Kryefaqja Lajm kryesor Shkaqet kryesore të dëmtimit të mëlçisë – simptomat dhe faktorët e rrezikut

Shkaqet kryesore të dëmtimit të mëlçisë – simptomat dhe faktorët e rrezikut

0
Shpërndaje

Përshtati në shqip: Blertina Koka

Mëlçia mund të konsiderohet ndryshe si “kalë pune që nuk merr respektin e merituar”. Nëse do të pyesësh një njeri që të rendisë organet, mëlçia me siguri do jetë andej nga fundi i listës. Ndoshta pak para shpretkës. Por, ditë natë ajo absorbon ushqimin, lufton infeksionet dhe filtron mbetjet toksike nga gjaku. Nuk mund të jetoni pa këtë organ. Fatmirësisht, mund të parandaloni ose të kuroheni nga një dëmtim i mëlçisë.

Si shfaqen dhe përkeqësohen problemet me mëlçinë?

Faktorë të shumtë mund të dëmtojnë mëlçinë, dhe gjendja mund të përkeqësohet edhe më shumë me kalimin e kohës. Pavarësisht shkakut, problemet në mëlçi janë të njëjta: fillimisht ënjtet, pastaj krijon plagë (fibroza). Nëse merret trajtimi në kohën e duhur, mund të përmirësohet gjendja e mëlçisë. Por, nëse nuk merret trajtim, plagët bëhen të përhershme (cirroza) duke vështirësuar kryerjen e funksionit të mëlçisë. Në fazën e fundit mëlçia pushon së funksionuar ose është gati që të ndalojë.

Simptomat

Në fillim mund të mos vëreni asnjë problem me mëlçinë. Por, me përkeqësimin e gjendjes, lëkura fillon të ashpërsohet dhe mavijoset lehtësisht. Sytë dhe lëkura fillojnë të zverdhen, që në gjuhën mjekësore quhet ndryshe verdhëza. Mund të keni dhimbje të barkut dhe humbje të oreksit. Mund të krijohen gjithashtu ënjtje të gjymtyrëve të poshtme, artikulacioneve dhe barkut.

Shkaqet

Disa probleme me mëlçinë lidhen me sëmundje apo gjenjde të tjera shëndetësore. Të tjra kanë të bëjnë me mënyrën e jetesës, disa prej të cilave i keni nën kontroll, si sa alkool pini apo sa aktivë jeni fizikisht.

Obeziteti

Ndërkohë që rriten numri i personave mbipeshë, shtohet edhe numri i atyre që vuajnë nga sëmundje të mëlçisë. Mbipesha rrit rrezikun për zhvillimin e sëmundjes së dhjamosjes së mëlçisë jo nga alkooli. Në pjesën më të madhe të rasteve kjo gjendje nuk përbën rrezik. Megjithatë, te disa njerëz gjendja mund të përkeqësohet, duke çuar në cirrozë dhe probleme të tjera.

Alkooli

Abuzimi me alkoolin rrit rrezikun për zhvillimin e problemeve me mëlçinë. Në fazën e parë zhvillohet dhjamosja e mëlçisë si pasojë e alkoolit. Nëse vazhdoni së konsumuari alkool, mund të zhvilloni edhe hepatit alkoolik, cirrozë, derisa mëlçia të pushojë së funksionuar.

Ilaçet dhe përbërësit kimikë

Disa ilaçe dhe suplemente mund të shkaktojnë ndonjëherë dëmtim akut të mëlçisë, si antibiotikët, acetaminofeni dhe ilaçet për lehtësimin e dhimbjeve, si ibuprofeni apo naprokseni. Kjo ndodh zakonisht kur i merrni këto ilaçe në doza të larta ose konsumoni njëkohësisht edhe alkool apo ilaçe të tjera. Droga si heroina apo kokaina janë gjithashtu shumë të dëmshme për mëlçinë.

Infeksionet

Hepatitet (A, B dhe C) dhe lloje të tjera virusesh mund të shkaktojnë dëmtim akut ose kronik të mëlçisë. Predispozitat për t’u infektuar me hepatit janë shumë të larta nëse kryeni marrëdhënie seksuale pa masa mbrojtëse dhe me shumë partnerë, shkëmbeni gjilpërat apo shiringat, ose jetoni në vende ku uji dhe ushqimi nuk janë të sigurt.

Sëmundjet të trashëguara

Gjenetika mund të luajë gjithashtu një rol në shëndetin e mëlçisë, dhe shumë gjendje të trashëgueshme mund të çojnë në sëmundje të mëlçisë. Sëmundja e trashëgueshme hemokromatoza, për shembull, shkakton një grumbullim të hekurit në trup, që mund të shkaktojë cirrozë dhe mosfunksionim të mëlçisë. Më pak  zakonshme është sëmundja Wilson, që shkakton formim të koperit në trup, duke dëmtuar kështu jo vetëm mëlçinë por edhe trurin dhe organe të tjera.

Për fat të mirë, të dyja këto gjendje janë të trajtueshme. Për hemokromatozën, nivelet e hekurit në trup mund të pakësohen duke hequr rregullisht gjak. Ndërsa për sëmundje Wilson, ilaçe të caktuara mund të ulin nivelet e koperit në trup.

Sëmundje autoimunitare

Sëmundje të caktuara autoimunitare mund të ndikojnë gjithashtu në funksionimin e mëlçisë. Në rastin kur sistemi imunitar sulmon aksidentalisht mëlçinë, quhet hepatit autoimunitar. Në këtë rast mund të luajnë rol edhe faktorët gjenetikë. Kjo sëmundje prek zakonisht gratë dhe është më e zakonshme tek njerëzit që kanë edhe një sëmundje tjetër autoimunitare.

Cirroza biliare primare është një tjetër sëmundje autoimunitare që prek zakonisht gratë. Të dyja këto gjendje mund të çojnë në cirrozë dhe dëmtim të mëlçisë nëse nuk trajtohen në kohë. Edhe pse nuk ka një kurë përfundimtare për hepatitin autoimun ose cirrozën biliare, trajtimet mund t’ju mbajnë të shëndetshëm. Sa kohë i mbani gjërat nën kontroll, mund të jetoni një jetë normale për një kohë të gjatë.

Burimi: WebMD / Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here