Ka nisur me radhë dhe pritje që shkojnë me orë e ditë të tëra viti i ri pranë sportelit të vetëm të aplikimit për karta shëndeti në Shkodër.
Situata ditët e fundit është agravuar duke mos kursyer as konfliktet mes vetë qytetarëve, ç’ka ka bërë që radhët të mbahen nga efektivë të policisë së shtetit dhe security private.
Të indinjuar qytetarët kërkojnë zgjidhje pasi kjo sjellje karshi tyre është e patolerueshme, ku për të gjithë rrethin e Shkodrës vihet në dispozicion vetëm një sportel.
Qytetarja: Jam rrëzuar, por kam dy javë që vi dhe nuk kam mundur ta nxjerr. E kam burrin prej datës 5 pa ilaçe.
Qytetarja: Jam nga Gruda e Re. Prej 3-4 ditësh vij këtu.
Qytetari: Jemi që në mëngjes duke u shtypur, nuk hapin dy sportele, por një.
Qytetarja: Vetëm një sportel kanë hapur, turp të kenë, marre. Turp e marre të kenë, nuk bëhet kështu. Mezi kam ardhur, më ka rënë të fikët, më kapi një grua përkrahu.
Qytetarja: Që në orën 6 jemi këtu, po vdesim kryq e tërthorë të tërë, na doli shpirti. Jemi sëmurë, po mbarojmë.
Dhjetëra persona në radhë, kryesisht moshë e tretë konstatohen dhe në Korçë në ambientet e Drejtorisë së Sigurimit të Detyrueshëm dhe Kujdesit Shëndetësor.
Skadimi i librezave shëndetësore me 31 dhjetor ka bërë që pajisja me karta shëndeti të kthehet në domosdoshmëri, veçanërisht për të sëmurët që marrin cdo muaj ilaçet.
Me absurd bëhet ky shërbim ndërsa sheh të moshuar që presin në poliklinikën e Shkodrës mes ajrit asfiksues të hyrjes pranë këtij sporteli, pjesa më e madhe e të cilëve vijnë nga njësitë administrative./ Ora News


