Pavarësisht epidemisë së COVID-19, qytetarët kanë nevojë edhe për shërbime të tjera shëndetësore. Konsultat online u panë si zgjidhje e përshtatshme nga ministria e Shëndetësisë, për të mos ndërprerë këto shërbime dhe duke shmangur njëkohësisht mundësinë e kontaminimit nga COVID-19.
“Konsulta online ka qenë totalisht efektive, fakti që çdo konsultë është bërë me telefon ka shmangur fluksin edhe te 127, kjo gjë ka bërë shumë mirë se ka shmangur mundësinë e kontaminimit. Është realizuar me sukses dhe vazhdon mbi 80 % të të sëmurëve kronikë kanë marrë receta 6 mujore, dhe për të moshuarit ilaçet u janë çuar në banesë, mbahet një kontakt periodik me pacientët”, tha Bruna Shiroka, mjeke familje.
Por, përveç konsultave online në qendër nuk ka munguar edhe ndjekja e shtatzënive dhe vazhdimi normal i vaksinimit të fëmijëve.
“Për të shmangur hyrjen e pankontrolluar të pacientëve për gratë shtatzëna dhe vaksinim ua lëmë me orare. Kemi vendosur ditë të veçanta për vaksinimin lajmërojmë prindërit, vazhdojnë dhe komisionet mjeko-ligjore me afate të reduktuara”, tha ajo.
Sipas mjekes, Bruna Shiroka, orari i qendrave shëndetësore vazhdon i njëjtë si më parë, por ka ndryshuar vetëm mënyra e punës dhe mjekët tanimë nuk kanë turne të mirëfillta.
“I vetmi ndryshim është që turni i dytë bën vetëm vlerësime të kartelave dhe komunikim telefonik. Qendra shëndetësore qëndron hapur gjatë këtij orari, tani nuk ka me turne sepse mjekët janë non stop me anë të telefonit”, shtoi ajo.
Ndërkaq, shërbimet mjekësore të cilat janë pezulluar në kushtet e pandemisë së COVID-19 janë ndërhyrjet kirurgjikale të planifikuara dhe shërbimet e klinikave dentare, urgjencat e të cilave bëhen vetëm në qendrën stomatologjike shtetërore.

