Sindorimi i zorrës së irrituar, simptomat dhe shkaqet

Sinjale të keqkoordinuara midis trurit dhe zorrës mund ta bëjnë trurin të reagojë më shumë seç duhet nga ndryshime që ndodhin normalisht gjatë procesit të tretjes

 Rozana Aleksi, gastrohepatologe

Sindorimi i zorrës së irrituar (SZI) është një çrregullim i zakonshëm që prek zorrën e trashë (kolon). SZI është një gjendje kronike që zakonisht shkakton dhimbje barku shtrënguese, spazma, fryrje, diarre dhe kapsllëk. Shqetësimet variojnë nga të lehta, dhe kontrollohen vetëm me ndryshimet në dietë dhe stilin e jetës, deri të rënda dhe kanë nevojë për mjekim përveç këtyre ndryshimeve.zorret

Megjithëse shenjat dhe simptomat janë të parehatshme, SZI, ndryshe nga kolitet inflamatore, nuk e dëmton murin e zorrës dhe nuk rrit rrezikun për kancer të zorrës.

Simptomat

Shenjat dhe simptomat e SZI-së variojnë nga njëri person tek tjetri dhe shpesh ngjajnë me ato të sëmundjeve të tjera. Më të zakonshmet janë:

  • Dhimbja ose spazmat e barkut
  • Ndjenjë fryrjeje
  • Gazra
  • Diarre ose kapsllëk, ndonjëherë alterim periudhash me kapsllëk dhe diarre
  • Mukus në feçe

Për shumicën e njerëzve SZI është një gjendje kronike, megjithëse probabilisht do të ketë periudha kur simptomat janë më të rënda, më të përmirësuara apo zhduken fare.

Megjithëse 1 në 5 të rritur kanë shenja të SZI, vetëm një pjesë konsultohen me mjekun. Por është e rëndësishme të konsultoheni kur keni ndryshim persistent të jashtëqitjes apo çdo shqetësim tjetër (gjakrrjedhje, dhimbje që shtohen apo që ndodh natën, rënie në peshë), pasi këto mund të jenë tregues i sëmundjeve më të rëndësishme, siç është kanceri i zorrës.

Shkaqet

Nuk dihet me saktësi çfarë e shkakton Sindromin e Zorrës së Irrituar, por dihet që kanë rol një sërë faktorësh. Muret e zorrës kanë shtresa muskulare që kontraktohen dhe relaksohen në ritëm të koordinuar duke çuar ushqimin nga stomaku në zorrë deri në rektum. Nëse keni SZI, këto kontraksione mund të jenë më të forta, mund të zgjasim më shumë se norma duke shkaktuar gazra, fryrje dhe diarre. Ose mund të ndodhë e kundërta, kontraksionet e zorrës mund të jenë më të dobëta, duke ngadalësuar lëvizjen e ushqimit dhe duke shkaktuar feçe të forta dhe të thata.

Anomali të ndryshme të traktit gastrointestinal mund të luajnë gjithashtu rol, duke ju bërë të ndjeni diskomfort më të madh kur barku tendoset nga gazrat apo feçet. Sinjale të keqkoordinuara midis trurit dhe zorrës mund ta bëjnë trurin të reagojë më shumë seç duhet nga ndryshime që ndodhin normalisht gjatë procesit të tretjes. Ky reagim i tepruar mund të shkaktojë dhimbje, diarre apo kapsllëk.

Nxitësit ndryshojnë nga njëri person në tjetrin

Stimuj që nuk shqetësojnë njerëzit e tjerë, mund të nxisin simptomat e SZI-së, por jo të gjithë njerëzit me SZI reagojnë ndaj të njëjtave stimuj.

Nxitësit e zakonshëm janë:

Ushqimet: Roli i alergjisë apo intolerancës ndaj ushqimeve nuk është kuptuar dhe sqaruar ende, megjithatë shumë njerëz kanë simptoma të rënda kur hanë ushqime të caktuara. Shumë ushqime përfshihen këtu – çokollatat, erëzat, yndyrnat, frutat, bishtajat, lakra, lulelakra, brokoli, qumështi, pijet me gaz dhe alkooli janë disa prej tyre.

Stresi: Shumë njerëz kanë përkeqësim të simptomave gjatë periudhave me rritje të stresit. Por stresi vetëm mund t’i rëndojë simptomat, jo t’i shkaktojë ato.

Hormonet: Meqë gratë preken dy herë më shumë nga SZI, kërkuesit mendojnë që ndryshimet hormonale mund të kenë rol në këtë gjendje. Shumë gra kanë përkeqësim të simptomave gjatë ose afër ciklit menstrual.

Sëmundje të tjera – Ndonjëherë sëmundje të tjera, si nje episod akut i diarrëse (gastroenterit) apo mbërritja baktere në zorrë, mund të nxisin SZI.

Postime të ngjashme

Shenjat e fshehta të problemeve me zemrën që nuk duhet t’i injoroni
Ja pse rreziku i infeksioneve ushqimore tek fëmijët rritet në verë!
Ja si të mënjanojmë pickimin nga insektet në verë
Psikologu, ende jo miqësor për shqiptarët
Jeni me antibiotikë? Ja çfarë duhet të hani për të mos prishur ekuilibrin mikrobik të zorrëve
Nga diell në shi, si po ndikon ndryshimi i temperaturës në shëndetin tuaj!
Çfarë i bën dashuria trupit
Nga mungesa e frymëmarrjes, tek dobësia në pjesën e krahëve, cilët janë treguesit paralajmërues të një ataku në zemër