Kryefaqja Femijet Si mund të jemi prindër të mirë? Disa aftësi prindërimi që mund...

Si mund të jemi prindër të mirë? Disa aftësi prindërimi që mund t’i përdorim për të rritur fëmijë të lumtur dhe të sukseshëm

0
Shpërndaje

Prindërimi pozitiv është një mënyrë e të rriturit dhe edukuarit të fëmijës që synon mirërritjen e shëndetshme të tij. Prindërimi pozitiv e ndërton marrëdhënien prind-fëmijë bazuar mbi respektin reciprok dhe përdor disiplinën pozitive për edukimin e fëmijës.

Ka një sërë shkaqesh që i bëjnë prindërit shqiptarë të përdorin ndëshkimin trupor për të disiplinuar fëmijët e tyre. Ndër to mund të përmendim:

  • besimi se dhuna është një mënyrë efektive edukimi dhe disiplinimi;
  • edukimi nëpërmjet dhunës është model i trashëguar i disiplinës nga brezi në brez;
  • mungesa e informacionit mbi efektet e dhunës tek fëmijët;
  • reagime të dhunshme ndaj faktorëve stresues;
  • mungesa e vetëkontrollit;
  • niveli i lartë i pranimit të dhunës në shoqëri.

Prindërit luajnë rolin kryesor në mirërritjen e shëndetshme të fëmijëve. Prindërit janë mësuesit, modelet dhe udhërrëfyesit më të rëndësishëm për fëmijët e tyre.

Disiplinimi i fëmijëve

Të disiplinosh do të thotë të mësosh dhe jo të ndëshkosh. Disiplina pozitive është jo e dhunshme, e përqendruar në zgjidhje, e mbështetur në respekt, e bazuar në parimet e zhvillimit të fëmijës.

Disiplina e dhunshme mbështetet në ndëshkimin fizik (trupor) dhe / ose agresion psikologjik. “Agresioni psikologjik i referohet veprimit të bërtitjes, ulëritjet së një fëmije, si dhe për ta etiketuar një fëmijë me emra fyes si “memec” ose “dembel”. Ndëshkimi fizik përcakthet si shtrëngimi i fëmijës, goditja ose goditja e tij në dorë / krah / këmbë, duke e goditur atë në pjesën e poshtme ose diku tjetër në trup me një send të fortë, duke e tundur ose duke e goditur në fund me një duar të zhveshur, duke e goditur ose përplasur në fytyrë, kokë ose veshë dhe duke e rrahur atë / ajo pa pushim sa të jetë e mundur.” (UNICEF).

Disiplina pozitive synon t’u mësojë fëmijëve sjelljet e pranueshme dhe t’i edukojë ata, jo nëpërmjet ndëshkimit, por nëpërmjet respektit, besimit, ngrohtësisë dhe sigurisë emocionale.

Si ta zbatojmë disiplinën pozitive?

Të kuptojmë arsyen përtej sjelljes – Eshtë detyra e prindërve që të kuptojnë se pse po e bën fëmija një sjellje të pavend. Sapo të kuptojmë arsyen e vërtetë që fshihet pas kësaj sjellje, mund të kontrollojmë edhe pasojat.

Të orientojmë sjelljen e fëmijëve -Ti japim vëmendje sjelljes së pëlqyeshme dhe jo asaj negative. Fëmijët duhet të rriten duke kuptuar dallimin mes të mirës dhe të keqes.

Të mos “korruptojme” – Është e gabuar që t’i ofrojmë fëmijëve dhurata si shpërblim kur ata sillen mirë. Kjo i bën ata të mendojnë që gjithmonë duhet të paguhen kur bëjnë sjellje të mira.

Si të shkojmë drejt një prindërimi pozitiv?

Prindërit duhet:

  • t’i duan fëmijët pavarësisht se çfarë bëjnë;
  • të mos korrigjojnë çdo gabim që fëmijët bëjnë;
  • të shpenzojnë kohë së bashku me fëmijët e tyre;
  • të bëhen modele positive;
  • t’i japin fëmijëve siguri;
  • t’i pyesin dhe t’i dëgjojmë çfarë thonë dhe mendojnë fëmijët;
  • t’i trajtojnë fëmijët me ëmbëlsi dhe dashuri;
  • të argëtohen së bashku me fëmijët e tyre.

Menaxhimi i konfliktit dhe mësimi i përgjegjësive

Prindërit duhet:

  • të vendosin rregulla dhe të shpjegojnë çfarë ndodh nëse ato shkelen;
  • të përdorin duhet në vend të nuk duhet;
  • të kërkojnë ndihmën e fëmijëve dhe bashkëpunimin e tyre për të zgjidhur problemet;
  • të fokusohen në gjërat positive;
  • të jenë të qendrueshëm dhe të dinë të thonë ‘jo’ kur e ndjejnë të nevojshme;
  • t’i largojnë fëmijët nga situatat që nuk mund t’i manovrojnë;
  • të japin një paralajmërim dhe të rikujtojnë rregullat;
  • të përdorin grafikë për të ndjekur ecurinë e sjelljes së mirë;
  • të kërkojnë ndihmë kur gjendeni në vështirësi.

Përballja dhe korrektimi i sjelljes së gabuar

Prindërit duhet:

  • t’u lënë fëmijëve të përballen me pasojat e veprimeve të tyre, në mënyrë të sigurt;
  • t’u heqin atyre privilegjet që gëzojnë kur nuk sillen mirë dhe t’i japin vlerë sjelljes positive;
  • t’u ndalojnë daljen nga shtëpia për të takuar shokët/shoqet;
  • t’u kërkojnë të ndreqin dëmet e shkaktuara ose të paguajnë për to (me kusimet vetjake);
  • t’u bëjnë një qortim të vendosur mbi sjelljen negative;
  • t’i detyrojnë të kalojnë një kohë të caktuar vetëm për të reflektuar mbi sjelljen e tyre.

Bazuar në stilet kryesore të prindërimit, specialistët pranojnë se modeli më i mirë i
prindërimit është ai demokratik ose i quajtur ndryshe stili autoritativ. Çfarë duhet të keni
parasysh që të zbatoni me sukses këtë mënyrë prindërimi?

Përcaktoni synimet tuaja:
Ju dëshironi një metodë që të ndalojë sjelljen e keqe të fëmijës tuaj, të zvogëloni
kundërshtimet dhe rrisni bashkëpunimin në mënyrë që ata të ndjekin udhëzimet tuaja. Kjo do të zvogëlojë inatin, agresionin, e pakënaqësitë e fëmijës. Ndoshta ju mund të pyesni veten “Inati i fëmijës tim, – Po me stresin tim çfarë ndodh?!” Çelësi i gjithë kësaj është të kuptoni se zgjidhja e problemeve të fëmijëve, zvogëlon edhe nivelin e stresit tuaj.

Si të përmbushni qëllimet tuaj?
1. Mësoni fëmijën tuaj t’ju respektojë. Jini të përgjegjshëm ndaj fëmijëve dhe
siguroni për ta një ambient të sigurt dhe të besueshëm. Tregoni afeksion duke i përqafuar dhe shprehur sa të rëndësishëm janë ata për ju. Lavdëroni sjelljen e mirë të fëmijëve tuaj dhe përforconi atë në mënyrë që fëmijët të duan ta përsërisin sa më shpesh.
2. Mësoni fëmijët të kenë besim tek ju. Dëgjojini ata kur flasin në mënyrë qëtë ndihen të rëndësishëm për ju. Jini të durueshëm.
3. Shpenzoni kohë duke u shpjeguar pse duhet zbatuar një rregull i caktuar dhe pasojat e moszbatimit të tij mbi mirëqenien e fëmijës ose të të tjerëve.
4. Kur fëmija juaj bën një gabim, mos i thoni “Djalë i keq/vajzë e keqe!” por shpjegoni se çfarë ka bërë gabim. Për shembull, nëse fëmija juaj kalon rrugën pa marrë leje, mund t’i thoni “Po të kalosh rrugën pa kontrolluar nëse ka makina, mund të lëndohesh apo jo?” Më pas tregoni se çfarë duhet të bëjë: “Rruga kalohet pasi kemi parë nga të dyja
drejtimet nëse ka makina”. Nëse ju bëni një gabim mos keni frikë të kërkoni falje. Ata do ta kuptojnë mirë “mësimin” duke shërbyer kështu si një model për ta. Fëmijët ju shohin dhe mësojnë prej jush.
5. Mbani qëndrim të pandryshueshëm në zbatimin e rregullave të cilat duhet të jenë sa më të qarta për fëmijët. Këto rregulla duhen përforcuar në mënyrë të vazhdueshme nga të gjithë pjesëtarët e familjes, përfshirë nënën, babanë, gjyshen, motrat e vëllezërit.
6. Shpenzoni kohë me fëmijët tuaj dhe ndërmerrni aktivitete të ndryshme si të lexoni një libër, të luani apo të dilni shëtitje së bashku. Mos harroni se fëmijët shpesh sillen keq për të tërhequr vëmendjen në mënyrë që t’ju kujtojnë se kanë nevojë të kalojnë më shumë kohë me ju.
7. Kujdesuni për veten tuaj. Mos harroni se të jesh prind nuk është e lehtë dhe se juve ju duhet kohë e mundësi për të qenë mirë vetë. Një ditë në javë mund t’ia lini kujdesin për fëmijët dikujt të besuar dhe merrni pjesë në një aktivitet që ju pëlqen dhe ju bën të ndiheni mirë. Këto janë disa këshilla të thjeshta që ju mund t’i aplikoni për të vendosur një marrëdhënie të shëndetshme dhe komunikim pozitiv.

*Ky artikull u zhvillua nga Together for Life në kuadër të projektit “Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna dhe abuzimi nëpërmjet edukimit gjithëpërfshirës”, i cili zbatohet në kuadër të skemës së granteve të vogla të projektit “Promovimi i të drejtave të njeriut nëpërmjet arsimit gjithëpërfshirës dhe fuqizimit të Organizatave të Shoqërisë Civile Lokale” i financuar nga BE dhe i zbatuar nga “Shoqata Internacionale për Solidaritetin në partneritet me Fondacionin AVSI dhe shoqatën Gruaja në Zhvillim Shkodër.

Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Together for Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE”.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here