Certifikatë mirënjohjeje për Kontributin e dhënë nga “Klubi i Gazetarëve të Shëndetësisë” në Përmirësimin e Qeverisjes së Sistemit Shëndetësor në Shqipëri, si dhe për bashkëpunimin në zbatimin e projektit të USAID-it “Mbështetje Reformës në Shëndetësi”. Kjo ishte certifikata e cila iu dorëzua drejtoreshës së gazetës “Shëndet+”, Eglantina Bardhi, nga drejtori i USAID-it David Crowles, në takimin e mbajtur në përmbyllje të këtij projekti.
Bardhi falënderoi USAID-in për bashkëpunimin me “Klubin e Gazetarëve të Shëndetësisë” dhe gazetën “Shëndet+”.
“Përfshirja e gazetarëve në projekte të tilla është një model pozitiv i demokracisë së një vendi, ndaj dhe e vlerësojmë shumë këtë bashkëpunim”, u shpreh Bardhi.
Projekti i USAID-it “Mbështetje Reformës në Shëndetësi” ka gjetur pasqyrim përgjatë gjithë kësaj periudhe në faqet e gazetës “Shëndet+”, duke informuar njerëzit lidhur me hapat e ndjekur gjatë këtij projekti. Në të janë pasqyruar zhvillimet e kryera në spitalet-pilot të Lezhës, Korçës, si dhe Tiranës, si dhe rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj publikut në këto institucione shëndetësore.
Ndërkohë projekti ka rezultuar i suksesshëm edhe në ngritjen e portalit www.shendeti.com.al, si një portal model për shëndetësinë dhe informues për publikun e gjerë.
Projekti i USAID-it “Mbështetje Reformës në Shëndetësi” synoi që të kthejë institucionet shëndetësore nga spitale publike në institucione që kanë në qendër të tyre pacientin, duke i ofruar atij shërbim sa më cilësor, por edhe duke përfshirë shoqërinë civile në vendimmarrje.
Veç përfaqësuesve të USAID-it, të pranishëm në këtë takim ishin edhe drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe drejtues të institucioneve shëndetësore në të cilat u zbatua ky projekt.

