Skamje në kufijtë e përtej vdekjes. Vetëm pak metra larg!

Denisa Canameti, gazeta Shëndet+

Skamje! Përtej kufijve të imagjinatës. Aty ku fëmijët vdesin nga i ftohti. Jo një, por tre në një familje. Ku prindërit i çojnë fëmijët në jetimore, sepse nuk kanë me ç’t’i ushqejnë dhe ku e vetmja lutje është: Duam një copë bukë!

Instituti Kamze Tirane (1)Nuk bëhet fjalë për vendet e Afrikës, as për fshatrat e humbur të Shqipërisë dhe as për vendet e luftës. Flitet për situatën e rreth 600 banorëve që jetojnë në godinat e studentëve në Institutin Bujqësor në Kamëz.

Instituti Kamze Tirane (7)Pa drita! Pa ngrohje! Pa bukë! Pa ujë! Pa veshje! Pa zjarr! Pa enë! Pa ilaçe! Pa asgjë!

Familje që jetojnë me asistenca sociale. Me të ardhura që nuk i kalonin 10.000 lekë në muaj. Në çdo familje ka të sëmurë rëndë. Kryefamiljarët janë të papunë. Kryesisht invalidë.

Higjiena është shumë e ulët. Riskuese për shëndetin e banorëve deri në nivelin e shpërthimit të ndonjë epidemie. Tualetet nuk mund të përshkruhen. Nëse aroma do të mund të fotografohej njësoj si papastërtia, nuk do të kishte nevojë për asnjë rresht më shumë.

Në hyrje të zonës, fiks përpara një godine, një varr. Një simbolikë ironike, por që shoqëron gjithë realitetin e atij ambjenti. Pak më tutje, një i moshuar i zhytur në koshin e plehrave.

Instituti Kamze Tirane (6)Sebia, gruaja e Pal Likës, këmbëngul të tregojë dhomën e saj, ku jeton bashkë me të shoqin e dy djemtë, njëri prej të cilëve 18 vjeç, invalid. Biseda me Palin nuk është e thjeshtë. Hera-herës bëhet agresiv duke përzënë gjithkënd nga dhoma. Sebia thotë se ai ka nevojë për hospitalizim: “Kam shkuar sot te doktoresha. Më ka dhënë recetën për të marrë ilaçet. Më tha që ka nevojë për shtrim në spital. Unë nuk kam lekë të shkoj e të ndjek spitalet. Para 2-3 vjetësh më ka ndihmuar një shoqatë për kurimin e tij. Të gjitha sëmundjet i ka. Reumatizëm, probleme me kokën, probleme me aneminë. Dua t’i bëj një skaner, por na e lanë pas 6 muajsh. Pa drita jemi. Jam zhytur në borxhe”.

Ndërkohë, në dhomën ngjitur, në familjen Kaculi prej disa muajsh mungojnë 2 fëmijët e vegjël. E ëma thotë se i kanë çuar në jetimore. Nuk mund t’i mbanin. Burri i saj tashmë invalid nuk punon dot dhe të ardhurat e tyre kufizohen në asistencë sociale. Përparim Kaculi ka qenë i shtruar në QSUT për rreth një muaj me diagnozë: Sindrom cerebelar. Në përmbledhjen e daljes thuhet se sëmundja e Përparimit është instaluar gradualisht, teksa ka filluar me dhimbje koke, të vjella, humbje të ekuilibrit, vështirësi në ecje e lëvizje. “Dua vetëm të kem mundësinë vetëm të ushqej këta fëmijë. Pak bukë. Asgjë tjetër. Asistenca që marr, nuk më del as për të plotësuar nevojat e Përparimit me ilaçe”, thotë mamaja.

Instituti Kamze Tirane (4)Pak më tutje, një dritë e madhe. Një zjarr në mes të dhomës. Një zjarr pa oxhak. Në dysheme. Komshinjtë tregojnë se kësaj familjeje i kanë vdekur 3 fëmijë nga i ftohti. Mes dhimbjes, këtë e pohon edhe gruaja. Tregon se jetojnë me 4 mijë lekë (të vjetra) në muaj.

Instituti Kamze Tirane (2)Dhe historia nuk mbaron këtu. Por këto raste vijnë si shëmbëllim i realitetit të 600 banorëve që jetojnë në këto godina.  Shumë familje, shumë histori, shumë dhimbje, shumë vuajtje, shumë për të treguar. Të braktisur nga shteti, të lënë në harresë.

Instituti Kamze Tirane (3)Dëshira e tyre për të ardhur në metropol, aty ku është zhvillimi, aty ku jeta ecën me një ritëm të shpejtë, për këta banorë është kthyer në një makth. Asnjë bashki, asnjë ministri, askush nuk kujtohet se ekzistojnë rreth 600 njerëz të rrënuar ekonomikisht, shpirtërisht. Njerëz që e njohin shtetin, por që shteti nuk i njeh.

Fotot nga Denisa Canameti

Postime të ngjashme

Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin
3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja