- Agron Islamaj
- mjek neurolog
Lodhje, vështirësi për t’u ngritur në mëngjes apo probleme me pagjumësinë, vështirësi për t’u përqëndruar dhe irritim. Janë të gjitha simptoma të “ndërrimit të orës diellore”. Ndonëse nuk përbën problem serioz për shëndetin, mjekët neurolog tërheqin vëmendjen që nëse problemet me gjumin zgjasin në kohë, duhet bërë konsultë me mjekun specialist. Mjeku neurolog Agron Islamaj shpjegon se cilët janë kontingjenti më i predispozuar të shfaqin probleme, dhe si mund të kalohet sa më shpejt ky problem:
Doktor, është e vërtetë që ndërrimi i orës, shoqërohet me ndryshime në sferën psiko-emotive?
Ndodh që me ardhjen e vjeshtës dhe ndërrimin e orës, disa persona të shfaqin probleme me humorin, gjumin, aktivitetin e tyre të përditshëm intelektual. Shkaqet lidhen me faktorë të jashtëm atmosferikë dhe orët me dritëm që ndikojnë në prodhimin e një hormoni: serotoninës. Mungesa e këtij hormoni shfaq ndryshime në ekoilibrin kimik, biologjik të organizmit, që manifestohen në tru.
Si shfaqen këto probleme dhe ku shfaqen më tepër këto probleme?
Jo të gjithë njerëzit preken nga “sindroma e ndërrimit të stinëve” dhe jo të gjithë reagojnë në të njëjtën mënyrë. Më shumë probleme shfaqin: të moshuarit, personat e ndjeshëm dhe ankthcioz. Përsa i përket seksit, shfaqet më tepër te gratë, gjë që lidhet me profilin e tyre hormonal dhe biologjik, që i bën më të ndjeshme ndaj këtyre ndryshimeve. Ndërsa përsa i përket simptomave janë të ndryshme, por më të shpeshtat janë: probleme me gjumin, irritim, humor i keq, vështirësi në përqëndrim, lodhje, këputje trupore, etj.
Si mund të kalohet lehtë ky problem?
Në përgjithësi, këto probleme kalojnë lehtë, me përshtatjen e organzimit me oraret e reja. Gjithësesi rekomandohet fototerapia, ndjekja e një higjene të mirë të gjumit, respektimi i një stili jete të shëndetshme. Nëse këto probleme zgjasin në kohë, atëherë duhet konsultuar me një mjek specialist, sepse duhet marrë një mendim i specializuar dhe vendosur një diagnozë për ta trajtuar.
ushqyerja
Natyrisht me ardhjen e vjeshtës dhe ndërrimin e orareve, duhet të respektohet një regjim ushqimor i balancuar dhe i pasur me vitamina, kripëra minerale dhe proteina. Vetëm në këtë mënyrë organizmi mund të marrë energjitë e nevojshme, për të përballuar sa më lehtë dhe kaluar gjendjen e apatisë që shoqëron vjeshtën. Rekomandohen ushqime me shumë kalori, sepse në këtë mënyrë mund të përballohen me mirë ndryshimet klimaterike.