Çdo i ri vlen dhe duhet vlerësuar për atë çfarë bën. Ngërçi nuk qëndron vetëm tek të rinjtë. Të rinjtë, përkundrazi, e duan kulturën, thjesht nuk u ofrohet. Për këtë arsye qeveria duhet të krijojë më shumë hapësira dhe akses për të rinjtë. Pasi rinia është e ardhmja.
Denisa Canameti
Shëndeti mendor dhe mirëqenia e të rinjve ishte tema që u vendos në fokus të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë. Në kuadër të kësaj dite u zhvillua një aktivitet në ambientet e Kinostudios, Tiranë, ku pjesëmarrës ishin dhjetëra të rinj nga Lidershipi i të rinjve të Tiranës. Programi parashikonte që aktiviteti të ndahej në tre pjesë. Në pjesën e parë të aktivitetit referuan Bruno Ismaili, operator në fushën e kulturës dhe Elian Stefa, arkitekt. Në pjesën e dytë, mbajti një fjalë të shkurtër përfaqësuesja e UNFPA-së dhe më pas fjala i kaloi Ervin Qafmollës, profesionist i komunikimit.
Në pjesën e tretë ishte menduar që të shihej një dokumentar, nëpërmjet të cilit tregohej jeta midis dy epokave, para dhe pas komunizmit.
Takimin e hapi Rubin Beqo, koordinator i aktiviteteve në Drejtorinë e Koordinimit të Politikave Rinore në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
I pyetur nga gazeta “Shëndet+” se pse ishte zgjedhur kjo temë, ai u shpreh se ka një numër në rritje të këtyre problemeve, të sjelljeve impulsive, temperamente jashtë kontrollit, shtimi i numrit të vetëvrasjeve, të depresionit dhe është e nevojshme që të shikohen këto probleme. Ka disa deficite të cilat po i krijon shoqëria e sotme.
I pyetur për të rinjtë e Lidershipit pjesëmarrës në këtë takim, Beqo tha se “ky është një grup i përzgjedhur që ne menaxhojmë dhe që përfaqësohet fillimisht nga Kongresi Rinor Shqiptar, që ne i kemi partnerë….
Nuk ka organizim për të rinjtë. Koha e lirë shpenzohet nga të rinjtë në shumicën e rasteve për kafe. Pikërisht këtë gjë duhet të luftojë rinia. Rinia duhet të luftojë për aspiratat e veta, duhet të luftojë për pjesëmarrje”. Me këtë thirrje për motivim të të rinjve Rubini e mbylli edhe fjalën e tij.
Bruno Ismaili, Koordinator Kulture solli përvojën e tij pas shumë viteve të jetuara jashtë Shqipërisë, kryesisht në Gjermani. Diskutimi i Brunos nisi me pyetjen se ç’është kultura. Ai shpjegoi që kultura është ajo çfarë ne jemi. Në problemet e rinisë shqiptare, Ismaili radhiti këto elemente: stilin e jetesës, shoqërinë dhe rrethin shoqëror, çështjet e (vetë)besimit dhe të përkatësisë, mungesën e qendrave rinore, si dhe kulturën alternative. Çdo i ri vlen dhe duhet vlerësuar për atë çfarë bën.
Megjithatë, ngërçi, sqaroi Ismaili, nuk qëndron vetëm tek të rinjtë. Të rinjtë, përkundrazi, e duan kulturën. Ajo thjesht nuk u ofrohet. Për këtë arsye qeveria duhet të krijojë më shumë hapësira dhe akses për të rinjtë. Pasi rinia është e ardhmja.
Ismaili gjithashtu solli edhe shembullin e “Tirana Ekspress”, qendër rinore që u themelua në vitin 2011 dhe që u shkatërrua në 2013-n. I pyetur nga të rinjtë se cilat ishin shkaqet e kësaj prishje ai u përgjigj thjesht: “U prish për t’u ndërtuar Bulevardi i Tiranës”.
Ajo çfarë mungon në Shqipëri, është shembulli pozitiv. Përpos kësaj, të rinjtë kanë nevojë për mbështetje, për siguri nga institucionet shtetërore.
Elian Stefa, në fjalën e tij e vuri theksin tek ato që ai i quajti “Shtyllat e krijimtarisë”. Në pesë shtyllat e krijimtarisë ai radhiti: lirinë, bashkimin, fuqinë, vlerësimin dhe vazhdimësinë. Këto pesë shtylla, sipas Stefës, janë thelbësore për të arritur synimet dhe për të vënë në zbatim projektet. Ai solli eksperiencën e tij, pasi për shumë vite kishte jetuar në Toronto. Ai tregoi se si të rinjtë ndërmerrnin nismat vetë, nëpërmjet bashkimit dhe vetëorganizimit. Nëpërmjet kësaj eksperience, ai kërkoi t’u tregonte të rinjve që idetë mund të vihen në zbatim, nëse arrijmë të plotësojmë këto 5 përbërës të sipërpërmendur, pasi mbi këto shtylla mbështetet edhe suksesi i të rinjve.
Për gazetën “Shëndet+” ai shpjegoi se të rinjtë shqiptarë do ta kapërcejnë krizën kulturore në të cilën ndodhen, pasi ka shumë të rinj të cilët kanë shumë krijimtari brenda vetes. Kanë vetëm problemin që nuk e ekspozojnë atë krijimtari dhe nuk kanë mështetjen e duhur për ta bërë këtë. Një nga mënyrat mund të jetë edhe interneti apo mediat sociale. Nëpërmjet tij mund të ekspozohen idetë dhe projektet që shumë të rinj kanë në kokë.
Pas një pushimi të shkurtër aktiviteti rinisi sërish me referimin e Ervin Qafmollës. Ai u shpjegoi të rinjve shembuj të ndërgjegjësimit të individëve nëpërmjet formave të ndryshme të komunikimit. Qafmolla u ndal në format më të përhapura midis të rinjve, si: facebook, youtube dhe media konvecionale. “Në bazë të komunikimit qëndron aftësia për të përcjellë një mesazh. Nëse duam të komunikojmë dhe të kemi një rezultat, duhet të dimë se çfarë po themi, duhet të dimë se cilës audiencë po i drejtohemi”, tha ai.
Pas kësaj të rinjtë u drejtuan drejt një salle ku do të shikonin dokumentarin e përgatitur për këtë rast.
Në mbrëmje, rreth orës 21:00 u mbajt një koncert me grupe të ndryshme muzikantësh të rinj, ku herë pas here jepeshin mesazhet kryesore si nevoja dhe rëndësia e madhe për të investuar tek të rinjtë, pasi ata janë burim inovacioni, krijimtarie, energjie, dhe një forcë për ndryshime shoqërore pozitive.
Problemet e sotme të rinisë shqiptare
Në problemet që prekin më tepër rininë shqiptare sot mund të përmendim:
Sjelljet seksuale të të rinjve, të cilat mund të çojnë në probleme të mëdha shëndetësore, kur ato kryhen në kushte të pambrojtura. Pikërisht, ulja e niveleve të infeksionit të HIV është e përfshirë edhe në vizionin e UNFPA-së.
Një problem shumë i rëndësishëm është edhe ushqyerja dhe aktiviteti fizik tek të rinjtë.
“Të rinjtë shqiptarë janë dembelë”. Kështu u shpreh një nga vajzat pjesëmarrëse, e cila njëkohësisht punonte në një nga dyqanet e ushqimit të shpejtë në Tiranë. “Të rinjtë shqiptarë rrinë vetëm me telefona nëpër duar, përtojnë edhe të shkëmbejnë biseda nëpër kafe. Kjo është një e vërtetë e vënë re këto kohët e fundit. I trembem atyre ditëve kur teknologjia do t’i tejkalojë ndërveprimet njerëzore…”.
Si çelës për të mobilizuar të rinjtë shikohet mundësia që të gjesh çështje për të cilat ata kanë interes dhe për të cilat ia vlen që të shpenzojnë kohën dhe energjinë e tyre. Të rinjtë kanë dëshira, pasione, por ajo çfarë u mungon është mbështetja nga institucionet përkatëse. Shpeshherë nismat e tyre frenohen.
Institucionet përgjegjëse duhet që të jenë bashkëpunëtorë e mbështetës, duke i udhëzuar dhe duke punuar paralelisht me të rinjtë, pasi pjesëmarrja e tyre është thelbësore, idetë e të rinjve janë supreme.
Shoqëria jonë i ka trajtuar dhe vazhdon t’i trajtojë të rinjtë si marrës pasivë të informacionit dhe jo si pjesëmarrës aktivë në jetën e komitetit. Është paradoksale të thuhet që të rriturit janë pengesa më e madhe e të rinjve, pasi është e provuar dhe shembujt që u sollën në takim e vërtetuan edhe më tepër se kur të rinjtë njihen si burim dhe u jepet rol drejtuesish, projektet janë më të prirura për sukses.
Institucionet e vendit dhe partitë politike përveçse nuk i kanë ndihmuar të rinjtë të zhvillojnë aktivitetet e tyre, i kanë shfrytëzuar ata gjatë fushatave si imazh zbukurues me synim përfitimin e votave të tyre. Pikërisht për të luftuar të gjitha këto të vërteta, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë iu bë thirrje edhe një herë të rinjve që të vënë në zbatim idetë e tyre, projektet dhe të shpalosin të gjitha energjitë pozitive duke sfiduar turpin, stigmën, paragjykimet, dhe të kapërcejnë të gjitha ato pengesa që mund të vijnë nga instanca të caktuara, duke treguar që fuqia dhe fjala e tyre vlen.
Ban Ki-Mun: 20% e të rinjve vuajnë nga probleme të shëndetit mendor
Dita Ndërkombëtare e Rinisë ishte në vëmendje të shumë figurave të njohura, si: Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun i cili në deklaratën e tij solli në vëmendje një botim të ri nga Kombet e Bashkuara që tregon se çdo vit 20% e të rinjve në botë vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Stigma dhe turpi janë problemi më i madh që kërkojnë edhe mbështetjen e duhur. Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Rinisë, Kombet e Bashkuara dëshirojnë të ndihmojnë të rinjtë që të dalin nga “dhomat e izolimit” dhe të heshtjes.
Pengesat mund të jenë të mëdha, veçanërisht ku çështja e shëndetit mendor është injoruar dhe ka mungesë investimesh në këto shërbime.
Të rinjtë, të cilët janë më të prekur janë fëmijët të cilat kanë probleme të ndryshme, si fëmijët e pastrehë, të rinjtë jetimë. Të rinjtë që kanë pasur më shumë pengesa shpesh janë më të ndjeshëm ndaj stigmës dhe pengesave të tjera, duke i lënë në mëshirë të fatit, kur ata kanë më tepër nevojë për mbështetje.
Ban Ki-Mun e mbyll deklaratën e tij në këtë ditë, duke u shprehur se arsimimi është shumë i rëndësishëm në reduktimin e stigmës. Shëndeti mendor është ajo çfarë ne ndiejmë, emocionet tona. Le t’u mundësojmë të rinjve kushte të përshtatshme për të realizuar potencialin e tyre .
Drejtori i UNFPA-së, Dr. Babatunde: Vetëvrasja, shkak kryesor i vdekjes së të rinjve
Të rinjve në këtë ditë u është drejtuar edhe drejtori ekzekutiv i UNFPA-së, i cili ndër të tjera tha se shëndeti mendor i të rinjve është injoruar në masë të madhe. Vetëvrasja është një ndër shkaqet kryesore të vdekjes në mesin e të rinjve në mbarë botën. Ndaj në këtë Ditë Ndërkombëtare të Rinisë deklarohen “Çështjet e shëndetit mendor”.
“Të rinjtë të cilët jetojnë me aftësi të kufizuara të shëndetit mendor janë të përjashtuar nga jeta e komunitetit dhe u është mohuar e drejta që të jenë vendimmarrës në çështje që ndikojnë në jetën e tyre. Komuniteti Ndërkombëtar ka shumë për të bërë që të përmbushë detyrimet e saj në çështjet e shëndetit mendor. Ne duhet të sigurojmë kushtet për të parandaluar, diagnostikuar dhe trajtuar çështje të shëndetit mendor”, tha drejtori ekzekutiv i UNFPA.
UNFPA-ja është duke operuar në 150 vende të botës që të sigurojë që adoleshentët dhe të rinjtë të kenë kushte për të zhvilluar aftësitë e njohuritë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë të drejtat e tyre, si dhe po përpiqet që zërat e të rinjve të dëgjohen dhe të përfshihen në planet dhe politikat e zhvillimit.
Shpresojmë që aktivitetet e organizuara në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë të rrisin ndërgjegjësimin mbi këtë temë të rëndësishme dhe të nxjerrin në pah individë të rinj, të cilët kanë zgjedhur të flasin për këto çështje, të tejkalojnë stigmën dhe diskriminimin dhe të flasin hapur për shërbimet dhe mbështetjen për të cilën ata kanë nevojë.
Dita Ndërkombëtare e Rinisë
Dita Ndërkombëtare e Rinisë është më 12 gusht të çdo viti. Ajo është caktuar nga Kombet e Bashkuara si e tillë në vitin 1999 dhe përkujtohet çdo vit. Është menduar si një mundësi për qeveritë dhe vendet që të tërheqin vëmendjen për çështjet rinore në mbarë botën.
Dita Ndërkombëtare e Rinisë fokusohet në të drejtat e këtyre të rinjve që të kenë mundësi të plota për arsimim, kujdes shëndetësor të përshtatshëm, mundësi punësimi, shërbime financiare dhe pjesëmarrje të plotë në jetën publike.
UNFPA, mbështetje të rinjve
UNFPA ishte mbështetësja e këtij organizimi, duke treguar edhe një herë që në fokus të kësaj organizate qëndrojnë të rinjtë. Problemet, të cilave u adresohet UNFPA-ja, kanë të bëjnë me shëndetin riprodhues, barazinë gjinore, nxitjen e angazhimit të djemve, fuqizimin e vajzave dhe të të rinjve dhe zgjedhje të informuara në jetë duke krijuar dhe forcuar aftësi të mira për jetën. Është e njohur tashmë fushata “Show your selfie” e mbështetur nga UNFPA, e cila mbështet dhënien përparësi të nevojave dhe të drejtave të të rinjve në axhendën ndërkombëtare të zhvillimit pas vitit 2015. Çdo i ri ka mundësinë të dërgojë foton e saj/tij selfie në #showyourselfie dhe të bëhet pjesë e peticionit të madh global për të rinjtë që do t’i paraqitet sesionit të ardhshëm të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në shtator të këtij viti.
UNFPA-ja promovon të drejtat e çdo gruaje, burri dhe fëmije për të gëzuar një jetë të shëndetshme dhe me mundësi të barabarta, duke përdorur të dhënat mbi popullsinë në hartimin e politikave dhe programeve për uljen e varfërisë dhe për të bërë të mundur që çdo shtatzëni të jetë e dëshiruar, çdo lindje të jetë e sigurt, çdo i ri dhe e re të jetë i mbrojtur nga HIV\AIDS dhe çdo vajzë dhe grua të trajtohet me dinjitet dhe respekt.


