Si preket zemra te të rriturit dhe fëmijët nga enterovirozat

Për gazetën “Shëndet+” dhe shendeti.com.al, mjeket Entela Kolovani, Rovena Byku 

Nuk ka asnjë vaksinë për të parandaluar enteroviruset. Megjithatë, ajo që ka rëndësi dhe vlen të theksohet, janë masat parandaluese, si: higjiena personale, larja e duarve sa më shpesh me ujë dhe sapun dhe shmangia e kontakteve të afërta me të sëmurët. Këshillimi tek mjeku duhet bërë kur temperatura zgjat më shumë se 2-3 ditë, kur ka të vjella persistente, irritabilitet, dhimbje abdominale (zonës së barkut), retension urinar, lëvizje jonormale e syve, dobësi e theksuar trupore etj. 

gripÇfarë janë enterovirozat?

Enterovirozat janë një grup sëmundjesh infektive të shkaktuara nga disa viruse të familjes së enteroviruseve, sëmundje që variojnë nga të lehta deri te shumë të rënda. Rreth 90% e popullatës që bie në kontakt me to, e kalojnë pa u vënë re, pa asnjë shenjë klinike ose mund të kenë vetëm një gjendje febrile jospecifike. Një pjesë kalojnë një situatë të ngjashme me gripin, ndërsa një pjesë e vogël paraqitet me encefalite, miokardite, sepsis e deri në sëmundje paralizuese dhe invalidizuese për tërë jetën, siç është poliomieliti. Zakonisht infeksionet nga enteroviruset ndodhin në periudhën e verës dhe të vjeshtës.

Shenjat klinike

Klinikisht mund të fillojë me shenjat e gripit, pra sëmundja fillon me:

  • temperaturë,
  • dhimbje koke,
  • dhimbje muskujsh,
  • dobësi trupore,
  • anoreksi,
  • përgjumje dhe më pas dominon klinika e organit apo organeve të prekura.

Kështu, nëse virusi ka preferencë për rrugët e sipërme të frymëmarrjes, sëmundja mund të manifestohet me një anginë të ngjashme me atë bakterore, por që në rastin konkret duhet diferencuar dhe nuk duhet mjekuar me antibiotikë.

Po kështu mund të kemi bronkite ose trakeobronkite, sëmundje dispeptike në fëmijët dhe gastroenterite tek të rriturit, miokardite dhe encefalite deri në paraliza. Mjaft e shprehur ka qenë dhe sëmundja e gojë-duar-këmbëve, e cila manifestohet me temperaturë të lartë, dhimbje të fortë të qiellzës dhe elemente makulo-papuloz në gojë, duar dhe këmbë.

Poliomieliti paraqet shenja të një infeksioni viral duke përfshirë temperaturë, dhimbje koke, dhimbje fyti, humbje oreksi, të vjella dhe dhimbje abdominale. Ai paraqitet në dy forma: atë paralitike dhe joparalitike.

Forma paralitike fillimisht është e ngjashme me atë joparalitike; fillon si një gjendje febrile akute e karakterizuar nga një meningjit aseptik, paraliza të një ose më shumë ekstremiteteve.

Më shumë se 90% e enterovirozave të shkaktuara nga viruset jo të poliemielitit janë asimptomatike. Enterovirozat janë shkaktarët më të shpeshtë virale të perikarditeve tek adultet, ndërsa tek neonatët preket më shumë miokardi.

Miokarditi i shkaktuar nga enteroviruset

Miokarditi i shkaktuar nga enteroviruset prek në mënyrë tipike adoleshentët dhe adultët dhe fillon me dispnea, dhimbje gjoksi dhe zakonisht paraprihet nga një infeksion i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes (1-2 javë).  Mund të manifestohet si infarkt akut miokardi me aritmi deri në vdekje.

Hemorragjia akute konjuktivale

Hemorragjia akute konjuktivale e shkaktuar nga enteroviruset mund të shkaktojë epidemi për shkak të se është shumë ngjitëse. Në zonat e populluara dhe me higjienë të ulët përhapja është shumë e shpejtë.

Simptomat përfshijnë:

  • djegie dhe dhimbje të syve,
  • fotofobi
  • dhe ndjesinë e trupit të huaj në sy.

Përfshihet fillimisht njëri sy, pastaj tjetri. Shërimi zakonisht ndodh pas 7-10 ditësh.

Gjendje febrile (me temperaturë) me shkak të panjohur është një nga prezantimet më të shpeshta të enteroviruseve. Fillon papritur me temperaturë, e cila zakonisht zgjat një javë dhe ka karakter bifazik.

Pacientët mund të kenë:

  • dhimbje fyti,
  • dhimbje muskujsh,
  • nauze,
  • të vjella,
  • diskomfort abdominal,
  • diarre.
  • Meningjiti aseptik në më shumë se 90% e rasteve shkaktohet nga Koksaki edhe Echo virus.

Sindromat prodromale përfshijnë:

  • temperaturë,
  • të vjella,
  • fotofobi,
  • dhimbje koke,
  • rigiditet nukal.

Rashi dhe prekja e traktit të sipërm respirator mund të jenë të pranishme. Tek foshnjet temperatura dhe irritabiliteti janë më të pranishme.

Angina herpetike me shkaktar kryesor viruset koksaki përshkruhet si një enantemë folikulare e tonsilave dhe palatumit që më shumë prek fëmijët e moshave 3-10 vjeç.

Simptomat fillojnë me një rritje të menjëhershme të temperaturës, dhimbje fyti, vështirësi në gëlltitje. Një ditë më vonë fillojnë vezikulat e dhimbshme të mukozës orale. Faringu posterior dhe tonsilat mund të përfshihen. Është më e shpeshtë në stinën e verës.

Ankesa të tjera përfshijnë anoreksi, irritabilitet, dhimbje koke, diarre. Simptomat zakonisht përmirësohen brenda 3-4 ditëve.

Encefaliti me shkaktar etiologjik më të shpeshtë Echo Virus paraqitet kryesisht me këto shenja klinike:

  • letargji,
  • ndryshime të personalitetit,
  • pareza
  • koma.

Enteroviruset mund të gjenden në sekrecionet respiratore si saliva, sputum apo sekrecionet nazale, si dhe në feçet e personave të infektuar. Infektimi bëhet zakonisht përmes kontaktit të afërt me të sëmurë, spërklat e pështymës gjatë teshtitjes, përmes konsumit të ujit apo ushqimeve të ndotura me fekalet e të sëmurëve, si dhe nga kontakti me veshje apo mjete të përdorura nga të sëmurët.

Për sëmundjet e shkaktuara nga enteroviruset nuk ka një mjekim efikas etiologjik, në përgjithësi ato vetëshërohen dhe në rastet e rënda mjekimi është ndihmues, sipas rastit.

Postime të ngjashme

Tre gabimet më të zakonshme që bëjmë me deodorantin
“Do ta mbaj fjalën” – Ministrja e Shëndetësisë: Brenda vitit do ta kemi aparaturën e brakiterapisë
Ministrja e Shëndetësisë: Synojmë që pacientët shqiptarë të kenë trajtime të krahasueshme me ato të vendeve të BE
Publikohet lista e spitaleve më të mirë në botë për vitin 2026, mes tyre edhe Anadolu Medical Center
Pse dobësohet shikimi me kalimin e moshës?
Ushqimet që ndihmojnë në rregullimin e sheqerit në gjak
Simptoma nr.1 që sinjalizon tumor në tru! Mjekët: Nuk duhet ta injoroni
Pse zgjoheni vazhdimisht të lodhur dhe si ta përballoni këtë gjendje