Kryefaqja Aktualitet Shërbimi për mirëmbajtjen e pastërtisë dhe të higjienës së mjedisit spitalor

Shërbimi për mirëmbajtjen e pastërtisë dhe të higjienës së mjedisit spitalor

0
Shpërndaje
Vera Beça
Vera Beça

Shefja e Shërbimit të Kujdesit Mjedisor, Dr. Vera Beça, me profesion mjeke mikrobiologe shpjegon se si arritën të krijojnë për herë të parë në vendin tonë këtë shërbim sipas të gjitha standarteve

Shërbimi i Kujdesit Mjedisor vjen për herë të parë në sistemin tonë shëndetësor pikërisht në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” falë mbështetetjes së Projektit të USAID “Mbështetje Reformës në Shëndetësi”. Ky shërbim vjen me një manual përdorimi të hartuar sipas të gjitha standarteve.

Shefja e Shërbimit të Kujdesit Mjedisor, Vera Beça, me profesion mjeke mikrobiologe shpjegon të gjitha hapat që janë ndjekur për krijimin e këtij shërbimi.

Krijimi i sektorit

“Me asistencën teknike që kemi pasur nga USAID-i, filluam menjëherë  punën në një grup pune për hartimin e planit të punës me qëllim krijimin e Shërbimit të Kujdesit Mjedisor.

“Filluam me një trajnim në spitalin “Hygeia” për të parë në mënyrë konkrete se si zbatoheshin standardet e këtij shërbimi. Më pas u përkushtuam në hartimin e manualit dhe sfida më e madhe ishte praktika në terren”, pohon Beça, duke shtuar se aprovimin e manualit ia paraqitën në radhë të parë drejtorisë dhe pas aprovimit nga drejtoria e spitalit, ia paraqitën edhe Ministrisë së Shëndetësisë me argumentet përkatëse për krijimin e Shërbimit të Kujdesit Mjedisor.

“Dikasteri i Shëndetësisë e miratoi dhe ne filluam menjëherë nga puna, – thotë Beça. – Kjo strukturë e re ka në përbërje shefin e shërbimit dhe 3 supervizorë të cilët i kemi ndarë sipas zonave me risk dhe pikërisht: zona me risk të ulët, të mesëm dhe të lartë. Këto zona kanë nga një supervisor i cili bën veprimet sipas standardevete percaktuara ne manual për secilën zonë. P.sh. zona me rrezik të lartë janë parashikuar salla e lindjes, laboratorët e analizave, salla e operacionit. Në këto zona pastrimi duhet të jetë intensiv dhe në çdo detaj”.

Detajet e shërbimit

“Punonjësi që merr turnin dhe hyn për të pastuar në një ambjent ka si detyrë të zbatojë procedurat përkatëse të shkruara në manual për çdo detaj, si p.sh.: nëse po pastron një sallë lindje do të ndjekë procedurën përkatëse të pastrimit, e cila nuk është e njëjtë me mënyrën e pastrimit të një dhome pacienti. Gjithashtu punonjësi i kujdesit mjedisor duhet të raportojë edhe defektet teknike që mund të hasë gjatë punës”, tregon Beça duke theksuar bashkëpunimin me degën teknike mbi kujdesin mjedisor.

Në këtë shërbim është e rëndësishme edhe etika e veshjes së personelit. Në manual janë përcaktuar të gjitha detajet që kanë të bëjnë me etikën e stafit mjekësor. “Duhet ta dijë i gjithë stafi që punon në një institucion shëndetësor që paraqitja e jashtme është ajo që krijon te pacienti përshtypjen e parë ndaj kujdesit që po i ofrohet. Të gjithë në një ambjent të pastër dhe me rregull do të ndiheshim mirë si në rolin e ofruesit të kujdesit shëndetësor dhe në rolin e marrësit të këtij shërbimi”, thekson mjekja.

Larja e duarve

Më tej ajo shpjegon se në të gjithë maternitetin bashkë me fletëpalosjen është vendosur edhe një poster mbi lavaman që tregon mënyrën e larjes së duarve dhe se si  duhet t’i ketë duart një punonjës në maternitet, si p.sh.: pa unaza me gurë në duar, pa thonj të gjatë, pa aksesorë nëpër duar etj, sepse duart e stafit mjekësor janë ato që komunikojnë me pacientin.

“Mendojmë që të përcjellim tek pacienti më shumë siguri dhe besim në kujdesin shëndetësor që i ofrohet në spitalin tonë.

Detyrat

Një pikë tjetër e rëndësishme në manual është edhe ndarja e detyrave, domethënë ndarja e detyrës së punonjësve të kujdesit mjedisor nga detyrat për të cilat është përgjegjëse mamia dhe infermierja.

Shefja e Kujdesit Mjedisor, Vera Beça, shpjegon se deri tani sanitarja ishte ndihmëse e pacientit për ta shoqëruar me bagazhe apo edhe për ta shoqëruar në tualet etj. “Tashmë e kemi ndarë që Shërbimi i Kujdesit Mjedisor nuk ka si detyrë t’i shërbejë pacientit, por ka si detyrë t’i shërbejë vetëm mjedisit”, thotë ajo.

Listë kontrolli

Këto lista janë sipas të gjitha shërbimeve dhe në këto lista janë të nënshkruara sipas standardeve të gjitha proceset të cilat duhet të ndiqen hap pas hapi me detaje për objektet dhe aksesorët dhe supervizorja që ka turnin, bën kotrollin sipas listës.

Aurora Bajraktari
Aurora Bajraktari

Bajraktari: Sfidat që ndeshëm në zbatimin e manualit 

Procesi i zbatimit të Manualit të Kujdesit Mjedisor ka pasur vështirësi dhe sfida. Aurora Bajraktari, infermiere e Njësisë së Kontrollit të Infeksioneve, shpjegon se kjo nismë nuk ishte e lehtë të zbatohej me përpikmëri që në hapat e parë të saj. “Në fakt, na dolën shumë sfida përpara dhe kjo fillonte që me infrastukturën e spitalit, por edhe me mentalitetin që ishte krijuar më parë. Ka edhe disa standarde të cilat nuk u arritën, por jemi duke i përmirësuar. Megjithatë më e rëndësishme është që Shërbimi i Kujdesit Mjedisor u krijua si një departament më vete, si gjithë shërbimet e tjera”, thekson Bajraktari duke shtuar se kjo praktikë që po ndjekin, po i ndihmon shumë në reduktimin e infeksioneve spitalore.“Tashmë vihet re ndryshimi dhe ne po përpiqemi për një higjienë gjithnjë e më të mirë në çdo pjesë të spitalit tonë. Është më pak e kushtueshme të parandalosh se të mjekosh”.

 

Blenard Nonaj
Blenard Nonaj

Drejtori Nonaj: Masat që morëm për të ulur infeksionet spitalore

“Duhet të fillojmë edhe me rregullimin e  kushteve të mjekëve. Nëse bluzat e bardha nuk ndihen mirë në punën e tyre, as shërbimi ndaj pacientëve nuk është cilësor”

“Krijimi për herë të parë i Shërbimit të Kujdesit Mjedisor në maternitetin tonë është mundësuar falë projektit “Mbështetje Reformës në Shëndetësi” mbështetur nga USAID”. Kështu u shpreh drejtori i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, Blenard Nonaj, i cili pohon se ngritja e këtij shërbimi do të ulë përqindjen e infeksioneve spitalore. Kemi pasur ndihmë në çdo hap nga projekti duke filluar që nga njohja e stafit me praktikat më të mira, asistencë teknike në hartimin e manualit dhe tani presin që gjithshka të plotësohet me asistencën materiale të paisjeve të cilat do ta çojnë shërbimin e ofruar nga ky shërbim në standardet bashkëkohore.

“Sapo mora detyrën si drejtor, bëmë një matje të ngarkesës mikrobike në maternitet. Duhet të dinim se çfarë lloj infeksionesh kishte në matenitet si për sallën e lindjes, sallën e gjinekologjisë, sallën e operacionit dhe të të gjitha shërbimeve. Rezultatet treguan se kishte një rritje të ngarkesës mikrobike”, pohon drejtori Blenard Nonaj duke shtuar se për të përmirësuar situatën u morën disa masa.

“Filloi një pastrim intensiv me detaje, sidomos në disa shërbime të veçanta si salla e operacionit, sallat e lindjes dhe ambjeteve të tjera. U morën disa masa, si për shembull: ndalimi rreptësisht i hyrjes së mjekëve me këpucë në sallat e operacionit dhe sallat e lindjes etj”, thotë Nonaj.

Sipas tij, u vu re një ndryshim nga më parë dhe pasi u bënë matjet e nivleit të ndotjes mikrobiologjike ne ambjente, ato ranë deri në 20 përqind.

Prioritetet

“Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” është një maternitet për të cilin mendoj se gjërat deri më sot kishin funksionuar 50% me 50 %. Duhet të theksoj se nuk duhet të shohim vetëm fasadën, por edhe brendësinë e gjërave”, thotë drejtori Blenard Nonaj, i cili nuk lë pa përmendur edhe problematikat që mund të ndeshen në institucionin që drejton.

“Ky institucion ka probleme me aparaturat dhe këto janë shumë të rëndësishme, sepse janë mall konsumi. Ka rreth 15 vjet që nuk janë blerë aparatura të reja. Strategjia ime si fillim është të rregullojmë pjesën e aparaturave dhe këtë po përpiqemi ta sigurojmë në disa rrugë. Po bashkëpunojmë edhe me Ministrinë e Shëndetësisë për një shpërndarje më të mirë në mënyrë që një pjesë e aparaturave në disa rrethe të cilat nuk shfrytëzohen, të sillen në maternitetin tonë. Kemi një anë të mirë, sepse nuk kanë munguar medikamentet dhe besoj se do ta vazhdojmë këtë rrugë”, shprehet Nonaj.

Ndërkohë ai thekson se po punojnë për të rritur kapacitetin e kualifikimit të mjekëve.

“Duhet të fillojmë edhe me përmirësimin e kushteve të mjekëve. Nëse bluzat e bardha nuk ndihen mirë në punën e tyre, as shërbimi ndaj pacientëve nuk është cilësor. Në radhë të parë duhet filluar me kushtet e punës së mjekëve, nga ku kemi filluar me dhomat e tyre”, thotë drejtori.

Ndërkohë shpjegon se po përpiqen të shtojnë edhe dhomat e pacienteve, pasi 83 shtretër janë për pjesën e lindjeve dhe këto nuk janë mjaftueshëm ku brenda 24 orëve mesatarisht ka 20 lindje dhe Tirana po shkon në rreth 1 milion banorë. Ndaj lind nevoja e shtimit të shtretërve dhe po shqyrtohet ndonjë mundësi për këtë.

Mamia Saida: Pastrimin e bëjmë sipas protokollit

Veprimet e saj duken të përpikta. Mban në dorë dorezat dhe pastrimin e bën në mënyrë shumë korrekte. Sot mamia Saida Shera ka turnin pikërisht në repartin e obstetrikës. “Sot jam mamia e sallës së lindjes dhe jam në detyrë. Duhet ta përgatisim sallën në çdo detaj me korrektësi dhe pastërti maksimale. Çdo të mërkurë këtu merret material për të parë ndotjen mikrobike të sallës dhe të gjitha veprimet tona janë me protokoll”, pohon mamia.

Nëna Eglantina: “Kisha frikë para se të vija, por tani mendoj ndryshe”

Ajo duket shumë e lumtur tek mban foshnjën në gji. Megjithatë, gjen pak minuta që të na japë edhe ne informacion. Eglantina ka lindur fëmijën e dytë në këtë maternitet. “Para se të shtrohesha kisha një mendim tjetër gati në frikë për të ardhur këtu. Tani mund të flas ndryshe. Vë re përkujdesjen nga stafi dhe jam me foshnjën time në një mjedis të pastër. E them sërish se e kisha me frikë të vija, aq sa doja të merrja edhe çarçafët nga shtëpia dhe këtë e kisha nga përvoja, sepse kam edhe një djalë më të madh 4 vjeç dhe kur bëj krahasimin atëherë me tani, është shumë ndryshe”, pohon ajo.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here