Nuk duhet shkuar në krevat pa ngrënë asgjë. Kjo do të shkaktonte çrregullime në gjumin tonë duke mos furnizuar siç duhet trurin me sheqer
Blerina Bombaj, dietologe
Jam e sigurt që shumë nga ne kanë kohë pa bërë një gjumë nate të qetë dhe të ëmbël! Shumë raportojnë vështirësi për t’i zënë gjumi, të tjerë probleme zgjimi të shpeshtë natën dhe së fundmi problemi i zakonshëm: zgjohem i/e lodhur. Mosha më e prekur nga këto probleme duket të jetë mosha e mesme, por vihet re një rritje edhe në moshën 17 – 30vjeç. Kryesojnë gratë!
Gjumi është një eksperiencë Mendje – Trup
Pa dyshim që nga ana fiziologjike gjumi është një proces i komplikuar që lidhet me shumë faktorë të spektrit mendje – trup. Kur ne jemi të stresuar apo të mërzitur apo na ka pushtuar ankthi, natyrisht që nuk pretendojmë të flemë si “qengja” dhe as mund të rregullojmë cilësinë e gjumit pa rregulluar situatat që përmendëm. Në krahun tjetër, statusi ushqimor dhe ushqimi që hamë ndikon në cilësinë e gjumit tonë.
Zakonet dhe oraret bëjnë diferencën
Të gjithë e kemi dëgjuar këshillën “mos konsumo vakt të rëndë para gjumit”. Sado e thjeshtë që dëgjohet kjo këshillë, është shumë e rëndësishme por jo aq e lehtë për t’u zbatuar. Shumë nga ne e kanë darkën vaktin kryesor ose më të plotë të ditës. Shumica e njerëzve që punojnë me oraret e zakonshme deri në mbasdite, ushqehen pa orar dhe me ushqime te thata, të shpejta dhe të gatshme, si: tostet, sanduiçët, picat, makaronat etj. Ndërsa për vakt të ndërmjetëm përdorim kafen! Zor se ushqehemi në të njëjtat orare çdo ditë. Të gjitha këto zakone kuptohet që nuk janë në favor të një gjumi të qetë natën. Pasoja kryesore e parregullsisë së vakteve gjatë ditës është ajo e humbjes së kontrollit kur ulemi në darkë për të ngrënë. Humbja e kontrollit konsiston në tre aspekte:
1. nuk duam shumë t’ia dimë se çfarë ushqimi kemi përpara, mjafton të fusim diçka në stomak
2. nuk durojmë dot dhe hamë shumë shpejt duke mos i bluar aq mirë sa duhet ushqimet
3. duke ngrënë shpejt nuk llogarisim dot sasinë e ushqimit që hamë
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin 14-30 prill 2014 të gazetës “Shëndet+”)


