Denisa Canameti
Syri është organi i të parit. Duke qenë i zbuluar, ai është në kontakt me diellin dhe ambientet e ndotura nga pluhuri. Ndaj mjekja okuliste Suzana Zhuka thotë se duhet të tregojmë kujdes të veçantë. Shumë prej fëmijëve manifestojnë probleme të shumta me shikimin, si rrjedhojë e qëndrimit me orare të stërzgjatura para ekraneve të kompjuterëve, laptovë apo celularëve. Kjo problematikë është bërë edhe më e dukshme si rrjedhojë e rregullit të ri që është vendosur për regjistrimet e klasave të para, ku një ndër dokumentet e kërkuara është edhe raporti i vizitës së zhvilluar tek okulisti. Sipas ekspertëve okulistë,
prindërit duhet të jenë më të vëmendshëm që të mos neglizhojnë kujdesin dhe përkushtimin ndaj fëmijëve të tyre, veçanërisht sa i takon orëve të qëndrimit para këtyre pajisjeve teknologjike, dëmet e të cilave janë të shumta. Koha e rekomanduar për qëndrimin para televizorit për fëmijët e kësaj grupmoshe, nuk duhet të jetë më shumë se 30 minuta.
Doktoreshë, çfarë do të konsideronim problem kur flasim për shëndetin e syrit?
Një ndër problemet e shëndetit të syve, është syri i thatë. Syri i thatë është një term mjaft i përhapur. Syri ka gjendrën e lotit që prodhon lotin normal, që lubrifikon syrin dhe ka rol shumë të rëndësishëm.
Pse është shumë i përhapur syri i thatë sot?
Shkaqet e syrit të thatë janë të shumtë. Unë po marr problemin global: sepse kemi hollim të shtresës së ozonit. Rrezatimi është shumë i dëmshëm në atmosferë dhe ndikon direkt në sy, sepse syri është një organ i ekspozuar. Nuk ka të bëjë fare me moshën. Është i përhapur në të gjitha grupmoshat.
Syri i thatë është i përhapur dhe tek të rinjtë që përdorin shumë kompjuterin, që nuk kanë ekranin me filtër mbrojtës. Oraret e zgjatura përballë televizorit bëjnë që rrezatimi i kompjuterit të ndikojë direkt në korne, në xhamin e syrit, në pjesën e ekspozuar të syve, duke dhënë syrin e thatë. Rekomandohet përdorimi i lotëve artificialë. Por po vëmë re që dhe përdorimi i tyre nuk është se po e zgjidh shumë problem.
Por këta lotët artificialë janë me flakonë dhe janë multidozë, janë me konservantë, normalisht duhet që të përdoren monodozë, pa konservantë, sepse japin rezultatin më të mirë.
Sindromi i syrit të thatë jep ndjesinë e të gërvishturit të syrit, ndjesinë e trupit të huaj, jep shumë bezdi në lëvizjen e qepallave. Mbas disa orëve që mund të kesh qëndruar para kompjuterit, ndodh një lodhje e syrit. Nga sindromi i syrit të thatë kalon në një fazë tjetër që quhet syri i lodhur. Pas syrit të thatë fillojnë konjunktivitet, fillojnë dhimbjet dhe nuk mund të punosh më me orë të zgjatura.
Çlodhja e syrit konsiston duke parë sa më larg në horizont me ambient, me natyrë, me jeshilllëqe. Syri është një organ që lodhet sikurse gjithë organet e tjera. Edhe syri, nëse rrimë me orë të tëra para 1 dhome, sigurisht që lodhet. Do këshilloja njerëzit që kur t’u lodhet syri, të hedhin vështrimin larg në horizont. Funksionon dhe është e vërtetuar.
Veç syrit të thatë, çfarë mbetet tjetër problematikë?
Tjetër problematikë mbeten çrregullimet e të parit. Kemi të përhapur shumë anomalitë e refraksionit, që janë miopa, hipermetropia. Vëmë re shtimin e numrit të fëmijëve që kanë nevojë për vendosjen e syzeve. Pavarësisht se nuk i kanë të trashëguara nga prindërit. Në depistimin që kemi bërë në 2 vitet e fundit, sipas urdhrit të ministrisë, për të bërë vizitën e syve tek të gjithë parashkollorët, kemi vënë re një shtim të numrit të pacientëve fëmijë që kanë nevojë për syze. Po shtohet numri i fëmijëve që kanë nevojë për syze korrigjuese, për të rregulluar anomalitë e të parit.
Problem tjetër është edhe kremi pudër (make up). Jemi para një fakti që janë futur shumë firma kozmetike jo të licencuara apo të kontrolluara nga mjekët dermatologë, nga Shoqata Botërore e Shëndetit, e cila jep patentat për t’u hedhur në treg. Ato hidhen të pakontrolluara dhe kemi probleme tek femrat.
Duhet të jetë e shkruar tek lapsi dhe çdo gjë tjetër: E testuar dermatologjikisht. Alergjitë janë shumë të përhapura në këtë rast. Japin alergji të syve deri tek këto dermatitet e kontaktit nga tonet që përdoren që janë shumë problematike, që zgjasin për një kohë të gjatë dhe instalohen në lëkurën përreth syve që është shumë pjesë delikate.
Kujdesi në qendra estetike…
Më ka ndodhur në punën time të përditshme që të më vijnë pacientë me sy të fryrë për shkak të përdorimit të makijazhit në qendra estetike. Më erdhi një paciente e cila kishte bërë tualet në një qendër estetike. Ata lapsa që janë përdorur para saj në një person që ka pasur infeksion të syrit, i janë përdorur edhe asaj, duke bërë që të kalojë infeksioni. Ne rekomandojmë që lapsat e syve, fondatina, buzëkuqi të jenë personale. Dhe kur janë personale, maja e lapsit duhet të mprihet sa herë përdoret.
Smogu, pluhuri, shëndeti i syve
Në një studim që është bërë, ka dalë që Tirana është 7 herë më e ndotur sesa duhet të jetë. Kjo për shkak të qarkullimit të lartë të mjeteve. Karburantet janë jo cilësore dhe të dëmshëm për mukozën e syve. Përhapin në ambient një ndotje maksimale. Ne rekomandojmë mbajtjen e syzeve mbrojtëse që bëjnë të mos jetë ndotja direkt në sy. T’i vihet një barrierë mbrotjëse.
Sapuni dhe sytë
Këtu nuk është akoma në kulturë që nuk mund të lahen sytë me të njëjtin sapun që lajmë duart.


