Sobat e gazit, vrasësit e heshtur

Enver Haliti, mjek neurolog

Dhimbje koke, marrje mendsh, të vjella, përgjumje? Kujdes! Mund të bëhet fjalë për shenjat e para të një helmimi nga monoksidi i karbonit. I bërë shpesh pjesë e lajmeve në media si shkaktar i helmimeve dhe vdekjeve në disa persona njëherësh, pak persona njohin burimin dhe risqet reale të tij.

kuzhine gatim gaz sobeMe uljen e temperaturave, risku i helmimit nga monoksidi i karbonit në ambientet e shtëpisë rritet, pasi dyert dhe dritaret mbahen mbyllur dhe përdoren burime të ndryshme energjie për ngrohje e gatim.

Ai bëhet kështu një shkaktar i shpeshtë i intoksikimeve në stinën e dimrit, shumica prej të cilave ndodhin në ambientet shtëpiake, garazhe, bodrume, automobila, restorante etj.

Çfarë është monoksidi i karbonit?

Monoksidi i karbonit është një gaz asfiksues, i vështirë për t’u dalluar sepse është gaz  i padukshëm, pa erë dhe joirritues prandaj përhapja e tij në ambiente të mbyllura e bën atë vdekjeprurës. Kur hyn në organizëm, ai lidhet me hemoglobinën në rruazat e kuqe duke formuar karboksihemoglobinën,e cila ul aftësinë e gjakut për të mbajtur oksigjen. Pa oksigjen qelizat e trupit nuk mund të punojnë normalisht.

Si ta evitojmë?

Kujdesi ndaj aparaturave dhe mjedisit ku punojmë e jetojmë merr përparësi absolute.

Monoksidi i karbonit çlirohet:

  • gjatë djegies jo të plotë të druve, qymyrit, gazit natyror dhe naftës dhe mazutit, propanit, butanit etj.
  • nga përdorimi i aparateve defektoze ose të keqmbajtura (ngrohës, kaldaja, furnela, soba, mangall, oxhak, grupe elektrogjene)
  • në vende të mbylluara dhe jo të ventiluara (kuzhina, restorante, brodrume, garazhe, automjet)
  • automjete të ndezura në garazhe etj
  • nga tymi i duhanit , qirinjve.

Cilat janë shenjat dhe simptomat?

Njohja e simptomave  të para është mënyra më e mirë për të parandaluar dëmtimet nga monoksidi i karbonit. Ato ndryshojnë nga personi në person dhe shfaqen më herët tek te porsalindurit, fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, duhanpirësit, persona me sëmundje kardiake, pulmonare dhe anemi. Më të ndjeshëm ndaj intoksikimit janë edhe kafshët shtëpiake.

Simptomat  më të hershme janë dhimbje koke, marrje mendsh, të vjella të shoqëruara me skuqje të lëkurës. Me kalimin e kohës mund të shfaqen dobësi muskulare, lodhje, dhimbje gjoksi, vështirësi në frymëmarrje, përgjumje, konfuzion duke i bërë ata të paaftë për të kërkuar ndihmë apo për t’u larguar nga vendburimi i intoksikimit. Në format e avancuara gjendja evoluon në koma dhe vdekje në pak orë.

Në disa raste mund të lërë pasoja kronike, si: migrena, çrregullime të ekuilibrit dhe paraliza.

Një person i intoksikuar që është në gjumë, pa pasur simptoma të tjera, mund të kalojë në koma dhe drejt një vdekjeje të sigurt.

Nëse simptomat shfaqen në disa persona njëherësh që ndodhen në një mjedis të izoluar në të cilin ndodhet një aparat me djegie, mendoni për intoksikim nga monoksidi i karbonit në vend të një sindromi gripal apo për shkaqe të tjera.

Si ta parandalojmë?

  • Ajrosni ambientin e qëndrimit (dhome, makinë) shpeshherë , edhe kur bën ftohtë.
  • Mos bllokoni pikat e ventilimit të kuzhinës dhe mos gatuanin në mjedise të izoluara.
  • Kontrolloni në mënyrë sistematike sobat, furnelat dhe rrugët e ajrimit.
  • Mos i mbani ndezur ngrohësit pandërprerje për një kohë të gjatë.
  • Mos mbani makinën ndezur në garazh edhe sikur, ky i fundit të jetë me dere hapur.
  • Mos përdorni mangall, soba të vjetra apo keqmbajtura për ngrohje ose aparate që nuk janë prodhuar për këtë qëllim, sidomos në vende të izoluara.
  • Respektoni këshillat e përdorimit.

Ndihma e parë

Në rast dyshimi njoftoni urgjencën dhe ndërsa prisni:

  • Ajrosni menjëherë ambientin duke hapur dyert dhe dritaret.
  • Evakuoni vendbanimin duke u kërkuar personave të pranishëm të largohen dhe ndihmoni të largohen ata që janë të intoksikuar.
  • Ndihmoni personat pa ndjenja duke u siguruar rrugët e frymëmarrjes dhe duke kryer masazh kardiak nëse nuk marrin frymë.
  • Mbyllni pa vonesë burimin e monoksidit të karbonit.

Postime të ngjashme

Alarm në Zvicër dhe Francë, identifikohen rastet e para me Hantavirus
Alarm në det: Shpërthen hantavirusi në anije turistike, 3 të vdekur
Brokoli apo lulelakra: Cila ka më shumë fibra dhe cila është më e shëndetshme?
3 rregulla të thjeshta për të humbur peshë shpejt
Shqipëria, drejt “superplakjes” raporti: Nevoja për shërbime të kujdesit afatgjatë në rritje
8 mënyra të thjeshta për të shmangur sëmundjet
Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)