Si ndihmohen fëmijët që të mos bëhen viktima të abuzimit seksual

Nga Silvana Kola-Loka

Nuk ndihmohen duke iu thënë “Bëj kujdes!”.

“Bëj kujdes!” nuk është asgjë tjetër veçse “thjesht një larje goje”.

E di! Do të thoni se kjo nuk është një gjuhë që do ta prisnit nga unë, por kjo çështje është ndër ato për të cilat, për hir të së vërtetës, unë e bëj kurban politesën.

Duam t’i ndihmojmë fëmijët të mos bëhen viktima të abuzimit seksual?

Le të flasim çdo ditë me nënat e tyre. T’iu mësojmë se duhet të jenë të hapura me fëmijët e tyre: të komunikojnë vazhdimisht dhe për gjithçka; pa i bërë fëmijët të kenë turp apo frikë, edhe për zhvillimin e tyre seksual, madjé, sidomos për atë. Fëmijët kanë kuriozitet të natyrshëm për seksin e tyre dhe, nëse nuk flitet në familje, predatorët seksualë janë të gatshëm ta tërheqin fëmijën nën kthetrat e tyre.

Nënat t’i mbështesim gjithashtu, vazhdimisht. Historia tregon se fëmija i dhunuar seksualisht ka një nënë, e cila është viktimë e dhunës, në pjesën më të madhe të rasteve.

Le të flasim me baballarët gjithashtu. T’iu mësojmë baballarëve se kur instalojnë frikë në familje, rrezikojnë që fëmija të mirëpresë çdo kontakt me një të rritur që iu duket se po kujdeset për ta, sikurse bëjnë pedofilët. Baballarët kanë nevojë edhe për mbështetje për të mbajtur një punë të qëndrueshme dhe për të mos rënë në alkool dhe bixhoz. Historia tregon se fëmijët e dhunuar seksualisht kanë baballarë pedantë, të frikshëm ose kryesisht neglizhentë.

Të flasim me fqinjët gjithashtu. T’iu mësojmë se, nëse shikojnë apo dyshojnë se fëmija i gjitonit po dhunohet apo shfrytëzohet seksualisht, ai nuk do të jetë viktima e vetme. Predatorët seksualë të fëmijëve nuk ndalen nëse nuk i ndalin.

Të flasim me mësuesit gjithashtu. T’iu mësojmë mësuesve se një fëmijë që hesht, që rri i tërhequr, që mbulohet vazhdimisht me rroba, që bëhet agresiv në mënyrë të papritur apo që ka sjellje seksuale të papërshtatshme për moshën, mund të jetë viktimë e abuzimit seksual. Por, mësuesit kanë nevojë të lirohen nga ngarkesat artificiale administrative dhe nga presione politike për të ruajtur vendin e punës, që të mund të fokusohen tek ai që duhet të ishte qëllimi madhor i punës së tyre: mirëqenia e fëmijës.

Pa duhet të flasim me median gjithashtu. T’i mësojmë medias se dhuna dhe seksi janë dy gjeneratorët më të mëdhenj të shikueshmërisë së lartë, por edhe dy stimuluesit më të fuqishëm të tolerancës ndaj dhunës seksuale. Media duhet të zgjedhë një herë e mirë: ose pushtetin e parasë ose mirëqenien e fëmijëve; një rrugë të mesme nuk ka. Edhe gazetarët kanë fëmijë gjithashtu.

Pa duhet folur edhe me politikanët dhe politikat e mbrapshta që e kanë zhveshur lagjen nga lodrat, nga bari, nga katet e para në të cilat tani luhet bixhoz e konsumohet drogë dhe prostitucion ditën me diell dhe kanë asfiksuar çdo mbështetje për argëtime apo aktivitete për fëmijët, për të cilat, nëse prindërit duan t’ua sigurojmë fëmijëve të tyre, do duhet të paguajnë qimet e kokës.

Si ndihmohen fëmijët që të mos bëhen viktima të abuzimit seksual?

Nuk ndihmohen duke iu thënë atyre: “Bëj kujdes!”.

Jo miq, Jo! Nuk iu thuhet fëmijëve “Bëj kujdes!”.

Iu thuhet pedofilëve: “Nëse manipulon, ngacmon, abuzon apo dhunon seksualisht një fëmijë, ti do të dënohesh me dënimin maksimal pa të drejtë gjykimi të shkurtuar apo të tjera ‘kapërcime’ nëpër ligj. Dhe kur të dalësh nga burgu, kudo që të shkosh, emri dhe fytyra jote do të bëhen publike, që të gjithë të dinë se kush je e të mbrojnë fëmijët prej teje!”.

Kur t’i kemi bërë të gjitha këto, vetëm atëherë mund të marrim guximin të ulemi në gjunjë përpara fëmijëve dhe t’iu themi: “Bëj kujdes!”Vetëm kur t’i kemi bërë të gjitha sa janë në përgjegjësinë tonë si të rritur, vetëm atëherë mund ta bëjmë fëmijën të ndjehet pjesëmarrës në ruajtjen e sigurisë së tij.

Deri atëherë “Ne, të gjithë, në të gjitha rolet që kemi marrë në jetë, na qoftë faqja e zezë! E ç’emër mund t’i vendosë vetes një shoqëri që e ka lënë fëmijën të rritet dhe të ruhet vetë, si një bimë në mes të xhunglës?!”

 

Postime të ngjashme

Miopia - pandemia e shekullit 21! Okulisti: Alarmante tek fëmijët, ja shkaku
Si ndikon koha para ekranit në zhvillimin e trurit të fëmijëve
9 gjërat që çdo prind i ri duhet të dijë, sipas mamive
Autizmi virtual, fëmijë me vonesa në zhvillim e të folur për shkak të “celularit në dorë”
Studimi: Kujdes me antibiotikët te fëmijët e vegjël, shkaktojnë edhe obezitet!
A kanë fëmijët dhimbje koke nga migrena? Çfarë duhet të dinë prindërit
Terapia e Aerosolit, mund të shkaktojë takikardi tek bebet
4-vjeçarja humb ndjenjat, ekspertët ngrejnë alarmin për rreziqet që sjellin pijet "slushy"