Përgatiti për “Shendeti.com.al“: Fize Smailaj
Ushqimet e detit janë ndër më të shëndetshmet për t’u konsumuar. Kjo pasi ato janë shumë të pasura me acide yndyrore omega 3, proteina dhe shumë hekur. Një ndër këto ushqime është edhe oktapodi. Le të shohim një mënyrë për ta gatuar atë.
Oktapod stifadho me domate dhe qepujka
Përbërësit për 4 persona:
- 1 oktapod rreth 1 kg
- 4 thelpinj hudhra
- 2 gjethe dafine
- 500 g qepujka të pastruara
- 500 g domate
- Pak kanellë
- 1 filxhan çaji ujë i nxehtë
- ½ filxhan çaji vaj ulliri
- ½ filxhan çaji uthull
- 10 kokrra piper i zi
- Kripë
Përgatitja:
Në një tenxhere ziejmë për 30 minuta oktapodin në ujë dhe kripë. Pas 30 minutash e nxjerrim oktapodin, e kullojmë dhe e presim në copa me madhësi 2 cm. Në një tenxhere tjetër vendosim vajin, hudhrën e prerë imët dhe oktapodin. I përziejmë për 10 minuta. Më pas shtojmë uthullën, domatet, piperin, kanellën, dafinën dhe ujin e nxehtë. Ulim zjarrin dhe i lëmë të ziejnë për 40 minuta. Pastaj i shtojmë edhe qepujkat dhe i lemë të ziejnë edhe për një orë.


