Për 4-5 persona duhen:
miell 1 filxhan çaji- qumësht 2 filxhanë çaji
- ujë sipas trashësisë së brumit
- vezë 1-2 kokrra
- kripë 1 lugë kafeje
- sheqer
- pak sodë
- vaj për të lyer tiganin 4-5 lugë gjelle ose gjalpë.
Për kimën duhen:
- mish 350-400 gr
- qepë 2 kokrra
- yndyrë 4-5 lgë gjelle
- domate 3-4 kokrra ose salcë 1 lugë gjelle
- kripë
- piper
- 1 fletë dafine
- kaçkavall i grirë 3 lugë gjelle
Përgatitja
Në një enë porcelani rrihen vezët, shtohet qumësht dhe pak sheqer, hidhet miell i situr dhe zihet një brumë i hollë që të derdhet lehtë nga luga. Në një tigan të nxehtë të lyer me yndyrë (gjalpë) hidhet pak brumë dhe, duke e luajtur tiganin, brumi hapet në të gjithë sipërfaqen e tij me trashësi 3-4 mm. Piqet nga njëra anë dhe kthehet nga ana tjetër.
Petët e pjekura vendosen njëra mbi tjetrën në një pjatë të cekët.
Ndërkohë, përgatitet kima për mbushje. Në një tigan me yndyrë të nxehtë kaurdiset qepa e prerë në formë kubikësh të vegjël, pas kaurdisjes shtohet mishi i grirë, përzihet duke e mbajtur në zjarr për 10 minuta derisa të avullojë lëngu dhe të mbetet me yndyrën e vet. Shtohen domatet e qëruara e të grira ose salcë.
Përzihen së bashku, hidhet kripë, piper, dafinë, pak ujë dhe lihen në zjarr të ngadaltë për 10-15 minuta, derisa lëngu të avullojë. Në mes të petës vendosen 1-2 lugë kimë, mblidhet peta në formë roleje, duke futur anët brenda, dhe vihet në furrë. Spërkaten me gjalpë e djathë kaçkavall dhe piqen për 10-15 minuta. Në mungesë të furrës ose të tavës me korent, këto mund të skuqen lehtë nga të dyja anët.
Vendosen në pjatë dhe spërkaten me gjalpë. Kima për mbushje mund të bëhet edhe pa salcë.
Ju bëftë mirë!


