Shqipëria, ndër 4 shtetet e Europës me nivelin më të ulët të vaksinimit kundër Covid-19

Teksa vala e re e Covid ka rritur numrin e infeksioneve dhe shtuar vdekjet kudo në botë, vaksinimi masiv i popullatës po shihet si zgjidhja më e shpejtë për të frenuar pasojat e infeksionit.

Shtetet e Europës kanë rritur ndjeshëm ritmet e vaksinimit të popullatës së tyre.

Të dhënat e Worldindata, të përditësuara deri në 30 gusht tregojnë se shteti që ka avancuar më shumë në Europë është Portugalia, që ka dhënë në paktën një dozë për 85% të popullsisë, ndërsa rreth 74% i kanë marrë të dyja dozat.

Malta është shteti që mban rekordin për vaksinimin total të popullsisë, me 80% të saj që i kanë marrë të dyja dozat.

Më pas renditen Spanja (78% me të paktën një dozë dhe 70% plotësisht), Danimarka (76% me të paktën një dozë dhe 72% plotësisht), Finlanda, (72% me të paktën një dozë dhe 50% plotësisht), Belgjika, (72% me të paktën një dozë dhe 70% plotësisht), Franca (71% me të paktën një dozë dhe 59% plotësisht),

Mbretëria e Bashkuar, që ishte në krye të vaksinimit pak muaj më parë vjen pas tyre, me 70% me të paktën një dozë dhe 63% plotësisht.

Listën e vijon Italia, që ka dhënë një dozë lpër 70% të popullsisë dhe 60% i kanë marrë të dyja.

Në Europë është vaksinuar mesatarisht 54% e popullsisë me të paktën një dozë dhe gati gjysma (47.5%) me të dyja.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, tha së fundmi se 70% e popullsisë së Bashkimit Europian është tërësisht e vaksinuar. Sipas njoftimit të Komisionit Europian, vaksinimi i shpejtë dhe i plotë i të gjitha popullatave të synuara – në Evropë dhe në nivel global – është çelësi për të kontrolluar ndikimin e pandemisë.

Shqipëria e katërta nga fundi

Ndonëse ritmet e vaksinimit kanë ecur më shpejt muajt e fundit, sërish Shqipëria mbetet ndër shtetet që kanë dhënë më pak doza për popullsinë përkatëse. Sipas Worldindata, deri në 30 gusht, 28.5% është vaksinuar me të paktën një dozë dhe gati 22% me të dyja.

Serbia i ka ulur ritmet në krahasim me muajt e parë të vitit, kur arriti gati të njëjtat nivele si Mbretëria e Bashkuar, por sërish mbetet rekord në rajon (41% i ka marrë të dyja dozat).

Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, që e filluan procesin pas Shqipërisë e kanë tejkaluar atë, duke vaksinuar të paktën me nga një dozë 33-34% të popullsisë.

Më keq se Shqipëria renditen vetëm Kosova, që i ka dhënë të paktën një dozë 20% të popullsiëë dhe të dyja 11%; Bosnjë Hercegovina (17% me të paktën një dozë) dhe më keq nga të gjithë është Bullgari (16% të dyja dozat).

Ministria shqiptare e Shëndetësisë, sipas të dhënave të përditësuara në 31 gusht njoftoi se vijon vaksinimi masiv në pikat e përqendruara te vaksinimit, në qendrat shëndetësore, poliklinika si dhe nëpërmjet njësive të lëvizshme në komunitet. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,458,048 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 633,878 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës antiCOVID. Ditën e hënë, datë 30 Gusht janë kryer 13,284 vaksinime në të gjithë vendin.

Sipas një përditësimi të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, vaksinat e Covid-19 mund të jenë më pak efektive në parandalimin e infeksionit dhe simptomave të moderuara të shkaktuara nga varianti Delta, por ato janë shumë efektive kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjeve të shkaktuara nga variantet e COVID-19, përfshirë Delta./ Monitor

Postime të ngjashme

829 raste të reja me kancer gjiri në 2025, ISHP: Ulet vdekshmëria, ja qarqet me incidencën më të lartë
Dërgonin pacientë me kancer në klinikat private, SPAK mbyll hetimet për Onkologjikun
Fruthi rikthehet fuqishëm në SHBA, 5 viktima në Pensilvani/ Mbi 3,650 raste gjatë vitit 2026
Shqipëria zgjeron mbrojtjen ndaj HPV-së, nis edhe vaksinimi kundër gripit sezonal
Rreth 16 milionë kg mish derri nga Brazili, BE e ndaloi, Shqipëria vazhdon të importojë me shumicë
Anulohet tenderi prej 50 milionë eurosh për hemodializën
A do ta shërojë AI kancerin? Ja çfarë thotë shkenca
Kostoja e shëndetit, 8% e shqiptarëve nuk përballojnë ekzaminimet, e dyta më e lartë në Europë