Emanuel Smaka
Shoqata “Together for Life” vijon takimet informuese në qytete të ndryshme të Shqipërisë me qëllim ndarjen e informacionit me punëmarrësit e sektorit call center në kuadër të projektit “Përmirësimi i jetës së punës në call center”.
Tirana, Shkodra, Durrësi dhe Vlora janë disa nga qytetet ku përfaqësuesit e shoqatës në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, si dhe organizatën e parë të punëdhënësve të sektorit (AOA- Albanian Outsourcing Association), zhvilluan takime intensive për t’u njohur më nga afër me problematikat.
Irida Qosja, përgjegjëse e sektorit të inspektimit të marrëdhënieve të punës pranë ISHPSHSH, gjatë takimeve të zhvilluara, ndër të tjera vuri theksin tek rëndësia e këshillave të sigurisë së shëndetit në kushtet e punës.
“Jemi në kushtet që duhet të fillojnë e të bëhen funksionale këshillat e sigurisë së shëndetit, të cilat në përbërjen e tyre, bazuar në ligjin për sigurinë dhe shëndetin në punë, kanë numër të barabartë përfaqësuesish nga punëmarrësit dhe punëdhënësit. Që do të thotë, edhe pse dikush nga ju mund të jetë përgjegjës i një grupi operatorësh, në vetvete është punëmarrës, por që ka kontratën me përcaktime të tjera. Ideja është që kush përfaqëson kë në këtë tryezë dhe çfarë përfaqëson ky këshill.
Për shembull, nëse ju gjatë punës konstatoni që keni një problem me shikimin apo dëgjimin dhe kjo të vërtetohet, është e drejtë që të kërkojmë në këshill që të matet niveli. Për nivelin e zhurmës, për mbipopullimin e një salle të caktuar. Janë pikërisht këto këshilla që shërbejnë si rregullatorë të brendshëm të subjektit që ndikojnë në përmirësimin e kushteve të punës. Është e rëndësishme që kushtet që kemi në punë të jenë në përputhje me shëndetin tonë, të na kthehen në të mirë të shëndetit dhe jo në të kundërt të tij”, sugjeroi Qosja për punonjësit e sektorit Call Center.
Ndërkohë Edison Hoxha, përfaqësues i Qendrës për Marrëdhënie Pune dhe Dialog Social, ka bërë një panoramë të detajuar mbi mënyrën e krijimit të sindikatave, të cilën e prezantoi gjatë turit të takimeve në qytete të Shqipërisë.
Punonjësit e sektorit i komentuan takimet e zhvilluara si tejet të frytshme. Informimi sipas tyre është baza e ngritjes së marrëdhënieve të qëndrueshme punëmarrës-punëdhënës. Teksa drejtuan pyetje për lektorët, ata pranuan se më parë nuk i kishin kushtuar rëndësi shëndetit në punë apo mënyrës së organizimit në sindikata për të mbrojtur të drejtat e tyre.
Projekti “Përmirësimi i jetës së punës në call center” e ka marrë shtysën nga investigimet në terren të gazetarëve të “Shëndet +”, të cilët filluan të sillnin nga qendrat shëndetësore të Tiranës gjithmonë e më shumë dëshmi të mjekëve dhe pacientëve që punonin në kompanitë call center dhe ankoheshin për probleme të dëgjimit, shikimit, shtim të ankthit dhe ulje të përqendrimit.
Pikërisht në këtë periudhë, Olof Palme Inernational Center (organizata ombrellë e lëvizjes sindikale suedeze), e cila mbështet zhvillimet shoqërore në Shqipëri, investoi në nxitjen e të drejtave të punës dhe dialogut social.
Kështu, në janar 2017, me mbështetjen e Olof Palme Center dhe me fonde të qeverisë suedeze, u bë e mundur që për herë të parë të kthehej vëmendja nga çështjet e të drejtave të punës në sektorin e call center, një sektor i ri ky për ekonominë shqiptare, por me një numër të konsiderueshëm të punësuarish në të gjithë vendin.
Qëllimi parësor i këtij projekti është pikërisht përmirësimi i jetës së punës së punonjësve të sektorit, duke monitoruar zbatimin e të drejtave nga ana e punëdhënësve nga njëra anë dhe informimin e punëtorëve për këto të drejta nga ana tjetër.
Sesionet e informimit për të drejtat e punës zbërthejnë pikërisht objektivat specifikë të projektit të cilët synojnë që jo vetëm të rrisin informimin e punëtorëve, por të krijojnë mundësi bashkimi dhe sinergjish midis punëdhënësve dhe punëmarrësve të këtij sektori, duke e bazuar metodologjinë e organizimit të tyre në orientimet e agjendës së punës së denjë. Synimi i vetëm është të bëjmë bashkë partnerët socialë, punëdhënës, punëmarrës dhe qeveri në përpjekje për të përmirësuar situatën e punës dhe për të rritur produktivitetin./ Shendeti.com.al