“Nevojat shëndetësore të grave dhe adoleshenteve shpesh neglizhohen në adresimin e katastrofave humanitare dhe konflikteve në të gjithë botën, edhe pse jeta apo vdekja e grave dhe vajzave në një krizë shpesh varet nga aksesi në shërbimet bazë të shëndetit seksual dhe riprodhues, si ekzistenca e mamive apo parandalimi i HIV”, thotë raporti i ri i prezantuar më 7 dhjetor 2015 nga UNFPA, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë.
Raporti Gjendja e Popullsisë së Botës 2015, “Të gjesh Strehë prej Stuhisë”, tregon se nga 100 milionë njerëz në nevojë për ndihmë humanitare sot në të gjithë botën, rreth 26 milionë janë gra dhe vajza adoleshente në vitet e tyre të riprodhimit.
Shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhues, kritike për shëndetin dhe mbijetesën e grave dhe adoleshenteve, mungojnë tamam atëherë kur ato kanë nevojë më shumë për to, thotë raporti. Tre të pestat e vdekjeve amtare sot ndodhin në vendet e konsideruara si të brishta për arsye të konflikteve apo katastrofave. Shtatzënia dhe lindja e fëmijëve vret ҫdo ditë 507 gra në këto kushte krizash.
“Shëndeti dhe të drejtat e grave dhe adoleshenteve nuk duhen trajtuar si një gjë dytësore në përgjigjet ndaj krizave humanitare,” thotë Drejtori Ekzekutiv i UNFPA-së, Dr. Babatunde Osotimehin. “Për një grua shtatzënë që do të lindë një fëmijë apo për një vajzë adoleshente që i ka mbijetuar dhunës seksuale, shërbimet shëndetësore jetëshpëtuese janë po aq jetike sa edhe uji, ushqimi apo strehimi.”
Pa mbrojtjen e zakonshme të familjes apo komunitetit, gratë dhe adoleshentet janë më të rrezikuara nga dhuna seksuale, shtatzënitë e padëshiruara apo infeksionet seksualisht të transmetueshme, si HIV. Nevojat bazë për të pasur një lindje të sigurt, për planifikim familjar apo për kujdes të shëndetit riprodhues plotësohen shumë rrallë, kur gratë dhe vajzat adoleshente shkëputen nga sistemet shëndetësore rutinë.
“Të kesh mjetet për të parandaluar një shtatzëni apo për të qenë e sigurt nga dhuna seksuale – këto janë të drejta themelore të njeriut,” tha Dr. Osotimehin. “Të drejtat nuk zhduken dhe gratë nuk ndalojnë së bëri fëmijë kur ndodhin kriza apo katastrofa.”
Për arsye se sot ka kaq shumë konflikte dhe katastrofa në botë, UNFPA po shton gjithnjë e më tepër shërbimet e saj në kushte krizash, tregon raporti. UNFPA i është përgjigjur krizave në 38 vende gjatë vitit 2015.
Mbrojtja e të drejtave dhe shëndetit të grave dhe adoleshenteve është jo vetëm kritike për të shpëtuar nga stuhitë në përkeqësim të luftrave dhe katastrofave natyrore, por edhe mund të përshpejtojë ripërtëritjen pas krizave, tregon raporti i UNFPA. Atyre u duhet një strehë gjithnjë e më e mirë, më e fortë dhe më e ripërtëritur për t’i shpëtuar stuhive që rrezikojnë shëndetin, të drejtat dhe të ardhmen e tyre.
Streha aktuale, sipas raportit të UNFPA, është e pamundur t’i mbrojë të gjithë ata që kanë nevojë.
Në 2014-n, për shembull, Kombet e Bashkuara kërkuan një shumë rekord prej 19.5 miliardë dollarë për t’iu përgjigjur situatave humanitare në të gjithë botën, por u përballën me një mungesë rekord prej 7.5- miliardë dollarësh, duke lënë kështu në rrezik jetën dhe shëndetin e miliona njerëzve. UNFPA në 2015-n mori më pak se gjysmën e asaj që kërkoi për të plotësuar nevojat esenciale për shëndet seksual dhe riprodhues të grave dhe adoleshenteve.
Për arsye se kërkesa për ndihmë humanitare është shumë më e lartë se oferta, nevojitet një qasje e re, me më shumë fokus në parandalimin, përgatitjen dhe aftësinë për ripërtëritje të kombeve, komuniteteve, institucioneve dhe individëve. Një rrugë drejt aftësimit për t’u ripërtërirë sërish është një zhvillim përfshirës që mbron të drejtat e njeriut, përfshirë të drejtat riprodhuese, del në përfundim raporti.
“Qasja e të bërit biznes-si-zakonisht në ndihmën humanitare do të lërë shumë njerëz pas dore, në një kohë kur nevojat janë kaq të mëdha,” tha Dr. Osotimehin. “Na duhet të bëjmë një punë shumë më të mirë për të ndihmuar ata që janë më të rrezikuar, veçanërisht vajzat adoleshente. Por gjithashtu na duhet të bëjmë një punë shumë më të mirë për të investuar për një botë më të qëndrueshme, të aftë për të përballuar stuhitë që do vijnë.”
UNFPA punon për të krijuar një botë ku cdo shtatzëni është e dëshiruar, lindja e çdo fëmije është e sigurt dhe potenciali i çdo të riu është i realizuar.


