Shiu kthehet në pronë shtetërore!

Seniora 2

Nga Rita Strakosha

Grumbullimi i ujit të shiut nëpër çatitë e ndërtesave private; përdorimi i sternave është një praktikë e vjetër e sigurimit të ujit në Shqipëri. Mjedisorët e shohin si një ndër praktikat më të qëndrueshme të menaxhimit të ujit, sidomos në vendet me klimë të thatë, ku çdo pikë uji vlen. Deri më sot shteti nuk ka ndërhyrë në këtë praktikë, madje as gjatë kohës së komunizmit, kur gjithçka tjetër mund të ishte e ndaluar.

shiuPor me ligjin e ri për menaxhimin e integruar të burimeve ujore është e ndaluar që në tokë private të ngrihen instalime artificiale për grumbullimin e ujit të shiut. Neni 40 i ligjit thotë se “Kushdo ka të drejtë të përdorë ujin e shiut që bie në tokë private, me kusht që ky ujë të mos jetë mbledhur në instalime artificiale”. Sipas nenit 41  të ligjit, duhet leje për përdorimin e ujit “kur ky realizohet me instalime të përhershme.”

Instalim artificial është sterna, është fuçia. Në nenin për sanksionet administrative, grumbullimi i ujit të shiut pa leje, megjithëse i ndaluar, nuk dënohet me gjobë.

Është i habitshëm ky qëndrim i shtetit ndaj këtij aktiviteti privat. Nëse të gjitha shtëpitë private në Shqipëri do të grumbullonin ujin e shiut, do të kishte më pak kërkesë tek ujësjellësit për ujë të pijshëm; familjet do të paguanin më pak për këtë shërbim. Do të kishte më pak erozion gjatë dimrit, e më shumë ujë në dispozicion gjatë verës.

ShiPor në vend që shteti ta nxisë, ai e kontrollon këtë praktikë. “Shiu pronë shtetërore” është doktrinë që aplikohet në disa shtete (kapitaliste) në botë. Kjo praktikë bazohet mbi parimin se uji është pronë publike, madje dhe kur gjendet në tokë private. Uji i shiut që grumbullohet në pronën private, është ujë që do t’i mungojë lumit, e lumi është pronë shtetërore. Kjo doktrinë sjell dhe një pasojë tjetër, që për këtë ujë duhet ta paguash shtetin, njësoj si për ujin që sjell ujësjellësi. Aktualisht nuk ka ndonjë tarifë të tillë, por nuk është çudi të ketë në të ardhmen.

Studime kanë treguar se efekti i grumbullimit të ujit të shiut në lumenjtë e përrenjtë do të ishte minimal. Kjo dëshirë e shtetit për të kontrolluar grumbullimin e ujit të shiut, pak shpjegim ka, përveçse dëshirës për kontroll, sidomos nga burokratët e korruptuar. Por me këtë shteti bëhet pengesë e zhvillimit.

Postime të ngjashme

Kostoja e shëndetit, 8% e shqiptarëve nuk përballojnë ekzaminimet, e dyta më e lartë në Europë
“Ministri e vdekjes”- Protestuesit ndalen para ministrisë së Shëndetësisë
Historia e hemodializës, shërbimit që shteti ‘refuzon’ ta ofrojë vetë
Skema e re e furnizimit me barna dhe fondet publike: Ministria “refuzon” t’i përgjigjet TFL-së për projektligjin
A ndikon obeziteti në fertilitetin e grave?
Prediabeti
Çfarë duhet të bëjë një pacient nëse diagnostikohet me prediabet
Betohet ministrja e Shëndetësisë/ Klodiana Spahiu merr zyrtarisht detyrën, zëvendëson Evis Salën
Check up-i në shtet/ Operatori i Sterilizimit shpall tender 20 mln euro për blerje kitesh dhe reagentësh