Kryefaqja Lajm kryesor Si të veproni gjatë një tërmeti

Si të veproni gjatë një tërmeti

0
Shpërndaje

Ndryshe nga llojet e tjera të fatkeqësive natyrore, tërmetet mund të ndodhin në çdo kohë, pa asnjë paralajmërim.

Tërmetet dhe dëmet prej tyre nuk janë diçka e re për vendin tonë, por ato të kësaj shkalle kanë qenë të rrallë, fatmirësisht. Të dish si të veprosh gjatë një tërmeti mund të bëjë ndryshimin në aftësinë për të mbrojtur veten, familjen apo njerëzit që ju rrethojnë në rastin e një të tilli.

Disa këshilla se si duhet të veproni gjatë një tërmeti:

Nëse jeni brenda gjatë një tërmeti

  • Uluni përtokë, futuni poshtë një tavoline të fortë apo një mobilje tjetër të qëndrueshme dhe mbahuni fort derisa lëkundjet të ndalen. Nëse nuk keni një tavolinë apo diçka tjetër ku mund të mbroheni afër jush, mbuloni me krahë fytyrën dhe kokën dhe qëndroni në një qoshe të brendshme të ndërtesës ku jeni.
  • Qëndroni larg xhamave, dritareve, mureve të jashtme dhe gjithçka tjetër që mund të bjerë, si abazhurë apo mobilje.
  • Qëndroni në krevat, nëse jeni aty kur bie tërmet. Mbahuni dhe mbroni kokën me një jastëk. Por nëse jeni poshtë diçkaje që mund të bjerë, si një abazhur i rëndë, lëvizni për vendin e afërt më të sigurtë.
  • Mos qëndroni poshtë dyerve, vetëm nëqoftëse jeni të sigurtë se ajo është e ndërtuar mirë dhe mund të mbajë. Shumica e dyerve të brendshme nuk ofrojnë shumë mbrojtje.
  • Mos përdorni ashensorë.
  • Kini parasysh që mund të ikin dritat ose të ndizen alarmet që mund të keni në shtëpi.
  • Largohuni nga ndërtesa vetëm nëse mjedisi është i sigurtë.

Nëse jeni jashtë gjatë një tërmeti

  • Qëndroni jashtë.
  • Largohuni nga ndërtesat, dritat e rrugës, kabllot dhe shtyllat.
  • Pasi të keni dalë në një vend të hapur, qëndroni aty deri sa të ndalen lëkundjet. Rreziku më i madh ekziston direkt jashtë ndërtesave, në dalje dhe përgjatë mureve të jashtme.

Nëse jeni në makinë gjatë një tërmeti

  • Ndaloni sapo të keni mundësi pa shkaktuar ndonjë aksident dhe qëndroni në makinë. Mos ndaloni poshtë ndërtesave, pemëve, mbikalimeve dhe kabllove.
  • Nëse ndodheni në afërsi të ujërave, qëndroni larg bregut.
  • Vazhdoni me kujdes pasi tërmeti të jetë ndalur. Shmangni rrugët, urat apo kalimet e tjera që mund të jenë dëmtuar nga tërmeti.

Nëse jeni bllokuar poshtë rrënojave

  • Mos ndizni shkrepëse.
  • Mos lëvizni shumë rreth e rrotull dhe mos krijoni pluhur.
  • Mbuloni gojën dhe hundën me një shami apo rrobë.
  • Godisni murin apo një tub që t’ju dëgjojnë ekipet e shpëtimit. Përdorni diçka që mund të bëjë zhurmë nëse është e mundur. Bërtisni vetëm si një zgjidhje të fundit. E bërtitura mund të bëjë të gëlltisni sasi të rrezikshme pluhuri.

Burimi: Victoria State Emergency Service

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here