Arlinda Gjypi
“Brenda 3 vitesh do të kemi mungesa të mëdha dhe në një 10-vjeçar mbarojnë të gjithë specialistët në spitalin e Gjirokastrës”. Kështu shprehet Armand Mamani, i cili që prej 7 muajsh ndodhet në krye të spitalit të Gjirokastrës. Pavarësisht ligjit, duket se specializantët e mjekësisë nuk preferojnë rrethet për të ushtruar profesionin e tyre. Të gjithë i drejtohen Tiranës dhe nëse ligji i detyron të paguajnë gjobë, janë të gatshëm ta paguajnë atë, duke i lënë kështu spitalet rajonale në mungesë të theksuar specialistësh. Në një intervistë për “Shëndet+”, drejtori i spitalit ngre zërin, duke shpresuar që situata të ndryshojë.
Sa kohë keni që jeni në krye të spitalit të Gjirokastrës?
E kam marrë këtë detyrë në nëntor 2013.
Cilat ishin problemet më të ngutshme që gjetët?
Mund të them se kur kam marrë detyrën, gjendja ishte shumë e vështirë. Në muajin maj 2013 ishte larguar drejtori i asaj kohe për shkak të ndryshimeve politike dhe deri në korrik qëndroi një drejtor tjetër. Periudha korrik – shtator, spitali mbeti pa drejtues dhe nga shtatori deri në nëntor, kur unë erdha në krye, sërish ishte një tjetër drejtues. Kështu që momenti që unë mora detyrën, ishte kohë në të cilën problemi më i madh ishte rënia moralisht e gjithë stafit. Askush nuk mbante përgjegjësi për çka po ndodhte. Madje mbaj mend një situatë në ato hapa të parë që në pediatri kishte shpërthyer uji dhe infermieret largonin ujin me fshesë. Problemi ishte qesharak. Thjesht ishte prishur rubineti, i cili u rregullua menjëherë me kosto të vogla. Por dua të them që gjërat ishin vërtet në kaos dhe stafi ishte tepër i mpakur.
Si vijoi gjendja?
Mund të them se u deshën rreth dy javë që të stabilizoheshin gjërat emergjente. Kishte mungesë ilaçesh, materialesh të mjekimit, si shiringat për shembull. I dhamë përparësi emergjencave dhe tani mund të themi se mungesa të tilla janë rregulluar.
Çfarë cilësoni si problemin kryesor të spitalit të Gjirokastrës?
Mund të them pa frikë mungesën e specialistëve. Po marr një shembull. Në gjithë spitalin kemi vetëm një anestezist. Nëse ai kërkon të ikë me pushime, bllokohen të gjitha operacionet. Një situatë e ngjashme ndodhi në shkurt, kur ai mori një javë leje. Bëra kërkesë që të më sillnin dikë tjetër, sepse nuk u shërbenim dot pacientëve.
Çfarë specialistësh mungojnë?
Nuk kemi një mjek otorinolog. Kemi dikë që vjen nga Përmeti dhe është me kontratë. Kemi vetëm një mjeke nefrologe, nuk kemi mjek të përgjithshëm apo që të merret me dializën. Mund të them me bindje se në krye të tre vjetëve do të mungojnë edhe shumë specialistë të tjerë, ndërsa për një 10-vjeçar ky spital nuk do të ketë më mjekë, nëse vazhdohet kështu.
E keni ngritur këtë si problem?
Sigurisht, por ky nuk është problem vetëm i spitalit të Gjirokastrës, por i të gjitha spitaleve në vend. Ne tashmë presim ndërhyrjen e shtetit për ta zgjidhur situatën.
Ju çfarë do të sugjeronit për zgjidhje të situatës?
Po duhet të ketë disa ndryshime në ligj. Fundja, këta studentë që marrin specializimin për në Gjirokastër dhe në fund të specializimit nuk vijnë këtu, duhet të ndëshkohen.
A parashikon ndëshkime ligji?
Po parashikon një gjobë, të cilën ata janë gati ta paguajnë, në mënyrë që të punojnë në Tiranë e të mos vijnë të punojnë në rrethe.
Atëherë, ç’mund të bëhet?
Mund të veprohet siç bëhet në Greqi. Nëse ti ke fituar specializimin, atëherë duhet të punosh tre vjet në spitalin e caktuar, në të kundërt të hiqet licenca e mjekut. Një gjë e tillë besoj se do të çonte në një ndryshim të situatës.
Shumë banorë të Gjirokastrës i drejtohen Janinës. Cila mendoni se është arsyeja?
Mungesa e shërbimeve i çon në Greqi dhe në Tiranë.
Mjekët në Tiranë ankohen se tek ta shkojnë të gjithë pacientët e rretheve, edhe për mjekime që mund t’i marrin në spitalet rajonale. Ju si mendoni?
Them se njerëzit i drejtohen Tiranës në rast se kanë pasur përvojë të hidhur në spitalin e rrethit të tyre ose nuk kanë qenë të kënaqur. Ndërsa ne i nisim në Tiranë vetëm me sistemin e referimit.
Ju kanë ardhur ankesa për korrupsion?
Jo, nuk më ka trokitur njeri në derë për këtë. Sigurisht, nuk mund të them se jemi tërësisht të pastër, por unë besoj se të gjithë njerëzit që vijnë në spital e marrin shërbimin për të cilin kanë ardhur.
Ju vetë jeni i kënaqur me punën e stafit?
Unë jam i kënaqur me pjesën më të madhe të stafit.
Nga Urdhri i Mjekut ka pasur ankesa lidhur me një pjesë të madhe të bluzave të bardha që janë me kredite zero. Ç’mund të thoni për mjekët e spitalit që ju drejtoni?
Lidhur me këtë anë besoj se më tepër mund të flasë nëndrejtori i spitalit që merret drejtpërdrejt me anën profesionale të mjekëve, gjithsesi nuk besoj se jemi nga më të mirët.
Por për stafin infermieror ç’mund të thuhet?
Nuk na mungojnë.
Mendoni se do të ishte mirë të kishte një sistem vlerësimi e stimulimi për infermierët?
Stimulimi do të ishte mirë, por besoj se më e rëndëisshme është përbatitja para se të vijnë. Niveli i shkollave duhet të jetë më i lartë dhe kjo është një punë që i takon Urdhrit të Infermierit, provimit që jepet atje para se infermierët të marrin licencën. Ne përpiqemi të marrim staf me përvojë.
Ç’mund të thoni për figurën e mjekut?
Them se duhet të respektohet më shumë, duhet të konsiderohet si një figurë më e lartë.
Ju vetë si i shihni mjekët?
Unë e kam thënë edhe më parë, mjekët dhe stafi i administratës nuk mund të trajtohen njësoj. Të gjithë jemi të zëvendësueshëm, madje edhe unë. Por mjekët janë shpirti i spitalit.
Cilat janë investimet më të fundit të kryera prej jush?
Kemi investuar në pajisje, në servis për sallën e kirurgjisë, grafi, skopi, në repartin e imazherisë, në riparimin e monitorëve, në riparimin e pajisjeve të laboratorit. Mund të themi që në këta sektorë nuk kemi probleme.
Cili është hapi tjetër juaji si drejtues i këtij spitali?
Duke filluar që nesër do të bëj edhe vetë vizita çdo ditë nëpër dhomat e pacientëve për të dëgjuar nga goja e tyre problemet që mund të kenë.
(Intervista e plotë u botua në numrin e 16 qershorit 2014 të gazetës “Shëndet+”)



