Shëndeti mendor te fëmijët, çfarë duhet patur kujdes

Ekspertët e shëndetit mendor hasin disa vështirësi në identifikimin e problemeve të shëndetit mendor te fëmijët.  Arsyeja është se fëmijët janë ndryshe nga të rriturit, pasi ata përjetojnë shumë ndryshime fizike, mendore dhe emocionale gjatë procesit natyral të rritjes dhe zhvillimit. Ata janë gjatë gjithë kohës në proces mësimi dhe përshtatjeje me të tjerët dhe me botën rreth tyre.

Më tej, çdo fëmijë maturohet dhe gjen paqen me veten, duke u futur në një gamë më të gjerë sjelljesh dhe aftësish. Për këto arsye, për çdo diagnostikim të çrregullimeve mendore merret në konsideratë sjellja e fëmijës në shtëpi, familje, shkollë dhe se si sillet me të tjerët. Gjithashtu merret në konsideratë mosha si edhe simptomat.

Çrregullimet më të zakonshme

  • Çrregullimet e ankthit: fëmijët përgjigjen ndaj situatave të ndryshme me frikë, janë nervozë, djersiten shpesh dhe kanë rrahje të shpeshta të zemrës.
  • Hiperaktiviteti: fëmijët hiperaktivë kanë probleme me përqendrimin dhe vëmendjen, nuk ndjekin këshillat, mërziten shpejtë dhe irritohen nga detyrat, janë shumë impulsivë.
  • Çrregullimet emocionale: kjo kategori ka të bëjë me ndryshimin e vazhdueshëm e të shpejtë të emocioneve dhe të ndjenjave. Në këtë kategori përfshihen depresione dhe çrregullimi bipolar.
  • Skizofrenia: ky çrregullim ka të bëjë me shtrembërimin e perceptimeve dhe mendimeve.

Cilat janë simptomat e problemeve të shëndetit mendor te fëmijët?

Simptomat te fëmijët varen nga lloji i çrregullimit, por shenjat më të zakonshme janë:

  • Abuzimi me drogërat dhe alkoolin
  • Pamundësia për të përballuar problemet dhe aktivitetet e përgjithshme
  • Ndryshime të zakoneve të gjumit ose ngrënies
  • Shpërthime të shpeshta zemërimi
  • Hiperaktiviteti
  • Halucinacionet
  • Makthe të vazhdueshme

Nga çfarë shkaktohen problemet mendore?

Ende nuk dihet shkaku i saktë, por kërkimet shkencore sugjerojnë se kombinimi i disa faktorëve mund të jetë shkaku i krijimit të çrregullimeve. Këto faktorë janë:

  • Faktori gjenetik: shumë nga çrregullimet mendore janë të trashëgueshme nga prindi te fëmija me anë të gjeneve
  • Faktori biologjik: ashtu si te të rriturit, dhe te fëmijët disa çrregullime kanë të bëjnë me mosfunksionimin e pjesëve të caktuara të trurit të cilat kontrollojnë emocionet, mendimet, perceptimet dhe sjelljen. Ndonjëherë edhe dëmtimet e jashtme të kokës mund të çojnë në këto çrregullime.
  • Trauma psikologjike: Shumë çrregullime mendore mund të ngacmohen nga traumat psikologjike të rënda emocionale, fizike, abuzimi seksual, neglizhimi etj.
  • Stresi mjedisor: ngjarje stresuese ose traumatike mund te ngacmojnë krijimin e çrregullimeve në një person me mendje lehtësisht të cenueshme.

Si trajtohen problemet e shëndetit mendor te fëmijët?

Sëmundjet mendore, ashtu si çdo lloj sëmundje tjetër, kanë nevojë për trajtim të specializuar. Trajtimet me të zakonshme janë:

  • Medikamentet: mjeku psikiatër në bazë të nivelit të sëmundjes vendos mjekimin me medikamente.
  • Psikoterapi: psikoterapia është një nga trajtimet më të zakonshme dhe efikase. Psikiatri me anë të bisedave dhe të studimit të emocioneve e gjuhës së trupit, synon të gjejë burimin e problemit. Nga se është shkaktuar sëmundja, kur ka filluar edhe pse. Mbas gjetjes së burimit, psikiatri punon për të hequr shkaqet e krijimit të çrregullimit nga subkoshienca.
  • Terapia kreative: Kjo terapi synon që me anë të artit, lojërave, eventeve kreative, të nxisë shprehjen e emocioneve.

Nëse vëreni simptoma te fëmijët tuaj, sado të vogla të jenë ato, konsultohuni me psikologun. Ne këtë mënyrë fëmija rritet i shëndetshëm dhe parandalohen çrregullime mendore.

Burimi: WebMD / Përshtati në shqip: Markelian Hysa

 

 

Postime të ngjashme

5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit