Bisedoi për “Shëndet+”: Elena Beta
“Serenatat korçare janë themeli i suksesit të karrierës sime dhe të Endrit (vëllait tim), por gjithmonë të sjella me një frymë të re, me një perceptim të ri të mënyrës se si ne i interpretojmë këto këngë të qytetit tonë”. Kështu thotë për gazetën “Shëndet +” Stefi Prifti, njëri prej vëllezërve më të dashur për publikun shqiptar dhe jo vetëm, “elektriciteti” i të cilëve prek këdo që i dëgjon kur performojnë.
Veç vlerave tashmë të njohura në muzikë, Stefi është një prej atyre personave të rrallë që marrëdhëniet njerëzore i ngrenë në piedestal, duke dëshmuar se thjeshtësia është ajo që e bën një artist të madh.
Në rubrikën “Vip Shëndet”, Stefi na njeh më shumë me anën e tij romantike, sa kujdeset ai për shëndetin, lidhjen e fortë që ka me vëllanë, Endrin, dashurinë për muzikën, e cila duket si një lidhje e madhe mes tij, bashkëshortes dhe të bijave, si dhe shumë detaje të tjera interesante të pathëna më parë.
Stefi, çfarë është shëndeti për ty?
Mbi shëndetin nuk ka asnjë gjë tjetër. Pa pasur shëndetin nuk mund të kesh asgjë, nuk je askush, çdo gjë varet nga shëndeti. Kështu që mund të them se për mua shëndeti është gjithçka.
Sa kujdesesh për shëndetin? Shkon shpesh për kontroll tek mjeku?
Në fakt nuk jam nga ata tipa njerëzish që kujdesen shumë për veten. Edhe unë futem tek pjesa e madhe e shqiptarëve që nuk bëjnë analizat e rregullta. Mund të them se hera e parë që kam shkuar për të bërë një kontroll, ka qenë para një muaji, ndërkohë që rregulli është të shkosh 1 herë në 6 muaj të bësh analizat. Mbase i ndikuar dhe nga situata që ndodhi me bashkëshorten time, unë çova edhe vajzat e me atë rast bëra edhe kontrollin e trupit tim.
Një këngëtar serenatash sa romantik është në jetë?
Serenatat korçare janë themeli i suksesit të karrierës sime dhe të Endrit (vëllait tim), por gjithmonë të sjella me një frymë të re, me një perceptim të ri të mënyrës se si ne i interpretojmë këto këngë të qytetit tonë. Brenda kësaj fryme futet dhe orkestracioni dhe të dyja këto elemente kanë bërë që këto këngë nëpërmjet nesh të depërtojnë tek të gjitha grupmoshat në rang kombëtar dhe mbarë kombëtar, sjellë në një frymë më moderne, më të freskët që e vlerëson edhe një 15-vjeçar, edhe një 70-vjeçar.
Sa për pjesën e romanticitetit, po, jam romantik. Edhe pse romantizmi në ditët e sotme i ka humbur vlerat, romantizmi ka qenë me kompozitorët e mëdhenj Shopen dhe Shubert, por për fat të keq në vendin tonë romantizmi nuk ka vlerë ose ka vlerë për një pakicë njerëzish, pasi pjesa më e madhe e njerëzve janë në luftë për ekzistencë.
Tekstet më të bukura për dashurinë u dedikohen atyre dashurive të lëna në mes, pra të pa finalizuara. Ti si mendon, është dhimbja ajo që të shtyn të krijosh perla më shumë se sa lumturia?
Të dyja të japin hapësirë të krijosh. Kur kemi të bëjmë me një ndarje, i shkruan dhimbjes, ndërsa kur je i lumtur, shkruan diçka për gjendjen shumë të mirë shpirtërore dhe emocionale, gjithsecila ka të veçantën e vet. Mbase ndarja dhemb më shumë dhe lumturia përkufizohet në kohë…
Përveçse një këngëtar i suksesshëm dhe tepër i dashur për publikun, njihesh edhe si kantautor, sa e vështirë është të shkruash tekste? A nevojitet një muzë frymëzimi apo është diçka që të rrjedh nga shpirti?
Për mua, nuk është e vështirë të shkruash, në kuptimin e asaj që unë nuk e kam parë asnjëherë të shkruarin e muzikës si një qëllim në vetvete. Ju më quajtët kantautor, unë në fakt kam disa këngë që i kam shkruar vetë ashtu si dhe Endri, por ne nuk jemi nga ata kompozitorë që t’i vemë vetes qëllim: do bëhet një festival dhe unë do shkruaj 5 tekste këngësh. Jo, nuk funksionojmë kështu. Ne shkruajmë një këngë kur e ndiejmë dhe në përgjithësi ato këngë që kam krijuar, kanë ardhur vetë. Mund të të vijë të krijosh edhe para gjumit e të mos flesh gjithë natën. Unë zakonisht bëj melodinë të parën, pasi jam nga ata njerëz të cilët emocioni, ndjenja apo muza, siç e quajtët ju, më vijnë vetë, nuk është nevoja t’i kërkoj.
Keni një zë brilant, keni ndonjë sekret që ju bën të mos keni probleme me kordat e zërit edhe pse kaloni netë të gjata duke performuar live?
Faleminderit për vlerësimin. Unë mendoj se zëri, në koeficientin ose përqindjen më të madhe, është i lindur. Pastaj edhe edukohet, nëpërmjet shkollës së përgjithshme muzikore. Sigurisht, asgjë nuk është absolute, pasi mund të them se ka edhe ndonjë zë të shkëlqyer, i cili nuk ka bërë shkollë, por gjithsesi kur e marrin mjeshtrat e përpunojnë dhe e futin në linjat e përgjithshme të edukimit muzikor që të bëhet tepër kualitativ.
Por siç e thashë përqindja më e madhe është që zëri është i lindur nga natyra dhe një rol të madh luan edhe trashëgimnia. Padiskutim që kordat lodhen, abuzimi ekstrem nganjëherë të sjell probleme dhe pasi ke kënduar 5 ditë rresht s’mund të bësh maksimumin, ndikuar sigurisht edhe nga jeta e natës, e cila nuk ëshët e shëndetshme për trupin në tërësi.
Bashkë më vëllanë tuaj, Endrin, keni arritur të jeni shumë të dashur për publikun, gjë që dëshmohet nga karriget e mbushura plot në vendet ku këndoni live, si dhe nga klikimet e shumta në kanalin Youtube? Çfarë mendon se pëlqejnë njerëzit tek ju që nuk u “ndahet shpirti”?
Njerëzit pëlqejnë muzikën tonë, krijimtarinë tonë, mënyrën e interpretimit, atë që përfaqësojmë. Ky është profesioni ynë të cilit ne i kemi kushtuar jetën edhe gjithë jeta jonë ka qenë dhe është e lidhur me muzikën.
Mund të them me bindje të plotë se muzika për të dy ne, është dashuria jonë. Një gjë tjetër që publiku vlerëson tek unë dhe Endri është vërtetësia që kemi në raport me publikun. Publiku të kupton shumë mirë në momentin që artisti interpreton, çfarë jep dhe çfarë merr. Mund të them se ky raport është i magjishëm, ata interpreto që arrijnë të fitojnë vlerësimin e publikut në këtë raport që sapo shpjegova, mendoj që kanë arritur majën e suksesit.
Vëllazëria jonë është një tjetër gjë që besoj se vlerëson publiku, ndodh shpesh që të dehur nga fama e suksesi, shumë artistë anashkalojnë marrëdhëniet njerëzore. Me ne kjo gjë nuk ka ndodhur asnjëherë dhe nuk mendoj se do të ndodhë. Përveçse vëllezër ne jemi shokë dhe kolegë, gjë që reflektohet dhe sigurisht vlerësohet, jam i bindur për këtë.
Raportet tona njerëzore janë gjithashtu një pikë e fortë për ne. Ne jemi njerëz të thjeshtë, të njëjtët jemi, si para famës dhe suksesit, edhe tani që po flasim bashkë. Ka njerëz që mbajnë një lloj distancimi. Ne jemi një popull i vogël, nuk ia vlen, më beso! Unë dhe Endri sakrifikojmë nga vetja për t’i bërë qejfin publikut, edhe pse mund të jemi shumë të lodhur, kurrë nuk themi jo kur njerëzit kanë dëshirë për foto apo për të ndarë disa momente bisede bashkë me ne. Përkundrazi, ne ndiejmë kënaqësi nga kjo dashuri që na dhurohet…
Ti je babai i dy vajzave, Maria dhe Joana. Sa i kënaqur je që vajzat e tua kanë ndjekur rrugën tënde, pasi mund të themi se janë tashmë pjesë botës të artit?
Unë jam shumë i lumtur që Maria, vajza ime e madhe, studion kanto. Mund të them me plot gojë se ajo është një super talent. Edhe nëse deri tani nuk e kam shprehur, pasi kam dashur që pedagogët, profesionistët e muzikës operistike ta vlerësonin vetë, pa u ndikuar nga mendimi im. Tani që Maria ka diplomën në datën 1 korrik dhe gjithë stafi pedagogjik i Akademisë të Arteve ka një vlerësim me superlativ për talentin dhe arritjen e saj, jam i lumtur që mund të shpreh mendimin tim hapur. Natyrisht puna nuk ka fund kurrë, ajo është ende në fillimet e saj, edhe pse mund të them se është nga ata njerëz që thyen rekorde.
Maria ka kënduar që në moshë të vogël, ka pasur rol kryesor në opera në vit të parë të shkollës së mesme, gjithmonë duke pasur mbështetjen e pedagogëve të saj, Suzana Frashëri, Josif Gjipali.
Në Shqipëri, ata që ndjekin muzikën operistike janë pak, pothuajse 20 %, prandaj do të kisha dëshirë që studimet t’i vazhdonte jashtë me pretendimin që të ketë shëndetin dhe të shkëlqejë. Shëndeti mbi të gjitha, puna, si dhe tregu i mirë mund ta bëjnë Marian të çajë në skena botërore.
Vajza e vogël Joana, gjithashtu studion për piano. Mund të them se të dyja vajzat kanë marrë shumë nga unë dhe bashkëshortja ime Marina, pavarësisht se ajo ishte diplomuar për gjuhë – letërsi, dashuronte muzikën dhe kishte një zë shumë të bukur, që është trashëguar edhe tek Maria. Përveç zërit tim, ajo ka marrë shumë edhe nga timbrika e zërit të së ëmës.
Çfarë do t’u këshilloje artistëve të rinj, atyre që sapo kanë nisur rrugën e vështirë dhe njëkohësisht të bukur të artit?
Së pari dua të them se sot ka një krizë identiteti. Do t’ju këshilloja të ishin të vërtetë në atë çfarë bëjnë, jo të varur vetëm tek ajo çfarë duhet bërë. Nuk është e rëndësishme vetëm të futesh në tregun muzikor, e rëndësishme është të jesh vetvetja dhe të kontribuosh për muzikën shqiptare.
Ç’ mund të na thuash për ndonjë projekt të afërt? Përsëri “Endri dhe Stefi”? Apo vetëm Stefi?
Për herë të parë po them që unë para disa muajsh, ndikuar nga ngjarja e familjes sime, përfundova një këngë, poezinë e së cilës e kishte shkruar bashkëshortja ime në momentet më të vështira të saj dhe unë pothuajse e kam përfunduar atë material, të cilin do ta “vë në jetë” së bashku me Marian dhe mjeshtrin Shpëtim Saraçi. Emocionet e çdo momenti janë të ndryshme dhe nuk mendoj se në këtë moment do dalë ajo këngë e para, duke qënë se tani është verë dhe ajo këngë përfaqëson një tjetër gjendje shpirtërore. Së bashku me vajzën time, Maria, do ta interpretojmë në përvjetorin e parë të humbjes së bashkëshortes, në fund të nëntorit.
Tani kemi dy materiale të tjera, pothuajse të përfunduara, një baladë dhe një këngë ritmike. Balada do të vijë në bashkëpunim me Endrin dhe gjigantin Aleksandër Gjoka, është madje krijim i Aleksandër Gjokës.
Kënga tjetër është tepër ritmike dhe është bashkëpunim me Gent Myftarajin dhe një këngëtare të talentuar nga Kosova. Mendoj se do të jetë një hit veror.
Një mesazh për lexuesit e gazetës “Shëndet +”
Lexues të dashur, muzika është shëndet, kështu që le të ndërthurim shëndetin me sa më shumë muzikë të bukur.



