Bardha Nergjoni
Agim Jaupi jeton vetëm pak metra larg portës kryesore të KURUM-it. Ai është dëshmitar se si herë pas here nga furrnalta tymi mbulon të gjithë zonën dhe era e keqe e bën të mbyllë hundët sa herë që del në ballkonin e tij të ish-ndërtesës trikatëshe ku është strehuar.
“Kemi qenë më mirë para 5 a 6 muajsh, por tani prapë nuk po i vënë filtrat. Unë banoj në kat të tretë këtu ngjitur me Kurumin dhe sa herë që dal natën në ballkon në orën dy apo tre e shoh tymin dhe e ndiej erën e keqe. I heqin ato filtrat herë pas here dhe sidomos të shtunë e të dielë ështe e zakonshme kjo situatë”.
Nisur nga shumë shqetësime të banorëve dhe të qytetarëve të Elbasanit, Eugen Isaj, këshilltar i djathtë, iu drejtua Këshillit Bashkiak. Ai kërkoi angazhimin e këshilltarëve për të detyruar firmën të vendosë filtrat e shkarkimeve në ajër gjatë natës dhe në fundjavë.
“Shqetësimi është ngritur nga shumë qytetarë. Ata që udhëtojnë në mëngjes dhe ata që punojnë përreth ish-kombinatit kanë ndjerë erën e keqe dhe kanë parë tymin që mbulon qytetin. Duhet të jemi vigjilentë pasi në të kundërt do të vuajmë ndotjen që na rezervon industria”, tha Isaj duke kërkuar ngritjen e një grupi specialistësh për të monitoruar situatën.
Zgjidhja e vetme një sistem automatik vetëmonitorimi
Inspektoriati Mjedisor në Elbasan nuk ka asnjë hapësirë ligjore për të kryer kontrolle të befasishme tek operatorët e mëdhenj industrialë. Të pyetur përfaqësues të këtij inspektoriati thanë se për të bërë një monitorim e kanë të përcaktuar se duhet të lajmërojnë 3 ditë përpara ndërkohë operatorët VIP si Kurum nuk inspektohen nga institucioni lokal, por nga Ministria e Mjedisit. Ndërkohë për raste flagrante mund të ndërhyjnë vetëm nëse ka prova. Operatorët e kryejnë vetë monitorimin e shkarkimeve nëpërmjet ekspertëve të licencuar ndërkohë Agjencia Kombëtare e Mjedisit bën monitorimin e saj vetëm nëpërmjet një pike të vendosur në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”.
Një prej specialistëve të njohur të mjedisit në Elbasan, Ahmet Mehmeti, deklaroi se sistemi i monitorimit është i dështuar për të ndalur operatorët industrial në abuzimin me vendosjen e sistemit të filtrave për shkarkimet në ajër. Ai thekson se është spekuluar me vetëmonitorimin
“Ne kemi një ligj europian për normat mjedisore që presipozon se vetë kompanitë kanë instaluar sistem vetëmonitorimi që i jep ndihmë edhe atyre të rrinë në parametrat e duhura dhe krijon transparencën e duhur me institucionet dhe komunitetin. Që ne të kemi një monitorim efektiv, duhet të hiqet dorë nga fakti se kompanitë e mëdha marrin ekspertë mjedisorë, i paguajnë dhe bëjnë monitorim. Ky është një proces jo i besueshëm. Që ne të jemi më të qetë dhe ligji vertet të zbatohet kompanitë e mëdha industriale si Kurum duhet të montojnë sisteme automatike monitorimi të nivelit të ndotjes. Ky sistem duhet të jetë gjithëvjetor dhe pa ndërprerje. Vetëm kështu mund të zgjidhet çështja nëse i vendos apo jo filtrat kjo kompani”. I pyetur nëse ka marrë ankesa nga komuniteti për faktin se muajt e fundit KURUM po stakon filtrat, Mehmeti deklaroi se shumica e qytetarëve e kanë konstatuar me sy madje edhe me hundë pasi era e squfurit ndjehet sidomos në mëngjes. Ka të paktën rreth 2 muaj që unë i kam marrë këto shqetësime nga banorë dhe qytetarë që udhëtojnë gjatë natës ose në mëngjes herët”.
Ndërkohë sa i përket inspektimit nga Inspektoriati Mjedisor, Ahmet Mehmeti u shpreh se inspektorët edhe sikur të kishin hapësirë ligjore nuk kanë mjetet e duhura ndërsa monitorimi nga Tirana është jo i arsyeshëm.
Monitorimi 2016
Në raportin e monitorimit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, ku janë matur grimcat e ngruta në ajër PM10, dioksidi i azotit, Benzeni dhe gazra të tjera, rezulton se vetëm nga 35 nga 230 ditë të monitoruara në pikën e Universitetit në Elbasan, PM10 ka kaluar normën e BE.
Ndërkohë dioksidi i azotit ka një tendencë në rritje dhe Elbasani vjen pas Tiranës edhe pse nuk ka një tejkalim të vlerës limite vjetore të BE.
Ndërkohë një tjetër monitorim që është duke u kryer këto ditë nga një organizëm i pavarur gjatë muajit mars vetëm një ditë vlera ka kaluar normën e BE. Ende nuk janë bërë të ditura ditët e monitoruara dhe vendi ku është realizuar monitorimi./ Shendeti.com.al
Materialet e publikuara në këtë faqe janë pjesë e projektit: “Ajër i pastër në Tiranë: më shumë ecje, biçikleta dhe transport urban”, mbështetur financiarisht nga REC/ programi Achieve-Albanian Civil Society for a European Environment, me fonde të Komisionit Evropian. Projekti ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit qytetar në Tiranë dhe advokimit mediatik për përmirësimin e situatës së ndotjes së ajrit që shkaktohet nga sektori i transportit.