Elona Tereziu, shendeti.com.al
Ndërkohë që kostoja e shërbimit oral sa vjen e rritet, pacientët kanë filluar të kërkojnë për forma alternative mjekimi. Një ndër to është Klinika Stomatologjike Universitare në QSUT. Në këtë klinikë studentët e stomatologjisë zhvillojnë orët e tyre të praktikës nën mbikëqyrjen e pedagogëve dhe shërbimi ndaj pacientëve është falas.
Ndonëse pak njerëz e dinë që shërbimi dentar këtu ofrohet falas, të tjerë janë klientë të rregullt prej vitesh. Një ndër ta është dhe nënë Shemsija, një pensioniste që vjen vazhdimisht këtu. Teksa e pyesim nëse ndihet e sigurt që e lë veten në duart e studentëve, na thotë: “Pse klinikat private nga dolën? Pastaj keq a mirë, unë kam për të bërë tre mbushje. Po të shkoja në klinika private nga 3000 lekë për dhëmbë minimalisht, çfarë do më ngelte nga pensioni mua?”
Ndërkohë që një tjetër zonjë ka sjellë dy fëmijët e saj dhe na tregon se këtu ka ardhur për më lirë. “Kam dy fëmijët, do t’u vendos tela”. Sa kushton kjo procedurë këtu? “Po të thjeshtat nuk shkojnë më shumë se 8000 lekë, ndërsa në një klinikë private diku te 20.000 lekëshi besoj.”
Teksa pyesim doktoreshë Merita Bardhoshin, pedagoge prej 25 vitesh, se pse pacientët zgjedhin të vijnë këtu na shprehet: “E para për profesionalizëm. Këtu punon stafi më i mirë pedagogjik që mund të ekzistojë në shqipëri. Dhe e dyta është faktori ekonomik.”
Përsa i përket grupmoshave që zgjedhin të mjekohen këtu, doktoresha thekson: “Të gjitha grupmoshat. Që nga fëmijët e gjer te moshat e mëdha 80-85, madje gjer në 87 vjeç kam pasur pacientë.”
Ndërkohë që mundësia për të zënë radhë është pjesa më e vështirë. Doktoreshë Merita na thotë se ka një fluks të lartë të pacientëve. Vetëm në repartin e Kirurgjisë ku ajo punon, vijnë mbi 15 pacientë në ditë.
Shërbimet që ofrohen falas janë: Shërbimi i kirurgjisë, shërbimi i terapisë dhe shërbimi i fedontropisë. Ndërsa shërbimi i vetëm për të cilin paguhet është ai i ortopedisë.

