Kryefaqja Femrat Shëndeti femëror, nga ardhja e menstruacioneve deri te sikletet e menopauzës

Shëndeti femëror, nga ardhja e menstruacioneve deri te sikletet e menopauzës

0
Shpërndaje

Bisedoi: Denisa Canameti

Kontrollet e rregullta gjinekologjike nuk janë edhe aq të sikletshme sa mund të jenë zbulimet që vijnë prejt tyre më pas. Problemet e para gjinekologjike ndodhin në periudhën kur vajzave u vijnë menstruacionet. Një ndryshim që, sipas mjekes gjinekologe Mimoza Keta, ka nevojë për vëmendjen jo vetëm të prindit, por edhe të mjekut.  Në një intervistë të gjatë për gazetën “Shëndet+” ajo jep shpjegime për të vajzat dhe gratë e çdo moshe.

Doktoreshë, cilat janë problemet e para gjinekologjike që përjetojnë vajzat (adoleshente).

Problemi kryesor për një vajzë të vogël në momentin që ajo hyn në periudhën e pubertetit, është ardhja e menstruacioneve të para.

Si vijnë menstruacionet e para?

Lidhur me menstruacionet e para, është mirë që vajzës t’i flasë nëna ose motra më e madhe. Sigurisht, ka informacion që merret edhe nga shoqet e nga media, por është mirë që nëna, në momentin që vajzës i vijnë menstruacionet e para, ta marrë dhe së bashku t’i drejtohen mjekut gjinekolog.

Pse është e nevojshme kjo? Në mënyrë që vajza të kuptojë se ç’po ndodh me trupin e saj. Gjithashtu të mësojë se si duhet të kujdeset për higjienën personale e kështu që evitojë infeksionet e mundshme që mund të vijnë edhe si pasojë e higjienës së mirë.

Është e rëndësishme që vajza të lahet sa herë që shkohet në banjë, të ndërrojë pecetat mujore sa herë që lind nevoja. Gjithashtu të mësojë se si përdoren këto peceta. Këto janë çështje që vajzave u shpjegohen nga nëna në bashkëpunim me mjekun/mjeken gjinekolog/e.

Çfarë ndodh faktikisht në organizmin e vajzës?

Në organizmin e kësaj vajze fillon të funksionojë vezorja. Janë dy gjendra (vezore) që ndodhen në fund të barkut, anash mitrës, të cilat fillojnë të prodhojnë hormone. Pra, kjo vajzë bëhet fertile, mund të sjellë në jetë një fëmijë.

Vezorja prodhon dy hormone kryesore të rëndësishme që janë estrogjenët dhe progesteronet. Fillimi i prodhimit të këtyre hormoneve ndikon mbi shtresën e brendshme të mitrës, që quhet endometër. Në 14-ditëshin e parë të ciklit menstrual prodhohet më tepër estrogjen. Estrogjenët i veshin gjendrat e endometrit ngadalë dhe fillojnë t’i zmadhojnë ato.

Në ditën e 14-të deri në ditën e 16-të të ciklit, niveli i progesteronit dhe estrogjenit mbetet i njëjtë. Ndërsa nga dita e 16-të e lart, niveli i progesteronit fillon të rritet. Në ditën e 28-të të ciklit, nëse marrim ciklin normal 28-ditor, ndodh ulja e nivelit të progesteronit. Në këtë kohë fillon një gjakrrjedhje nga poshtë, bie shtresa e brendshme e mitrës (që është përgatitur për një shtatzëni) në formën e një gjakrrjedhje, që quhet menstruacione.

A ka një ulje të moshës kur vijnë mestruacionet e para?

Po. Ka një ndryshim në ardhjen e menstruacioneve, sepse kjo moshë është ulur. Më parë vajzat i kishin menstruacionet e para rreth moshës 14 -vjeçare, ndërsa i kanë rreth moshës 11-12 vjeçare. Arsyet janë të shumta, duke filluar nga zhvillimi i organizmit të një vajze, mënyra e ushqyerjes etj.

Kur është normale nisja e raporteve seksuale?

Tani ka ikur koha e ruajtjes së virgjërisë. Shumë pak janë ato që kërkojnë vajza të virgjëra. Mirëpo e mira do të ishte që raportet seksuale të fillojnë jo përpara moshës 18-20-vjeçare. Fillimi i marrëdhënieve në moshë të hershme shton më shumë mundësinë për infeksione.

Ç’nënkupton një shtatzëni në këtë moshë?

Një shtatzëni në këtë moshë do të thotë një fëmijë që lind një fëmijë. Këto quhen shtatzëni në moshë shumë të vogël, të cilat janë shumë të vështira. Rastet kanë filluar të rrallohen, por duhet të mbajmë parasysh se ka dhe grupe sociale të ndryshme që nuk e kanë problem lindjen në moshën 14-vjeçare.

Mosha më e bukur e fertilitetit është rreth moshës 19-25 vjeç. Megjithatë, tani shumë gra që duan të bëjnë karrierë, e shtyjnë deri në moshën 32-33-34-vjeçare që ta lindin fëmijën e parë.

Po pas moshës 30 vjeç çfarë ndodh?

Fillon të ulet aftësia për t’u fertilizuar. Dhe sigurisht që këto grupmosha që kërkojnë fëmijë, kërkojnë trajtim edhe nga mjekët gjinekologë.

Dua të ngre një problem për ato gra që duan të konceptojnë një fëmijë. Flitet me zë të lartë këshilllimi parakoncepsional. Që do të thotë të bësh një grup ekzaminimesh dhe analizash, mbas një vizite gjinekologjike, ku do të vlerësohet shëndeti riprodhues i femrës dhe i mashkullit.

U drejtohem grave: Nëse dëshironi një ecuri të mbarë të shtatzënisë suaj, duhet patjetër të bëni këshillimin parakoncepsional. Këtë e kam theksuar edhe më parë.

Lidhur me burrat, sa bashkëpunues janë?

Ka ndryshuar mendësia. Nëse më parë gratë shoqëroheshin nga vjehrrat ose mamtë për të bërë vizitën gjinekologjike, sot në shumicën e rasteve i shoqërojnë bashkëshortët. Nuk është më tabu vizita gjinekologjike. Vijnë dhe vlerësojnë veten  e tyre. Ka një ndryshim të madh të mendësisë mashkullore për të shoqëruar gruan te mjeku gjinekolog.

Është normale që pas një shtatzënie cikli të vonohet 1 vit?

Pas një lindjeje normale, nëse e ushqen fëmijën me gji, cikli normal nuk kthehet në kohë. Është periudha e lehonisë që shkon rreth 45 ditë. Sekrecionet hemorragjike fillimisht vijnë me ngjyrë më të fortë dhe të shtuara në sasi. Pastaj vijnë duke u pakësuar ngadalë.

Mbas periudhës 45-ditore, nëse nëna vazhdon ta ushqejë fëmijën vetëm me gji, atëherë cikli menstrual nuk vjen. Është një nga metodat e kontracepsionit më të mira. Mbron rreth 96% nga shtatzëni e padëshiruar. Por gjithmonë kur fëmija ushqehet vetëm me gji, pa shtesa ushqimore.

Nëse i fillojnë shtesat ushqimore dhe fëmija nuk ushqehet vetëm me gji, atëherë ardhja e menstruacioneve mund të ndodhë, por mund të ndodhë dhe që të mos vijnë. Përsëri kjo varet nga organizmi. Mund të vijnë pas 4 muajsh apo 6 muajsh nëse ti e ushqen me ushqyerje të përzier. Nëse nuk e ushqen fare me gji, pas 45 ditësh aparati riprodhues rikthehet në gjendjen para shtatzënisë dhe pritet dhe ardhja e ciklit.

Sekrecionet vaginale

Infeksionet vaginale kapin rreth 75-80% të gjinisë femërore. Sekrecionet vaginale kanë një ndryshim gjatë ciklit menstrual. Një vaginë pa sekrecione, është e sëmurë. Gruaja duhet të ketë normalisht sekrecione vaginale që të jetë e lubrifikuar vagina. Këto sekrecione ndryshojnë në varësi të ditëve të ciklit. Në fillim të ciklit dhe në ditët e para pas menstruacioneve, sekrecionet janë më të trasha. Në ditët e ovulacionit, në mes të ciklit, sekrecionet bëhen më të hollla dhe më fluide. Kjo ndodh sepse është dita më fertile, dita e 14 e ciklit , periudha kur mund të mbetesh shtatzënë dhe ndryshimi i sekrecioneve bën që spermatozoidët të kalojnë më kollaj për të gjetur vezën. Pra, nëse një grua sheh ndryshime në sekrecionet vaginale që i sheh më të trasha ose më të holla, dhe më pas trashën përsëri, është normalitet.

Sekrecionet janë me ngjyrë të bardhë, pa erë. Nëse vë re ndryshime në ngjyrë, në erë nëse ka shenja të tjera kruarje, djegie, dhimbje gjatë kontaktit etj, ajo duhet të mendojë që kemi të bëjmë me praninë e një infeksioni vaginal.

Duhet të na shqetësojë një infeksion vaginal?

Patjetër. Ndryshimi që vë re gruaja, e drejton gruan të mjeku gjinekolog. Ka shumë gra që janë të kujdesshme dhe sot ka ndryshuar tabuja e vizitave gjinekologjike. Gratë vijnë pa drojë.

Metoda natyrale për të luftuar infeksionet vaginale?

Infeksionet nëse nuk trajtohen siç duhen, kapin veç pjesës së poshtme të aparatit riprodhues, edhe pjesën e sipërme të aparatit riprodhues, pjesën e brendshme të mitrës që është endometri, kapin vezoret, kapin tubat, duke shkaktuar infeksione shumë të rënda, të cilat më vonë kronicizohen dhe janë shumë të vështira për t’u trajtuar.

Kjo grua mund të trajtohet, por infeksioni përsëritet herë pas here. Prandaj mjaft e rëndësishme është që ato të drejtohen që në fillim te mjekët për t’u vizituar për veten e tyre. Ndodh që të drejtohen te farmacistët të cilët japin trajtime.

Sot pata një rast. Vjen gruaja dhe thotë: “U drejtova te farmacia në Krujë, dhe ajo më dha një lavandë dhe më tha hidhi ujit dhe pak pika betadinë, shpëlahu nga brenda etj. Vjen gruaja me sekrecione të shtuara, me erë etj. Çfarë kishte ndodhur? Kjo lavandë që kjo kishte përdorur ka bërë që të ndryshojë pehashi i vaginës.

Trajtimi bëhet me dy mënyra:

Trajtimi i parë është trajtimi shfarosës, pra zhdukja e infeksionit. Trajtimi i dytë është trajtimi parandalues. Që do të thotë dhënia e një terapie që mund të zgjasë 3-6 muaj, në mënyrë që këto infeksione të mos përsëriten më. Ka infeksione të tjera: seksualisht të transmetueshme. Kapin moshat e reja, ato grupmosha që fillojnë raportet e para seksuale . Vajzat e reja të cilat ndoshta nuk i njohin metodat e planifikimit familjar, nuk njohin përdorimin e prezervativit, edhe pse sot është bërë një punë e madhe nëpër shkolla.

Po pas moshës 40 vjeç?

Ndërsa pas moshës 45-48 vjeç fillon periudha e perimenopauzës, që është periudhë pak e vështirë për pacientet. Kjo periudhë përfshin shenja të ndryshme, siç janë shenjat vagomotore. Kështu, duke ndenjur fillon një djersitje dhe një skuqje që vjen nga poshtë deri në fytyrë. Mirëpo gratë që janë intelektuale dhe kanë takime pune, e ndiejnë më shumë. Në këtë periduhë gratë bëhen më nevrike, kanë pagjumësi dhe ndjenjë ankthi. Pastaj fillon çrregullimi i ciklit menstrual. Në çrregullimet e ciklit menstrual hyjnë shumë gjëra të tjera. Cikli menstrual zgjatet në kohë. Ndryshon kohëzgjatja e ditëve të ciklit. Ndryshojnë dhe si fluks. Mundet që sasia e gjakrrjedhjes të jetë më e madhe, por mundet që sasia e gjarrjedhjes të pakësohet. Pikërisht këto shenja i detyrojnë gratë që të drejtohen te ne.

Çfarë ndodh në kockën e gruas në këtë periudhë të perimenopauzës?

Kockat kanë shumë kalcium. Niveli i estrogjenit ndryshon duke bërë që kalciumi të largohet nga kocka. Ky largim e bën kockën poroze, duke shkaktuar kështu osteoporozën, një sëmundje e cila nëse nuk trajtohet dhe nëse nuk merr mjekimin e duhur, mund të shkaktojë fraktura të tilla që ta lërë gruan invalide. Ndaj është e rëndësishme që gruaja të këshillohet me mjekun gjinekolog dhe nën këshillat e tij të marrë edhe atë që quhet terapia hormonale zëvendësuese dhe që e ndihmon në këtë drejtim.

Gjithashtu ndodh ndryshimi i nivelit të yndyrnave. Yndyrnat janë HDL dhe LDL apo siç njihen, kolesterali i mirë dhe kolesteroli i keq. Rritja e nivelit të yndyrnave të këqija shkakton probleme në zemër. Infarktet e ndryshme ose gjendjet e parainfarktit ndodhin pikërisht në këto mosha.

Pra, të gjitha këto shenja të çojnë drejt asaj që quhet: terapia hormonale zëvendësuese.

Çfarë është terapia hormonale zëvendësuese?

Terapia hormonale zëvendësuese është trajtimi më i mirë për menopauzën. Nëse terapia merret sipas një protokolli të caktuar, gruaja do ta kalojë shumë lehtë këtë periudhe dhe gjithë familja do të jetë shumë e qetë.

Ndodh që vijnë te ne gratë me familjarët dhe thonë: Mamaja ka qenë shumë e qetë, nuk ka qenë kështu. Tani harron, bërtet etj. etj. Mbështetja familjare është shumë e rëndësishme.

Nëse gruaja do të ketë gjendje ankthi, do t’i rekomandoja që, përveç terapisë hormonale zëvendësuese, edhe autosugjestionimin e vetes. Mësohen nga mjekët sesi ajo të sugjestionojë veten me qëllim që të ndihet rehat.

Krijimi i një ambienti të qetë, i një gjumi të këndshëm dhe, sigurisht, të gjitha këto do të bëjnë që ajo të kalojë një periudhë të qetë.

Periudha e menopauzës është pak e vështirë, apo jo?

Mund të ndodhë që si rezultat i uljes së nivelit të hormoneve, qëllon që shumë gra në moshën e post menopauzës drejtohen te mjeku gjinekolog me ankesat e tyre, për një tharje të vaginës, kruarje, për të cilat kanë shumë nevojë për trajtime të ndryshme dhe që është e nevojshme kontaktimi i mjekut gjinekolog. Prandaj ajo që unë them me zë të lartë është: bëni shok dhe mik një mjek gjinekolog. Ta keni në krah për të gjitha problemet tuaja personale./ Shendeti.com.al

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here