Spitali i Traumës, pacientët sorollaten pa ditur ku të shkojnë

Orientimi Recepsioni Spitali i Traumes

Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”

Qendra Kombëtare e Traumës përballon një fluks të konsiderueshëm pacientësh, që shkon deri në 45 mijë trauma të trajtuara në vit (90-140 pacientë në ditë). Për nga rëndësia është spitali kryesor në vend, pasi aty përplasen të gjitha rastet më të rënda aksidentale dhe traumatike që ndodhin në Shqipëri. Por pavarësisht këtyre kapaciteteve, kjo Qendër Kombëtare nuk ka një recepsion apo, e thënë ndryshe, një zyrë informacioni ku të mund të orientohen pacientët apo familjarët e tyre që vijnë në këtë spital.

Pacientët ankohen se vijnë rrotull kot, pa ditur ku të shkojnë, drejtuesit e spitalit thonë se janë duke ndërtuar një recepsion dhe presin nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit sugjerohet që për vitin 2016, ky spital duhet të rimarrë menjëherë masat për ta ndërtuar një recepsion të tillë.

Pacientët, të paorientuar në dyert e spitalit

Hamide Hoxha, një zonjë rreth të 60-ve, pret në dyert e Spitalit Universitar të Traumës. “Po pres djalin. Ka shkuar të kërkojë doktorin. Nuk ka një recepsion këtu që të marrim informacion, kështu që shkuam te konsultat. Atje na orientuan pak dhe tani po presim”, thotë ajo.

Ndërkohë, Vladimiri, një zotëri rreth të 40-ve, pret te dera e mjekut ortoped. Ai thotë se ka bërë babanë operacion. “Kemi shumë sorollatje, sepse nuk dimë si të orientohemi. Po të kishin një zyrë informacioni te hyrja, do të dinim ku të pyesnim e ku të shkonim. Këtu vetëm ndonjë sanitare po të dha ndonjë përgjigje. Edhe mjekun që më ka operuar babanë e kam njohur përmes një mikut tim që edhe ai ka operuar babanë e vet. Informacion tamam nuk të jep njeri”, ankohet Vladimiri.

Spitali i traumes recepsioni klsh

Raporti i KLSH-së: Të riorganizohet menjëherë recepsioni

Në auditimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit ngrihet problemi i mungesës së një zyre recepsioni të mirëfilltë në Spitalin Universitar të Traumës. Në të thuhet se sporteli në ambulatorin qëndron nuk arrin t’i orientojë pacientët për shërbimet që ata duhet të kryejnë.

Në auditim konstatohet se “nga SUT… është organizuar një sportel (recepsion), në ambulatorin qendror, pranë së cilës punojnë një arkëtar dhe dy infermierë recepsioni, por që për vetë territorin e gjerë ku ushtrohet aktiviteti nuk u jep pacientëve orientim të plotë për kryerjen e shërbimeve”.

Sipas raportit, plotësimi i të dhënave në regjistra dhe në librat e arkës bëhet në mënyrë manuale, pasi recepsioni nuk është i pajisur me pajisje kompjuterike dhe as me linjë telefonike, duke mos bërë të munduar nxjerrjen e të dhënave në kohë reale dhe as informimin e të interesuarve për marrjen e shërbimit”.

Si rrjedhojë, nga ana e auditit rekomandohet:

“Nga Spitali Universitar i Traumës të merrem masa për riorganizimin e recepsionit të spitalit, vendosjen e tij në vend të dukshëm në mënyrë që të realizohet dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me pacientët, pajisjen me sistemin kompjuterik, si dhe monitorimin e vazhdueshëm nga strukturat menaxhuese në drejtim të zbatimit të sistemit të referimit. Menjëherë!

Gjovalin Bushi

Drejtori i Traumës: Recepsioni nuk varet vetëm nga ne

Lidhur me çështjen e recepsionit, drejtori i Spitalit të Traumës, Gjovalin Bushi, thotë se në momentin që ai ka marrë detyrën, spitali nuk ka pasur fare recepsion dhe as poliklinikë për të bërë vizitat ambulatore. Tashmë është hapur poliklinika dhe të gjitha specialitetet kanë një dhomë vizitash në poliklinikë.

Aktualisht Bushi thotë se janë në negociata me një firmë turke që recepsionin ta bëjnë në hyrje të spitalit. Projekti është për një recepsion të madh. Megjithatë ai ngre problemet që e bëjnë të pamundur realizimin “menjëherë” të këtij recepsioni, ku përfshihet këtu pikërisht mungesa e rrjetit kompjuterik dhe telefonik të këtij spitali.

“Recepsioni ka problemet e veta: Do kompjutera. Por kompjuteri në recepsion duhet të jetë i lidhur me kompjuterët e mjekëve. Aktualisht ne nuk e kemi informatizuar spitalin. Nga ana tjetër, duhet që recepsioni të ketë telefon dhe vetë të jetë i lidhur në sistem telefonik me gjithë spitalin. Edhe këtë nuk e kemi. Kemi tentuar ta realizojmë me të ardhurat tona, por ministria na ka rekomanduar që jo. Na është thënë që vetë Ministria e Shëndetësisë ka një projekt për informatizimin e gjithë spitaleve, pra për instalimin e një sistemi kompjuterik”.

Një gjë e tillë bën që vetë Spitali i Traumës të jetë ende në pritje, ndërkohë që drejtori Gjovalin Bushi thotë se këto probleme do të zgjidhen brenda 6-7 muajve.

(Shkrim i përgatitur në kuadër të projektit “Vepro tani! Denonco korrupsionin në sistemin shëndetësor, nga shoqata “Together for Life”, e mbështetur nga Ambasada Amerikane)

Postime të ngjashme

Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Këto 3 vitamina që ekspertët rekomandojnë të mos i merrni me stomak bosh
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë
Helmohen 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU
Sa kafe mund të pimë në ditë pa rrezikuar shëndetin? Ja çfarë thonë studimet
Alarm në Zvicër dhe Francë, identifikohen rastet e para me Hantavirus
Alarm në det: Shpërthen hantavirusi në anije turistike, 3 të vdekur
Brokoli apo lulelakra: Cila ka më shumë fibra dhe cila është më e shëndetshme?