Shqiptarët duhet të ndryshojnë stilin e jetesës/ 47% e të sëmurëve kronik me diabet dhe hipertension

Të sëmurët kronikë në vendin tonë dominohen nga dy grup diagnozash që kanë përgjegjëse stilin e jetesës.

Mungesa e aktivitetit fizik dhe kequshqyerja po përhapin diabetin dhe hipertensionin në masë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2020 gati gjysma e të sëmurëve kronike që trajtohen me rimbursim vuanin nga hipertensioni dhe diabeti.

Bazuar në sistemin e recetës elektronike me rimbursim në vitin 2020, 11,5% e pacientëve kronikë janë trajtuar për diabet Mellitus dhe 36,1% e pacientëve kronik për Hipertension Arterial.

Sipas qarqeve, Durrësi ka përqindjen më të lartë të pacientëve kronik të trajtuar për Diabet Mellitus me 14,5%, ndërsa për Hipertension Arterial përqindjen më të lartë e ka qarku Kukës me 48,4%.

Anketat e INSTAT dhe Institutit të Shëndetit kanë gjetur se përhapja në masë e diabetit dhe hipertensionit vijnë si pasojë e sjelljeve të konsideruara me risk për shëndetin si: konsumimi i alkoolit, pirja e duhanit dhe jeta sedentare. Stili i jetesës ka ndikim të rëndësishëm në rritjen e jetëgjatësisë nëpërmjet parandalimit të shumë sëmundjeve kronike si: hipertensioni, yndyrnat në gjak dhe obeziteti etj.

Sipas studimit të fundit Demografik dhe Shëndetësor (2017/18), 5,0% e grave dhe 36,0% e burrave të moshës 15-49 vjeç ishin duhanpirës. Të dhënat sipas qarqeve tregojnë se përqindja me e lartë e burrave 15-49 vjeç që pinë duhan është në qarkun Vlorë (44,9%) dhe përqindja më e ulët në qarkun Korçë (22,9%). Ndërkohë përqindja më e lartë e grave që pinë duhan është në qarkun e Tiranës (7,2%) dhe përqindja më e ulët në qarkun e Kukësit (0,2%)

Sipas të njëjtit studim, më shumë se 1 në 4 gra (28%) dhe 6 në 10 burra (60%) të moshës 15-49 vjeç kanë konsumuar alkool në 12 muajt e fundit. Përqindja më e lartë e burrave që konsumojnë alkool është në qarkun Fier (88,4%), Berat (87,1%) dhe Lezhë (67,3%) dhe përqindja më e ulët është në qarkun Dibër (28,2%) dhe Kukës (39,1%).

Përqindja e grave të moshës 15-49 vjeç që konsumojnë alkool është më e lartë në qarkun Berat (44,1%), Tiranë (40,7%) dhe Vlorë (36,8%). Ndërkohë përqindja më e ulët është në qarkun Kukës (4,0%), Dibër (5,0%) dhe Shkodër (7,4%).

Aktiviteti fizik është një tjetër faktor me rëndësi të veçantë në shëndetin e njeriut. Rreth 1 në 10 burra dhe gra të moshës 15-49 vjeç përfshihen në aktivitet të rregullt fizik (5-7 ditë në javë). Të dhënat për burrat tregojnë se qarqet me përqindje më të lartë që kryejnë aktivitet fizik janë Tiranë dhe Vlorë, përkatësisht 38,2% dhe 30,7%. Ndërkohë për gratë, qarqet me përqindjen më të lartë të këtij aktiviteti janë Tiranë dhe Elbasan, përkatësisht 28,1% dhe 24,7%. /Monitor

Postime të ngjashme

Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë
Helmohen 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU