Kërkojmë angazhimin e të rinjve, kjo është shumë e rëndësishme, që të rinjtë të kuptojnë që nëse duan që diçka të bëhet për ta duhet të fillojnë vetë ata të lëvizin. Duhet të fillojnë vetë rinia të kërkojnë.
“Show your selfie” ishte edhe motoja e organizimit që u zhvillua më 11 korrik, në Ditën Botërore të Popullsisë. Në këtë ditë në fokus u vendosën të rinjtë. Të investosh tek të rinjtë do të thotë të krijosh një pasuri të paçmueshme për bashkësitë dhe për kombet e tyre. Kjo mund të ndodhë nëse shoqëritë bëjnë investime të fokusuara dhe ofrojnë mundësi për të siguruar progresin e tyre. Nëse të rinjve u jepet mundësia që zhvillojnë njohurinë, aftësinë dhe elasticitetin e nevojshëm për një jetë të shëndetshme dhe produktive. Mijëra qytetarë iu bashkuan kësaj thirrje.
Fushata “Show your selfie” u zhvillua për herë të parë në Shqipëri duke iu bashkuar fushatës botërore.
E pyetur për gazetën “Shëndet+” në lidhje me qëllimin e këtij organizimi, Elida Nuri, koordinatore e UNFPA-së (Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë në Shqipëri) shprehet:
“Qëllimi i fushatës është avokacia e të rinjve për pjesëmarrjen e tyre, arsimimin e tyre më të mirë, shërbime më të mira shëndetësore për ta. Ajo që është vënë re globalisht nga UNFPA, është se të rinjtë injorohen, ka problem me martesat e vajzave të mitura, adoleshente, ka problematika në lidhje me informacionin që marrin për seksualitetin.
“Ndaj edhe ne si UNFPA bashkë me partnerët tanë të shoqërisë civile dhe me partnerët e institucioneve shtetërore u bashkuam me këtë fushatë në mbështetje të nevojave dhe sfidave që hasin të rinjtë. Ideja e fushatës “Shoë your selfie”, pra “Bëj foton tënde” dhe postoje atë online është që të grumbullohen shumë foto të të rinjve, të personave të njohur, personave të panjohur që mbështesin këtë fushatë që më pas nëpërmjet fytyrave të tyre t’u kërkohet krerëve të shteteve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që të dëgjojnë zërin dhe të shohin të rinjtë nëpërmjet këtyre fotove, nëpërmjet zërit që ata përcjellin përmes fotove”.
UNFPA-ja ka gjithnjë në fokus promovimin e të drejtave të çdo gruaje, burri dhe fëmije për të gëzuar një jetë të shëndetshme dhe me mundësi të barabarta, duke përdorur të dhënat mbi popullsinë në hartimin e politikave dhe programeve për uljen e varfërisë dhe për të bërë të mundur që çdo shtatzëni të jetë e dëshiruar, çdo lindje të jetë e sigurt, çdo i ri dhe e re të jetë i mbrojtur nga HIV\AIDS dhe çdo vajzë dhe grua të trajtohet me dinjitet dhe respekt.
Në vazhdimësi të mbrojtjes së këtyre vlerave kësaj here duke u fokusuar tek të rinjtë, UNFPA mbështeti maksimalisht të drejtën e të rinjve për të qenë të pranishëm në çdo vendimarrje pasi ata janë edhe e ardhmja e një shoqërie të shëndetshme.
Përveç kësaj organizate në këtë aktivitet merrnin pjesë edhe organizata të tjera të shoqërisë civile. Në një intervistë të shkurtër për gazetën “Shëndet+”, Holta Koçi, drejtuese e ACA-s, u shpreh:
“Kërkojmë angazhimin e të rinjve. Kjo është shumë e rëndësishme, që të rinjtë të kuptojnë që nëse duan që diçka të bëhet për ta, duhet të fillojnë vetë ata të lëvizin. Duhet të fillojë vetë rinia të kërkojë. Është pikërisht përfshirja e rinisë në një fushatë që është për ta. Pra, vetë rinia është përfshirë. Kjo fushatë bëhet në gjithë botën, ndaj rinia shqiptare bën atë që bën rinia në gjithë botën”.
Holta, kjo është hera e parë që ky aktivitet organizohet në Shqipëri?
Po, është hera e parë.
Sa mund të thuhet nëpërmjet një fotoje?
Shumë. Ky është një peticion. Fotot janë si një firmë që mblidhen aty ku do jetë kjo fushatë. Nuk do jenë thjesht ca firma të dhëna elektronikisht, por do jenë ca foto ku mund të bëhet një poster gjigand me kilometra të tërë. Shqipëria do të ketë të rinjtë e vet që do të kenë fotot e tyre dhe do jenë pjesë e kësaj fushate globale.
A janë të ndërgjegjshëm të rinjtë se për çfarë po i bëjnë këto foto?
Jemi këtu me materiale të nevojshme informuese, video projektor dhe fletëpalosje. Ne jemi këtu për t’i informuar ata, ata vetë janë të angazhuar, janë vullnetarë.
Edhe romët pjesë e organizimit
Pjesë e këtij organizimi ishin edhe të rinjtë romë të cilët gjithashtu ishin aty për të treguar që edhe ata janë pjesë e rinisë, edhe ata investojnë në shoqëri ndaj edhe shoqëria duhet t’i dëgjojë. Klaudia Veizaj, pjesë e komunitetit rom, shprehet se edhe ata si pjesë e rinisë duan të integrohen në çdo aktivitet. Sipas saj, fotot janë mënyra më e bukur dhe më moderne për të lënë më shumë mbresa dhe për të thënë më shumë.
Në lidhje me këtë Holta Koçi u shpreh se “edhe ata janë të angazhuar, janë vullnetar të angazhuar në programe të ndryshme. Duke filluar që nga programet që kanë të bëjnë me edukimin, shëndetin, kulturën etj. Një pjesë e mirë prej tyre janë edhe studentë të Akademisë së Arteve në Tiranë, janë studentë të gjimnazeve që kanë qenë edhe pjesë e programeve tonë të tjera”.
Pjesëmarrësit
Bruna Hylviu, koordinatore e Qendrës Rinore PO, shprehet se ky organizim është një tregues që të rinjtë mund të bëhen bashkë dhe nëpërmjet teknologjisë të përcjellin mesazhe për politikanët.
“Fotot flasin për aq kohë sa kanë edhe një mesazh. Fotot janë për të mbështetur të rinjtë. Qeverisë i kërkohen të kenë në programet e tyre politike të rinjtë”.
Në këtë organizim u vu rë prania e një numri të konsiderueshëm të rinjsh që jo vetëm afroheshin për të bërë selfie, por gjithashtu ishin pjesë vullnetare e kësaj organizate. Ata shpreheshin entuziast duke treguar se rinia shqiptare ka një potencial dhe se e rëndësishme është që të përdoret.
Të pyetur për gazetën “Shëndet +” ata flisnin me besim në këtë organizim duke besuar se ky është moment i duhur për rininë shqiptare që të tregojë “fytyrën” e saj.
Sofie Bendaj, vullnetare në “Qendrën Rinore PO”, ishte e angazhuar që të shpërndante informacion që sipas saj shërben për të ndryshuar cilësinë e jetesës së të rinjve në Shqipëri. Revista, broshura, fletëpalosje ishin të përgatitura për të dhënë informacion në lidhje me problematika të ndryshme, si: “Pse do të na mungojnë vajzat”, “Stop AIDS”, “Adoleshenti” etj. Sofia tregon se ata janë mbledhur aty për të bërë sa më shumë selfie, sa më shumë foto në mënyrë që të dëgjohet zëri i tyre, të diskutohet për të drejtat e të rinjve. “Duke qenë se jam një e re, dua që edhe zëri im të dëgjohet, të kemi edhe ne të drejtën për të vendosur, për të diskutuar për t’u dëgjuar”.
Të pyetur nëse të rinjtë besojnë që zëri i tyre do të dëgjohet, Rezart Zhupi, vullnetar, shprehet: “Ne e kuptojmë fare mirë pse jemi këtu. Si pjesë e rinisë duam të integrohemi në çdo aktivitet dhe duam të bëjmë që zëri ynë të dëgjohet. Kjo është fushate globale ku do të nxirren fotot në një ekran të madh. Fotot janë mënyra më e bukur dhe më moderne duke lënë më shumë mbresa dhe duke thënë më shumë. Pjesëmarrja është shumë e lartë, edhe pse zhvillohet për herë të parë në Shqipëri. Besojmë dhe shpresojmë shumë që do të dëgjohemi”.
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara në çdo sekondë që kalon bota rritet me 3 njerëz, që do të thotë se në një ditë popullsia shtohet me 225 mijë njerëz ose afërsisht 83 milionë në vit. OKB-ja parashikon se numri i njerëzve në botë vitin e ardhshëm do të jetë mbi 7 miliardë, ndërsa deri në vitin 2050 popullsia pritet të shkojë në 9 miliardë.
Një forcë e madhe në botë janë edhe të rinjtë ndaj edhe qeveritë duhet që të kthejnë sytë për të investuar tek ata, duke iu dhënë të gjitha mundësitë që ata të shfrytëzojnë aftësitë e tyre. Një shoqëri i ndërton bazat e së ardhmes mbi një rini të shëndetshme, të arsimuar dhe të motivuar për të ardhmen.
Pse data 11 korrik?
Ditën Ndërkombëtare të Popullsisë së Botës e shpalli Programi Zhvillimor i OKB-së, PNUD, në vitin 1989. U zgjodh kjo ditë sepse pikërisht më 11 korrik të vitit 1987 numri i popullsisë së botës e kaloi kufirin e 5 miliardëve.





