Si të parandaloni demencën, sipas ekspertëve

Përshtati në shqip: Blertina Koka

OBSH ka hartuar një udhëzues se si mund të parandalohet demenca. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, demenca prek 50 milionë njerëz në botë, ndërsa diagnozat pritet të trefishohen deri në vitin 2050. Edhe pse nuk ka një trajtim përfundimtar të kësaj sëmundjeje, ka disa mënyra për uljen e rrezikut apo ngadalësimin e përkeqësimit të sëmundjes.

Mosha është faktori më i madh i rrezikut, por demenca nuk është një pasojë e paevitueshme e plakjes. Faktorë që lidhen me stilin e jetesës, si mungesa e aktivitetit fizik, duhanpirja, dieta e pashëndetshme dhe alkooli i tepruar, rrisin në mënyrë domethënëse kërcënimin e sëmundjes.

Gjendje mjekësore si diabeti, tensioni i lartë, kolesteroli i lartë, obeziteti dhe depresioni, po ashtu luajnë një rol në rënien konjuktive dhe zhvillimin e demencës.

Udhëzuesi rekomandon:

Kryeni aktivitet fizik – të rriturit, sidomos të moshuarit, duhet të kryejnë të paktën 150 minuta aktivitet fizik të moderuar në javë.

Hiqni dorë nga duhani – është i dëmshëm për trurin dhe trupin.

Ushqehuni mirë, me një dietë mesdhetare të shëndetshme, që përmban shumë perime dhe fruta të freskëta.

Mos përdorni pilula me vitamina – nuk ka të dhëna shkencore që mund të ndihmojnë për uljen e rrezikut për zhvillimin e demencës.

Shmangni përdorimin e tepruar të alkoolit. Abuzimi me alkoolin është i rrezikshëm. Disa studime kanë sugjeruar që konsumimi i moderuar i alkoolit mund të ofrojë mbrojtje kundër demencës, megjithatë nuk ka të dhëna të mjaftueshme që mbështesin këtë ide.

Ushtrime mendore – disa studime sugjerojnë se ushtrime që vënë në funksion trurin, si fjalëkryqet apo lojërat kompjuterike, mund të ndihmojnë kundër demencës.

Jini socialë – edhe pse nuk ka të dhëna që mund të ndalojë apo ngadalësojë zhvillimin e demencës, socializimi lidhet me shëndet të mirë dhe mirëqenie.

Mbani një peshë normale të trupit – kjo shkon në të njëjtën linjë me ushqyerjen e shëndetshme dhe kryerjen e aktivitetit fizik.

Kujdes me tensionin e lartë të gjakut – ka një lidhje të fortë mes demencës dhe tensionit të lartë të gjakut.

Merrni trajtim nëse vuani nga diabeti – mbajtja nën kontroll e diabetit është shumë e rëndësishme që të parandalohen ndërlikime të tjera të lidhura me këtë sëmundje, përfshirë edhe demenca.

Kujdes me kolesterolin e lartë – është një faktor rreziku, edhe pse nuk është e qartë nëse ilaçet që ulin kolesterolin (statinët) mund të parandalojnë rrezikun e zhvillimit të demencës.

Burimi: BBC / Shendeti.com.al

 

 

Postime të ngjashme

Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin