Blertina Koka / Shëndet+
Fushatës për dhurimin e gjakut në mbështetje të fëmijëve talasemikë i është bashkuar edhe stafi i Kryeministrisë. Traditën e tij të dhurimit të gjakut që nga koha kur drejtonte Bashkinë, z. Edi Rama e ka importuar edhe në Kryeministri.
Njësia e lëvizshme e Kryqit të Kuq Shqiptar u vendos që në orët e para të mëngjesit në ambientet e Kryeministrisë, ku dhuruan gjak të gjithë punonjësit.
Ky është i treti vit që stafi i Kryeministrisë i bashkohet Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut, duke shprehur solidaritetin përmes një akti shumë të thjeshtë dhurimi, por jetik për aq shumë fëmijë dhe aq shumë njerëz që kanë nevojë për gjak.
Një akt solidariteti i barabartë me një jetë, e cilësoi Kryeministri, ku nuk përfitojnë vetëm ata që janë në nevojë, por përfitojnë edhe ata që japin gjak, sepse është një proces shumë i shëndetshëm për organizmin.
“Arsyeja pse unë i bëj thirrje të gjithëve të japin gjak, është se duke pasur parasysh aq shumë fëmijë dhe aq shumë njerëz që kanë nevojë jetike për gjak, mundet që në të njëjtën kohë të bëjnë një proces të dobishëm për organizmin e tyre. Jam shumë krenar që ne e kemi këtë traditë shumë të vjetër, që nga koha e Bashkisë së Tiranës, vazhdojmë ta bëjmë dhe aq më mirë akoma që rritet numri i atyre që vetëdijesohen. Kështu, në ndryshim nga viti i parë, këtu e gjithë administrata e ka kuptuar që duke dhënë gjak, faktikisht bën një akt shumë të rëndësishëm për njerëz dhe në radhë të parë për fëmijët në nevojë jetike” u shpreh kryeministri Rama./ https://shendeti.com.al/


