Nga dr. Sami Galanxhi
Bamja ka vlera të larta ushqimore dietetike e mjekësore dhe duhet të shfrytëzohet në forma e mënyra të ndryshme përgjatë gjithë vitit në ushqimin e njeriut të shëndoshë, si: sallatë, supëra, gjellëra, konserva.
Bamja rekomandohet si ushqim dhe lëndë dietetike e njëkohësisht në sëmundje të organizmit të njeriut: si gjellë, lëngje, infuzione e shurupe, bamjet rekomandohen në mjaft sëmundje të traktit tretës:
Në gastrite, ulcera gastro-duodenale, në kolite, enterekolite, gastro entero-kolite, në kolite ulceroze, në pareza intestinale, në fisura anale, në hemorroide dhe në patologji të tjera që shoqërohen me konstipacion, fryrje barku dhe treteje të vështirë, sepse bamjet shtojnë lëngjet tretëse dhe të tëmthit, zhdukin spazmat dhe lehtësojnë eliminimin e gazeve, fekaleve dhe lëndëve toksike me traktin tretës duke qetësuar dhembjet e forta të detektimit.
Bamjet si lëngje dhe ushqime rekomandohen edhe për profilaksi e mjekim edhe të sëmundjeve të mëlçisë së zezë dhe rrugëve të tëmthit, si dhe të aparatit urinar, sidomos të fshikës urinare, duke favorizuar eliminimin e lëndëve toksike me aparatin hepat-biliar dhe me aparatin uro-genital.
Gatesat e bamjes tregojnë veprim diuretik-detoksikues mbi këto aparate, si edhe mbi aparatin respirator. Në të gjitha këto raste rekomandohet ushqim i tepërt me bamje të vetme ose të kombinuara dhe me perime- zarzavate të tjera.
Kjo dietë shfrytëzohet gjerësisht edhe në mjekësinë popullore shqiptare, por edhe të huaj si bullgare-ruse-kineze, e rekomandohet veçanërisht për moshën e thyer me konstipacion (kapsllëk) kronik.
Lëngu dhe bamjet e freskëta, të njoma, të thara ose të konservuara shfrytëzohen gjerësisht si lëndë ushqimore- dietetike e mjekësore me veti emoliente-mucilagonoze-pektinike e zbutëse edhe në sëmundjet e aparatit respirator: në katare, faringite, laringjite, ngjirje zëri, në trakte, në bronkite e madje në tuberkuloz etj, që shoqërohen me kollë e gëlbazë, me shtrëngime e spazma të traktit respirator, sepse gatesat e bamjes zbusin dhe nxjerrin lehtësisht gëlbazën, duke sjellë përmirësim të gjendjes së pacientëve dhe detoksikim të organizmit, përmirësim të frymëmarrjes.
Për të gjitha rastet lëngu i bamjeve jepet 3 herë në ditë nga 1-3 lugë kafeje, 3 herë në ditë nga 1 lugë gjelle, 3 herë në ditë nga 1 filxhan kafeje ose 3 herë në ditë nga 1 filxhan çaji (sipas moshës).
Lëngu mund të gatuhet sipas dëshirës: me pak kripë, me pak sheqer ose me pak mjaltë apo me pak gjalpë.


