“Shëndetësi për të gjithë”, çelet projekti 10 milionë eurosh, i financuar nga Zvicra

“Shëndetësi për të Gjithë”. Është ky projekti prej gati 10 milionë eurosh, i financuar nga shteti zvicerian, çelja e të cilit u shënua dje në Peshkopi. Në këtë veprimtari ishin të pranishëm ambasadori Zviceran, Christoph Graf, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqajm kryetari i porsazgjedhur i Bashkisë së Peshkopisë, Shukri Xhelili, si dhe specialistë të shëndetësisë dhe qytetarë të ndryshëm.

Ministri Beqaj dhe ambasadori zvicerian Kristof Graf

Ministri Beqaj dhe ambasadori zvicerian Christoph Graf

“Sot ne fillojmë një bashkëpunim të ri për të forcuar sistemin shëndetësor shqiptar dhe për të përmirësuar cilësinë dhe aksesin në shërbimet shëndetësore në Shqipëri. Nuk është rastësi që po e fillojmë këtë projekt në Peshkopi”, tha ambasadori Graf. “Shërbimet e Kujdesit Shëndetësor Parësor duhet të forcohen në të gjithë Shqipërinë – edhe në zonat rurale – për t’iu përgjigjur nevojave të popullatës. Programi do të mbështesë në nivel kombëtar dhe rajonal në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, në menaxhimin dhe decentralizimin, si edhe përfshirjen e qytetarëve si aktorë përmes veprimtarive promovuese të shëndetit. Qytetarët duhet të rrisin ndërgjegjësimin e tyre shëndetësor për të parandaluar sëmundjet, në vend që t’i trajtojnë ato”, vijoi ambasadori Graf.

Përmes këtij projekti të ri do të investohen rreth 10 milionë euro për katër vitet e ardhshme për përmirësimin e kujdesit shëndetësor parësor, rritjen e kapaciteteve profesionale të punonjësve të shëndetësisë, për prezantimin e modeleve të shërbimeve shëndetësore të decentralizuara, për të nxitur ndërgjegjësimin shëndetësor të qytetarëve dhe për të trajtuar korrupsionin në sektorin e shëndetësisë. Projekti fokusohet në zonën e Dibrës dhe Fierit dhe do të synojë të bëjë kujdesin shëndetësor parësor më të përballueshëm dhe efikas, veçanërisht për grupet e margjinalizuara. Një projekt i mëparshëm zviceran për edukimin mjekësor në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë, shërben si pikënisje për projektin e ri.

Një komponent kyç i Projektit “Shëndetësi për të Gjithë “do të jetë promovimi i shëndetit dhe edukimi i qytetarëve. Ky komponent mbështetet në filozofinë që qytetarë të informuar dhe të ndërgjegjshëm për shëndetin mund të transformojnë sistemin shëndetësor për të mirë, duke kërkuar shërbime cilësore si dhe mund ta lehtësojnë atë nga shërbimet e panevojshme duke zbatuar mekanizmat parandalues.

Në varësi nga rezultatet që do të arrihen në Dibër dhe Fier, projekti do të synojë të përsëris praktikat më të mira në zona të tjera në Shqipëri.

Sipas Menaxherit të Projektit, Z. Joao Costa, “Shëndetësi për të Gjithë” do të sjellë ekspertizë dhe do të ofrojë trajnim në fushën e menaxhimit shëndetësor me qëllim përmirësimin e efikasitetit të klinikave të shëndetit parësor dhe qendrave shëndetësore. Menaxherë me kualifikim më të mirë do  të jenë në   gjendje të optimizojnë përdorimin  e burimeve njerëzore, materiale e  financiare të disponueshme, duke siguruar kështu një mbulim më të madh të nevojave shëndetësore të popullatës së cilës ata i shërbejnë.

Zvicra, përmes kësaj ndërhyrjeje dhe kontributi, është pozicionuar si një nga donatorët të rëndësishëm që mbështesin sistemin shëndetësor në Shqipëri.

Postime të ngjashme

Këto 3 vitamina që ekspertët rekomandojnë të mos i merrni me stomak bosh
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë
Helmohen 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU
Sa kafe mund të pimë në ditë pa rrezikuar shëndetin? Ja çfarë thonë studimet
Alarm në Zvicër dhe Francë, identifikohen rastet e para me Hantavirus
Alarm në det: Shpërthen hantavirusi në anije turistike, 3 të vdekur
Brokoli apo lulelakra: Cila ka më shumë fibra dhe cila është më e shëndetshme?
3 rregulla të thjeshta për të humbur peshë shpejt