Arlinda Gjypi, gazeta “Shëndet+”
Projekti “Shëndet për të gjithë”, i vënë në zbatim në Qarkun e Dibrës nga shoqata “Together for Life” vazhdon suksesshëm edhe në zonat më të thella. Gjatë muajit tetor u prezantua plani i punës lidhur me informimin e komunitetit të komunave Arras, Komsi dhe Zerqan për marrjen e kartës së sigurimit shëndetësor dhe shërbimeve që mbulon kjo kartë, si edhe evidentimi i problemeve lidhur me hipertensionin.
Specialistët e Shëndetit Publik Engjëll Mihali dhe Genta Qirjako paraqitën objektivat që synohen të arrihen nga ky projekt në popullatat e këtyre tre komunave, ndërkohë që projekti pati një pjesëmarrje të madhe nga stafi shëndetësor si dhe nga komuniteti.
Komuna Arras: Trajnime të tilla duhen gjithmonë
Në komunën Arras të rrethit të Dibrës u prezantua pikërisht plani për njohjen me kartën e sigurimit shëndetësor dhe njohuritë për tensionin e lartë.
Lindita Daci, infermiere në këtë komunë, u shpreh se njohuritë e dhëna në këtë trajnim ishin vërtet të domosdoshme. Objektivi për aftësimin e personelit shëndetësor për këshillimin, edukimin, informimin që duhet t’i bëjnë pacientëve me hipertension është tepër i nevojshëm për stafin dhe si rrjedhojë rrit cilësinë e punës së tyre, përveçse ndihmon për një shëndet më të mirë të popullatës në përgjithësi.
Specialistët e shëndetit publik shpjeguan se si do të veprohet përgjatë muajve në vijim dhe gjithë informacionin që pritet t’u ofrohet jo vetëm stafit shëndetësor, por edhe komunitetit. Sidomos për komunitetin tepër i nevojshëm është informacioni lidhur me marrjen e kartës së shëndetit.
Në të synohet:
Rritja e njohurive të popullatës > 18 vjeç në komunën Arras, lidhur me mënyrat e marrjes së kartës së shëndetit (grupet përfituese, dokumentacioni përkatës ku merret)
Rritja e njohurive të popullatës > 18 vjeç në komunën Arras lidhur me përfitimet që ofron karta e shëndetit.
Promovimi i shërbimeve që ofrohen në QSH (të drejtat e pacientit; çfarë mbulon karta e sigurimit shëndetësor).
Aftësimi i personelit shëndetësor dhe partnerëve të tjerë për këshillimin, edukimin, informimin që duhet t’i bëjnë pacientëve për kartën shëndetësore.
Komuna Komsi: Informacione të vlefshme për jetën tonë
Në komunën Komsi të rrethit Burrel gjithashtu pati takime me banorë dhe pjesë të stafit shëndetësor. Aty vëmendja u përqendrua në çështjen e hipertensionit, si një nga problemet më delikate të kësaj popullate.
Teksa morën pjesë në takimin për prezantimin mbi punën që do të bëhet në vijim, banoret e fshatit Habibe Pali e Gentiana Aliu thanë se informacionet për hipertensionin janë shumë të vlefshme për jetën e tyre. “Duke pasur një informacion të tillë dimë se si të sillemi dhe ç’të bëjmë. Informacioni nga televizori është i paktë, kështu që kur vijnë të na mësojnë specialistët, sigurisht që na bëjnë të lumtur”, u shprehën ato.
Për hipertensionin synohet që të realizohet:
Rritja e njohurive të popullatës >18 vjeç në komunën Arras lidhur me HTA-në (faktorët e riskut, mënyrën e parandalimit, komplikacionet dhe rëndësinë e trajtimit).
Promovimi i shërbimeve që ofrohen në qendrat shëndetësore për HTA-në (të drejtat e pacientit, çfarë mbulon karta e sigurimit shëndetësor).
Aftësimi i personelit shëndetësor për këshillimin, edukimin, informimin që duhet t’i bëjnë pacientëve me HTA.
Komuna Zerqan: Njohuria që shpëton shëndetin tonë
Edhe komuna Zerqan e mirëpriti punën e shoqatës “Together for Life” dhe projektin zvicerian “Shëndet për të gjithë”. Festime Mjeshtri, specialiste e promocionit dhe pjesëmarrëse në takimet e organizuara u shpreh se është shumë e nevojshme që popullata, por edhe vetë specialistët të rrisin njohuritë e tyre lidhur me hipertensionin, si një çështje shumë problematike në zonë. Ajo vlerësoi punën e bërë nga shoqata “Together for life” teksa nuk ngurroi të theksojë se marrja e njohurisë për sëmundje të caktuara mund të shpëtojë jetët e shumë njerëzve.
Ashtu si dhe në komunat e tjera, edhe në komunën Zerqan të rrethit të Bulqizës u përfshinë banorë të zonës, si dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme shëndetësore dhe lokale.
Klodiana Sulmeta, mësuese e shkollës 9-vjeçare tha se me njohuritë që ofrohen në trajnime të tilla, edhe ato vetë janë më të afta për t’ua kaluar këto njohuri fëmijëve, të cilët më pas do të dinë ç’të bëjnë në të ardhmen e tyre, për të pasur një stil jetese më të shëndetshëm.
Projekti “Shëndet për të gjithë” është një projekt zvicerian, i cili në qarkun Dibër është vënë në zbatim nga shoqata “Together for Life” e përqendruar në nevojat kryesore të kësaj popullate, siç janë: njohja me problematikën e tensionit të lartë, si dhe me kartat e shëndetit.



