Shkon në 14 numri i të vdekurve nga koronavirusi në Itali, rritet numri i rasteve të prekura

Numri i rasteve me koronavirus në Itali ka shkuar në 528 ndërsa deri tani janë shënuar 14 të vdekur, mes përpjekjeve ndërkombëtare për të përmbajtur përhapjen e shpërthimit.

Disa vende të ndryshme europiane deklaruan raste të reja që kishin si burim Itralinë. Gjithashtu, të mërkurën Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se për herë të parë virusi po përhapej më shpejt jashtë Kinës, nga ku kishte dhe origjinën.

Në të gjithë botën, më shumë se 80,000 persona në rreth 40 shtete janë infektuar me koronavirusin e ri, që u shfaq në dhjetor. Shumica vazhdojnë të jenë në Kinë.

COVID – 19, sëmundja respiratore e shkaktuar nga virusi ka shkaktuar më shumë se 2800 vdekje deri tani.

Si është situata në Itali?

Zonat që janë prekur më shumë janë në veriun industrial të vendit, Lombardia, rajoni rreth Milanos, dhe Veneto afër Venecias. Virusi ka shkaktuar 14 viktima në vend deri tani.

Zyrtarët e qeverisë janë munduar të qetësojnë publikun, dhe kanë insistuar se po ndërmerren hapa për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.

Shkollat, universitetet dhe kinematë janë mbyllur dhe disa evente të ndryshme publike janë anulluar.

11 qytete në qendër të shpërthimit, me rreth 55,000 banorë, janë future në karantinë.

Ekziston frika se shpërthimi mund të shkaktojë një recesion ekonomik për Italinë. Frika ka shkaktuar anulime të rezervimeve në hotele dhe biznese të boshatisura.

Komisionerja e BE – së për Shëndetësinë Stella Kyriakides, u shpreh për gazetarët pasi takoi Ministrin e Shëndetësisë së Italisë në Romë se: “Situata është shqetësuese, por nuk duhet të shkaktojmë panik. Ka ende shumë gjëra që nuk i dimë rreth këtij virusi, veçanërisht për origjinën e tij dhe mënyrën se si përhapet”.

Po pjesa tjetër e Europës?

Në dy ditët e fundit, Austria, Kroacia, Greqia, Norvegjia, Zvicra, Gjeorgjia dhe Maqedonia e Veriut kanë raportuar rastet e tyre të para me koronavirus. Shumë prej tyre kishin udhëtuar në Itali.

Më shumë raste u shpallën gjithashtu dhe në Spanjë, Francë dhe Gjermani. Në Mbretërinë e Bashkuar janë raportuar 13 raste.

Burimi: BBC

Postime të ngjashme

Kur është koha më e mirë për të marrë kolagjen? Ekspertët japin përgjigjen
10 ushqimet më hidratuese
Studimi: Vaksina kundër kancerit mund të zhdukë plotësisht tumoret
15 simptomat e hershme që mund të jenë shenjë e kancerit
Ndryshim në krye të QSUT-së, Evis Sala emëron Rudina Degjonin Drejtoreshë të Përgjithshme
Këmbët e ënjtura? Ja ushqimet që ndihmojnë dhe ato që duhet të shmangni
"Shet produkte të rrezikshme"- Komisioni Europian gjobit TEMU-në me 200 mln dollarë
8 fruta me përmbajtje të ulët sheqeri