësor, që ka rëndësi thelbësore në kufizimin e përhapjes së tij mbas ardhjes, është në varfëri të thellë në njerëz, mjete e financime”, shtoi ai.
Më tej Shehu u shpreh se: “Kërkohen urgjentisht masa konkrete transparente, pluridimensionale, mobilizim të të gjitha resurseve shqiptare, bashkëpunim me fqinjët, e pa dyshim një buxhet të veçantë financiar prej reth 30 milionë eurosh, që shumë mirë mund të dalë duke bllokuar PPP-të, elemente që janë detyrime të Qeverisë”.
Postimi i plotë
Rama nuk mund të fshihet pas “betimit” të specialistëve të Task-Forcës!
Koronavirusi është një rrezik real, që nuk mposhtet me fjalë e betime për “garanci të koduara” të Task, as me një logjikë alla “Shvejk” si ajo që po përdoret për “sekretin” e Karantinës, që në fakt është vetëm në 3D dhe as me një “video” bosh të Ramës.
Masat duhet të jenë për të tre fazat e përballjes: pengimi i hyrjes së virusit, kufizimi i përhapjes së tij (nqs. arrin të depërtojë), dhe më tej lufta me komplikacionet e tij, që është më e vështira.
Masat në kufi, që janë pak të efektshme për vetë natyrën e virusit, zerohen më tej sepse grupet kriminale të trafikut njerëzor në bashkëpunim me strukturat shtetërore, duke trafikuar me mijëra sirianë a të tjerë ilegalë në ditë, në fakt e kanë lënë Shqipërine “pa kufi” e pa mbrojtje epidemiologjike.
Kujdesi parësor, që ka rëndësi thelbësore në kufizimin e përhapjes së tij mbas ardhjes, është në varfëri të thellë në njerëz, mjete e financime.
Shërbimet e specializuara si ai i Reanimacionit, infektivit, laboratorëve etj., në nivel vendi, që duhet të përballojnë komplikacionet e mundshme, janë të marginuara pothuajse vetëm në Tiranë.
Në Shqipëri kemi vetëm reth 130 respiratorë, pra për reth 80 të sëmurë, por dhe këto jo të gjitha të përshtatshëm, asnjë aparaturë ECMO kur do të duheshin mimalisht reth 30 të tilla stacionare e lëvizëse, materiale konsumi e mundësi monitorimi të të sëmurëve shumë larg nevojave, punonjës të paket e të nënpaguar etj etj.
Pra kërkohen urgjentisht masa konkrete transparente, pluridimensionale, mobilizim të të gjitha resurseve shqiptare, bashkëpunim me fqinjët, e pa dyshim një buxhet të veçantë financiar prej reth 30 milionë eurosh, që shumë mirë mund të dalë duke bllokuar PPP-të, elemente që janë detyrime të Qeverisë.
Pra t’i lëmë fjalët e bukura, betimet personale, 3D-të, “sekretet shtetërore”, jo vetëm se kështu bëjmë vetëm një “vrimë në ujë”, por dhe se duke rrezikuar jetën e shëndetin e qytetarëve, autorët nesër mund të duhet të përgjigjen përballë ligjit.
Unë shpresoj me gjithë zemër që kjo të mos ndodhë, ne të mos prekemi për vullnet të Zotit, por sidoqoftë duhet të përgatitemi për më të keqen. /shëndeti.com.al

