Sindromi i dhimbjes prostatike, si shfaqet?

Dr. Rezart Xhani, Mjek Urolog në Shërbimin e Urologjisë , QSUT

Prostata është një nga problemet më shqetësuese për meshkujt, sidomos për ata mbi moshën 40 vjeçare. Sëmundjet e prostatës përgjithësisht mund të ndahen në: zmadhimi i prostatës (Hiperplazia beninje e prostatës, HBP), kanceri i prostatës dhe sindroma e dhimbjes prostatike apo infeksionet e prostatës (prostatiti akut dhe kronik).

Patologjitë e prostatës shfaqen në mosha të ndryshme por zakonisht kanceri i prostatës dhe zmadhimi beninj i prostatës shfaqet pas moshës 40 vjeç.
Dr. Rezart Xhani, mjek urolog në Shërbimin e Urologjisë në QSUT, na shpjegon me gjerësisht problemet që kanë meshkujt me prostatën. Doktori vë theksin tek rëndësia e simptomave që shfaqin meshkujt e moshave të ndryshme.

Çfarë është prostata dhe kur fillojnë problemet me të?

Prostata është një gjendërr aksesore seksuale që gjendet në organizmin e meshkujve dhe që si funksion kryesor ka ndihmesën në funksionin e spermës dhe për pasojë fertilitetit. Gjatë ejakulacionit mendohet se prostata kontraktohet për të sekretuar 0.5 – 1.0 ml lëng, i cili i shtohet atij të ejakuluar. Ajo është e vendosur në zonën e bacinit, anteriorisht prostatës ndodhet simfiza pubike, posteriorisht ndahet nga rektumi nëpërmjet fascies denonvilliers, prapa dhe sipër saj është fshikëza e urinës, vezikulat seminale, duktuset deferente dhe ureterët. Kjo gjendërr është që në lindje tek meshkujt, por problematika e saj fillon dhe jep shenja të dukshme klinike tek meshkujt pas moshës 40 vjeçare (ne rastin e kancerit te prostatës) dhe arrin pikun në moshën 65-75 vjeçare.

Pse në këtë moshë ?

Në rastin e zmadhimit beninj të prostatës (HBP) shkaku nuk dihet saktësisht por ka spekullime të shumta mbi ç’rregullimin e ekuilibrit midis estrogjeneve dhe androgjeneve. Këto janë parë në studime eksperimentale me kafshë por jo në njerëz. Vetëm 1 në 10 njerëz shfaqin bllokim të urinimit për shkak të HBP dhe kërkojnë trajtim për këtë. Madhësia e prostatës nuk ka rëndësi sepse prostata më madhësi të vogël shkaktojnë bllokim të rëndë dhe prostata me madhësi të madhe nuk shkaktojnë. Ngushtimi i lumenit të uretrës prostatike është problemi kryesor.
Në rastin e kancerit të prostatës studimet epidemiologjike kanë treguar fakte të qarta për predispozicion gjenetik, kjo është e bazuar në historinë familjare dhe raciale/etnike. është e pavërtetë që faktorë si dieta, sjellja seksuale, konsumimi i alkoolit, ekspozimi ndaj rrezatimit ultraviolet, inflamacioni kronik si edhe ekspozimi ndaj ndotësve ambientale, ndikon në shfaqjen e kancerit të prostatës, por ato mund të ndikojnë në zhvillimin e një kanceri nga latent (në gjumë) tek një kancer që shfaqet klinikisht.

Sindromi i dhimbjes prostatike

Dhimbjet kronike në regjionin e prostatës në 90% të rasteve janë abakteriale (pra nuk kemi ndonjë infeksion të pranishëm) dhe vetëm në 10% të tyre kemi një infeksion. Sindroma e dhimbjes prostatike është shfaqja e përsëritur apo vazhdimi i një episodi dhimbjeje gjatë 3 apo 6 muajve të kaluar. Nuk kemi infeksion të vërtetuar apo ndonjë patologji tjetër lokalisht. Sindromi i dhimbjes prostatike zakonisht shoqërohet me sjellje seksuale negative apo me lëkundje emocionale, po ashtu kemi edhe shfaqjen e tabllosë së simptomave të traktit të poshtëm urinar (LUTS) dhe ç’rregullime të funksonit seksual.

Simptomat

Dhimbja është simptoma kryesore e sindromës së dhimbjes prostatike. Asnjë faktor etiologjik nuk është gjetur deri tani për këtë dhimbje.
Një shpjegim është që kjo sindromë shfaqet tek meshkujt e predispozuar ndaj ekspozimit të një apo më shumë faktorëve shpërthyes, të cilët mund të jenë: të vetëm, të përsëritur apo të vazhdueshëm. Disa nga faktorët e propozuar janë: infekisonet gjenetike, anotomike, neuro-muskulare, endokrine, imune (duke përfshirë ato auto-imune) apo mekanizma psikologjike. Këta faktorë mund të çojnë në një gjendje inflamatore apo dëmtimi neurologjik periferik, duke krijuar një dhimbje akute e me pas kronike. Ka gjithmonë e më shumë të dhëna për një origjinë neuropatike dhe lidhjeje me ndryshime të sistemit nervor qëndror në dhimbjen prostatike.

Cilët janë shkaktarët që ndikojnë dhe a mund të parandalohen?

Ka vetëm informacione të pakta në prevalencën e Sindromit të dhimbjes prostatike (PPS) në popullatën e përgjithshme. Kjo edhe si pasojë e mbivendosjes të simptomave të patologjive të tjera si psh Hiperplazia beninje e prostatës. Rreziku i prostatitit rritet me moshën, burrat nga 50 – 59 vjeç kanë 3,1 herë më shumë rrezik se ato të moshës 20 – 39 vjeç. Ka një ndryshim të madh në trajtimin e kësaj sindrome nëpër seritë e publikuara, kjo vjen si rezultat i origjinës multifaktoriale të PPS.

Një strategji për të përmirësuar efektin e trajtimit në këao pacientë është trajtimi sipas ndarjes fenotipike te tyre, kjo për shkak se është parë nëpër seritë e botuara se dështimi trajtimit mund të jetë heterogjeiniciteti i popullatës së pacientëve.
Alfa-bllokuesit si p.sh terazosin, doxazosin, tamsulosin dhe silodosinë kanë dhënë rezultate pozitive në përmirësimin e simptomave. Studimet tregojnë se ato përmirësojnë në mënyrë sinjifikative dhimbjen dhe zbrazjen e vezikës urinare. Terapia empirike me antibiotikë përdoret gjerësisht për shkak se disa pacientë janë përmirësuar. Ata pacientë që përgjigjen ndaj terapisë duhen mbajtur nën antibiotikë për 4-6 javë apo më shumë.

Fatkeqësisht, urokultura, leukocitet dhe statusi i antitrupave në mostrat prostatë-specifike nuk mund të parashikojnë pacientët me PPS, të cilët do përgjigjen ndaj antibiotikëve. Biopsitë e prostatës tek pacientët me PPS nuk ndryshojnë nga ato me një prostatë të shëndetshme. I vetmi studim i randomizuar me cilësi të lartë është bërë për përdorimin oral të ciprofloxacinës (6 javë), levofloxacinë (6 javë) dhe hidroklor-tetraciklinë (12 javë). Ky studim ka treguar një ulje të simptomave, siç është dhimbja apo zbrazja e vezikës në krahasim me grupin placebo.

Terapia e kombinuar me alfa-bllokues dhe antibotikë ka dhënë akoma më shumë rezultat në përmirësimin e këtyre simptomave. Medikamentet anti-inflamatorë kanë treguar se në 80% të rasteve kanë patur më shumë përmirësim të simptomave se ato placebo.

Zmadhimi beninj i prostatës ndodh në moshën mbi 40 vjeç, ku shfaqen per herë të parë noduset hiperplazike në zonën tranzicionale të saj. Tre janë faktorët që shkaktojnë bllokim:

  1. muskujt e lëmuar përreth qafës së vezikës urinare, të cilët nuk kontraktohen kur muskuli detrusor kontraktohet,
  2. adenoma, e cila bllokon lumenin,
  3. insuficenca e muskulit detrusor (muskuli i vezikës urinare).

Komplikacionet e këtij bllokimi janë humbja e aftësisë kontraktuese të muskulit të vezikës urinare si edhe formimi i divertikujve, infeksionet e herëpashershme apo formimi i gurëve si pasojë e moszbrazjes së vezikës urinare dhe së fundi uropatia obstruktive që është humbja e funskionit renal i cili çon në uremi.

Diagnoza vendoset me anë të marrjes së simptomave që referon pacienti si psh moszbrazje e plotë pas urinimit, shtimi i frekuencës së urinimit, ulje e presionit të urinimit, ndërprerje e urinimit, shtrëngim për të filluar urinimin, urinim i shpeshtë gjatë natës. Ndonjëherë mund të dallojmë një bllokim urinar kur pacienti ka dhimbje supra-pubike dhe në egzaminimin klinik (sidomos tek personat e dobët) dallojmë glob vezikal (vezika e mbimbushur me urinë).

Tjetër ekzaminim është ai i urofloëmetrisë, i cili mat presionin e urinimit, ekografia abdominale për matjen e urinës reziduale (mbetëse), ekografia trans-rektale për të matur volumin e saktë të prostatës. Duhet patur kujdes të dallojmë zmadhimin beninj të prostatës nga sëmundje të tjera si psh kanceri i prostatës (në prekjen digitale rektale prostata në rastin e zmadhimit e ka konsistencën e butë), ngushtimi i uretrës (kanalit të jashtëm të urinës), neuropatia, poliuria, depresioni.

Trajtimi i zmadhimit të prostatës është i shumëfishtë:

– Taktika prit dhe shiko psh tek burrat e vjetër, të cilët kanë irritim të prostatës për një ose dy vjet dhe që më pas bëhen mirë pa marrë asnjë trajtim, në këtë rast pacienti ngrihet një ose dy herë natën, presioni i urinës është i mirë dhe nuk ka urinë mbetëse të rëndësishme pas urinimit.
– Medikamentet si psh alfa-bllokuesit kur prostata është e vogël dhe simptomat dominohen nga shpeshtësia e urinimit, këtu mund të përmendim Tamsulosinen, Alfuzosinen etj. Bllokuesit e 5-alfa-reduktazës si psh: Finasteride i cili shkakton një “rrudhje” të prostatës, duke çuar kështu në një përmirësim të simptomave. Të dy klasat e medikamenteve mund të merren sëbashku për 3-9 muaj për të dhënë një rezultat të shpejtë, derisa të vendoset se kush nga medikamentet të vazhdojë i vetëm.
– Kirurgjia e hapur (me bisturi) përdoret në pacientët, të cilët kanë indikacion për kirurgji dhe prostata është më > 80 – 100 grammë, TUR-p (rezeksioni trans-uretral i prostatës) tek pacientët me volum prostate < 80 gramme. Komplikacionet janë striktura në 3% të meshkujve, ejakulacioni retrograd i spermës për shkak të të heqjes së qafës së vezikës urinare, impotenca në 10 – 15% të meshkujve. Pas operacionit pacientët kanë një kateter urinar për disa ditë dhe pacienti del nga spitali pas 5 – 7 ditësh.

Burimi: Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’

Postime të ngjashme

5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore
5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm