Shenjat paralajmëruese të lambliazës (infeksioni i rrezikshëm i zorrëve)

Dr. Migena Qato, mjeke në shërbimin infektiv në QSUT

Lambliaza ndodh në kushtet e higjienës së varfër apo kontrollit inadekuat të ujit të pijshëm. E parë nga ky këndvështrim lambliaza është shkaku kryesor i diarresë së udhëtarëve, një kondicion klinik kaq shumë i përhapur. Lambliaza ngelet ende shkaku me i shpeshtë i diarresë në kolektivat e fëmijëve (duke u ekspozuar fëmijët, ekspozohen gjithashtu familjarët e tyre, punonjësit e çerdheve apo kopshteve). Gjithashtu personat që aplikojnë sporte në natyrë dhe konsumojnë ujë nga liqenet apo burime të tjera natyrore janë të riskuar për t’u infektuar.

Manifestimet klinike
Periudha e inkubacionit është 1-4 javë. Në pjesën më të madhe të pacientëve sëmundja është vetëkufizuese dhe zgjat 2 deri 4 javë. Por në shumë pacientë të patrajtuar, sëmundja mund të vazhdojë muaj deri në vite me simptoma e vazhdueshme. Disa pacientë shërohen nga ky infektim (me ose pa trajtimin e duhur) po simptomat vazhdojnë, madje për një kohë të gjatë. Këto simptoma asociohen me të ashtuquajturën Sindromi i Zorrës së Irrituar post infektive. Shkaqet ende nuk njihen mirë, por një hipotezë e mirë për këtë sindromë është disbakterioza e florës intestinale që vijon pas infeksioneve.

  • Shumica e individëve të prekur nuk paraqesin shenja klinike (sidomos fëmijët); këta pacientë zbulohen rastësisht gjatë në ekzaminimi rutinë të feçes që bëhet në terren të ndonjë sëmundjeje tjetër, si për shembull kur kërkojmë shkakun e një anemie që në rastin konkret është pasojë e mbartjes së këtij paraziti në zorrë.
  • Çrregullime të traktit tretës (meteorizëm, dhimbje barku, veçanërisht ajo epigastrike, nauze, të vjella, shkarkime diarreike disa herë në ditë, sidomos në mëngjes, me feçe të bollshme, të verdha e me erë të keqe.
  • Malabsorbimi është një tjetër manifestim që vjen si pasojë e dëmtimit të enterociteve. Probleme në thithjen e lëndëve ushqyese e sidomos të vitaminës B12 duke shkaktuar rënie në peshë dhe dobësim të organizmit dhe për pasojë anemizimin e organizmit.
  • Përveç kësaj klinike mjaft specifike, nuk janë të pakta rastet me temperaturë subfebrile të zgjatur (temperaturë që shkon deri në 37.5 gradë C).
  • Shumë pacientë kanë fenomene të shprehura alergjike, siç janë urtikariet. Kjo vjen si rezultat i çlirimit të toksinave alergjizuese (substanca alergjizuese) nga paraziti e që mund të shkojnë deri në kriza astmatike.
  • Gjithashtu kemi ndeshur në praktikën tonë të përditshme edhe raste me simptoma nervore që shoqërohen me lipotimi (gjendje të fikëti), ngacmueshmëri e tepruar nervore, kriza epileptike apo edhe shenja të ndryshme psikotike (pacientët ankohen se u lëviz lamblia në sy apo u del nga veshët etj).
  • Kur lamblia përqendrohet kryesisht në rrugët e tëmthit situata është më komplekse. Në këtë rast fshikëza e tëmthit është një terren mjaft i përshtatshëm për shumimin e parazitëve dhe shërben si depo për to. Në këto raste pacientët ankojnë për të vjella dhe hidhërim të gojës, të përziera sidomos në mëngjes kur zgjohen nga gjumi, dhimbje në anën e djathtë të barkut që korrespondon me tëmthin dhe mëlçinë. Këto raste mund të shkojnë deri në hepatite dhe janë ndër format më të vështira sa i takon mjekimit të tyre, i cili është mjaft kompleks.

Postime të ngjashme

3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore