Shpëtim Saraçi: Mrekullia që më solli në jetë

Kompozitori i mirënjohur Shpëtim Saraçi ka përjetuar kohët e fundit ditët më të vështira të jetës së tij. Ai mori disa goditje ishemike në trurin e vogël, duke u përballur kështu me rrezikun më të madh, vdekjen e parakohshme. Por, falë Zotit ai arriti t’i mbijetojë këtij rreziku dhe tani gëzon shëndet të plotë.Shpetim Saraci

Në një intervistë të dhënë për revistën “Mapo”, kompozitori i njohur rrëfen luftën e tij e vdekjen, rrugëtimin e frikshëm të rikthimit, që e bëri më të ndjeshëm dhe më të fortë, frikërat dhe gëzimin.

“Ishemitë janë të çuditshme. Janë goditje të cilat mund të vijnë një pas një por mund të të vijnë dhe përnjeherësh. Mua më ndodhi kjo e fundit, e fuqishme fare”, tregon kompozitori.

Sipas tij, gjendja emocionale para se të ndodhte kjo goditje ka qenë i ngarkuar emocionalisht.

“Kam pasur emocione të jashtëzakonshme para se të më ndodhte ishemia celebrale. Ishte koha kur vajza do të nisej për studime në Amerikë. Si çdo baba, që ka me vajzat një lidhje fantastike, edhe unë po e përjetoja shumë emocionalisht ikjen e saj prej shtëpisë, ikjen aq larg. Shprehesha çdo ditë me miqtë ndërsa Mirës, bashkëshortes, nuk i thoja asgjë sepse s’doja ta ngarkoja  atë më shumë. Kam pyetur më mbrapa mos kjo ngarkesë ndikoi për atë goditje që mora, por më thanë që gjithçka mund të jetë dhe krejt rastësi. Ajo që don të ndodhë ndodh dhe kaq”.

Pyetjes si ishte t’i riktheheshe jetës, Saraçi i përgjigjet kështu: “U deshën shum kohë.  Po të tregoj një moment që ta kuptosh se çfarë ishte për mua rikthimi në jetë. Kur u rehabilitova, duhej të shkoja në Amerikë për të bërë një operacion zemre. Vendosa të mos e bëja publike, sepse të them të drejtën isha bezdisur paksa nga mediatizimi i ngjarjes sime. Ndodhi që disa prej familjarëve të mi u dëmtuan emocionalisht nga trajtimi mediatik i gjendjes sime. E di që në fund të fundit media atë punë ka, të raportojë mbi gjithcka, por them se duhet të jenë paksa më të kujdeshëm, për çdo rast. Por s’dua të ndaloj tek kjo çështje. Ajo që dua të tregoj është takimi që pata, para se të ikja në Amerikë, me njërin nga drejtuesit e Top Channel. I tregova se duhej të ikja e më pyeti se ç’plane kisha pasi të kthehesha. I thashë- E ç’plane mund të kem unë tani!?  Kur ai më bëri pyetjen- A do vish të punosh me ne?- nuk e merrni dot me mend se çfarë kam ndjerë në ato momente. Sepse për mua, në një moment të atillë, ajo s’ishte thjesht një ftesë për punë, por shumë më shumë se kaq, ishte një ftesë për t’u rikthyer në jetë. I thashë vetëm kaq- A po pyet të verbrin a don sy!?”

“Unë s’mund të them se u bëra më i mirë apo më i aftë pas asaj që më ndodhi, por di të them se tani do ta shijoj më shumë jetën. Çdo gjë që më rrethon, tani di ta vlerësoj më shumë. Ajo që për mua është tepër pozitive, është vlerësimi më i vërtetë i gjërave. Tani çdo gjë, sado e vogël të jetë, e vlerësoj më shumë. Më parë kam qenë tip më sportiv, tani jo dhe aq shumë. I marr shumë më seriozisht gjërat. Kam kuptuar se çdo gjë që të ndodh në jetë, sado e keqe që të jetë, duhet ta kthejmë në favor, se jo çdo e keqe vjen për të keq, ashtu si dhe jo çdo e mirë vjen për të mirë”, thotë Saraçi.

Saraçi u jep edhe një këshillë njerëzve që ndodhen para një sfide të vështirë, që të besojnë dhe guxojnë në atë që duan.

“Dua t’i them kujtdo se që të vdesësh ishte kollaj fare, s’kemi hiç pse frikësohemi, është si puna e gjumit, mbyll sytë dhe mund të ikësh….Ndaj duhet të shijojmë çfarë kemi, për aq sa jemi” e mbyll rrëfimin e tij kompozitori i njohur.

Postime të ngjashme

Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin