Spektakël i madh më 8 shkurt

Për herë të parë në Shqipëri, me datë 8 shkurt ora 19:00, tek ”Parku Olimpik” në Tiranë do të zhvillohet eventi “Boxing Night”, event ky i cili bëhet i mundur nga Gold Arena dhe PromoSport nën drejtimin e sportistit të mirënjohur në sportin e mundjes Elis Guri, i cili këtë herë vjen si promotor boksi.

Gold Arena është një event unik në Shqipëri, i pari i llojit të tij, që organizohet me anë të një kombinimi që shkrin marketingun me sportin. Synimi i saj është promovimi, me anë të modeleve të suksesit, i sportistëve, disiplinave të ndryshme, si dhe edukimi i brezave të rinj duke i orientuar drejt aktiviteteve të kësaj natyre, për të zhvilluar një jetë më të shëndetshme dhe aktive.

Ky event do të shërbejë si katalizator për ndryshimin e mendësive dhe promovimin e vlerave “fair play”. Gjithashtu synohet të jepet një kontribut për problematika sociale,si dhuna ndaj gruas, bullizmi dhe problematika gjinore. “Gold Arena” do të mbledhë sportistë vendas e të huaj, kampionë në Shqipëri, në rajon e më gjerë, për ta bërë këtë show sa më mbresëlënës dhe tërheqës. Kjo natë do të ofrojë një kombinim mes sfidave sportive dhe spektaklit me performancën e këngëtarëve më në zë të momentit, aktorëve, humoristëve dhe figurave të mirënjohura të sportit dhe artit. Për të gjithë ata që nuk kanë mundësi ta ndjekin live në “Parkun Olimpik”, eventi do të transmetohet në kohë reale në televizion, si dhe do të mbulohet me raportim në mediat online.

Boksi, si disiplina e parë e përzgjedhur për të na dhuruar adrenalinë, do të ngrejë siparin për një sërë eventesh që shoqata “Promosport” do të sjellë për publikun.

Nëntë janë përballjet që kjo mbrëmje do të shfaqë, të ndara si më poshtë, në bazë të peshave dhe kategorive të ndryshme:

  • 7 sfida meshkujsh
  • 1 sfidë fëmijësh
  • 1 sfidë femrash

Pjesëmarrës në event do jenë kampionë nga Shqipëria dhe Evropa. Eventi do të kulmojë me sfidën e boksit profesionist ndërmjet kampionit shqiptar Jetmir Kuçi dhe atij grek Konstandinos Kavvadias. Pjesëmarrja e boksierëve më të mirë të Shqipërisë, të cilët do të përballen me sportistët më të mirë të rajonit, është një garanci për suksesin e aktivitetit, i cili do të mbetet gjatë në kujtesën e spektatorëve. Një natë e mbushur me emocion dhe spektakël: “Gold Arena” është ndërthurja perfekte e boksit me artin, adrenalinës dhe argëtimit, sfidës dhe pasionit.

Salsano Rrapi dhe Alba Çobaj janë dy personazhet e njohur të botës së ekranit që do të prezantojnë “Gold Arenën”. Nuk ka qenë e rastësishme kjo përzgjedhje, pasi karakteri i tyre dinamik dhe karizmatik mund të përcjellin më së miri natyrën e këtij eventi.

Rreth 180 minuta boks dhe argëtim ka parashikuar “Gold Arena” për datën 8 shkurt. Gjatë mbrëmjes do të ndërthuren elementë të ndryshëm si muzika dhe humori. Ndërmjet sfidave, këngëtarët Aleksandër dhe Renis Gjoka do të performojnë përpara sportdashësve.

Gjithçka është menduar deri në detajet më të vogla nga “PromoSport” dhe Federata Shqiptare e Boksit, të cilët janë kujdesur që këtij eventi mos t’i mungojë asnjë element që karakterizon një “show” të vërtetë. 4 janë eventet e këtyre përmasave që ka planifikuar shoqata “Promosport” për 2018-ën. “Gold Arena, Boxing Night” është veç e para që i jep startin një maratone promovimesh të displinave të ndryshme sportive në Shqipëri. Me ndihmën e organizatorëve do të kujdesen për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve, të ftuarve dhe sponsorëve nëpërmjet personave të specializuar që do të mbikëqyrin gjatë gjithë eventit.

Duke patur parasysh përmasat e kësaj mbrëmjeje nuk mund të mungojnë pijet dhe ushqimet, që do të shërbehen në formë kateringu.

Për secilin nga fituesit e 9 përballjeve të boksit, “Promo Sport” ka përgatitur çmime, të cilat do të shpërndahen në fund të eventit.

Elis Guri, sportist i mundjes klasike

Elis Guri, lindi në Shkodër, në data 6 korrik 1983. Ai është një sportist i mundjes klasike në peshën 96 kg. Suksesi i tij më i madh shënohet së pari në Kampionatin Evropian të vitit 2016, që u zhvillua në Finlandë, ku Elis Guri shpallet fitues i medaljes së bronzit në peshën 96 kg. Por dhe në Kampionatin Botëror 2007, Guri klasifikohet i 7-ti në peshën 96 kg, duke fituar të drejtën e përfaqësimit me kualifikim në Lojërat Olimpike “Pekin 2008″. Si pjesëmarrës për herë të parë në një olimpiadë, Guri renditet në vendin e 8-të, duke shënuar dhe rezultatin e dytë më të mirë të arritur nga përfaqësuesja shqiptare. Por këto nuk kanë qenë të vetmet suksese që kampioni shqiptar i mundjes ka  koleksionuar: ai është renditur në vendin e 7-të në Lojërat Mesdhetare “Almeria 2005″, si dhe ka siguruar medalje argjendi në turneun botëror Trofeu “Milone 2006″.

Elis Guri garoi për Bullgarinë dhe me 13 shtator 2011 merr medaljen e arit në Kampionatin Botëror të Mundjes, në kategorinë 96 kg. Guri u largua nga Shqipëria në 2008-ën, pasi Federata e Mundjes dhe shteti shqiptar, nuk plotësonin disa nga kërkesat e tij.

Edhe pse ju dha mundësia në këtë shtet për t’u zhvilluar profesionalisht, qëllimi i tij final ishte rikthimi në vendlindje. Në vitin 2016, pasi mbylli karrierën si sportist me një numër të jashtëzakonshëm medaljesh dhe titujsh ndërkombëtarë, ai rikthehet të investojë eksperiencën e tij për promovimin e sportit në Shqipëri.

Rruga drejt suksesit ka gjithmonë hapësirë për përmirësim, ndaj Elis Guri themeloi “PromoSport”, një shoqatë jofitimprurëse, e cila kombinon programet e sportit elitar me platformat bashkohore të marketingut. Zhvillimi i mëtejshëm i një sërë kategorish sportive, mbështetja e brezit të ri me programe dhe iniciativa të ndryshme janë dy nga synimet kryesore të tij.

“PromoSport” ka ideuar eventin e parë në mbështetje të sportit, të quajtur “Gold Arena Boxing Night”, e cila do të shfaqet në datë 8/02/2018, në orën 19:00, tek Kompleksi Dinamo./ Shendeti.com.al

 

 

Postime të ngjashme

Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Kastraveci: Këto janë përfitimet e tij më të rëndësishme
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
Zakonet që do t'ju "shpëtojnë" nga fryrja e barkut
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu