Stenozat e arterieve karotide, trajtimi

Dr. Alban Malaj, kirurg vaskular

Karotidet janë enët kryesore të gjakut që shkojnë dhe furnizojnë me gjak të pastër trurin. Janë dy, karotidja e majtë dhe karotidja e djathtë. Truri është një organ që kërkon shumë gjak t’u oksigjenuar dhe mjaftojnë pak sekonda mungesë gjaku të oksigjenuar dhe në tru krijohen dëme të mëdha. Nëse bllokohen sjellin pasoja shumë të rënda në tru. Minimumi mund të sjellin një dëmtim, goditje të lehtë me simptoma shumë të lehta siç është bllokimi i një dorë për disa sekonda apo të folurit keq për disa momente. Por, mund të sjellin edhe dëmtime të mëdha me lezione të mëdha në tru me rezultat paralizën e gjysmës së trupit ose deri edhe vdekjen e pacientit.

Këto bllokime shkaktohen nga ateroskleroza. Faktorët kryesore që nxisin zhvillimin e aterosklerozës janë hipertensioni arterial, niveli i lartë i kolesterolit në gjak (hiperkolesterolemia), pirja e duhanit dhe sëmundja e diabetit. Ateroskleroza karakterizohet nga grumbullimi i yndyrave në muret e arterieve.
Këto grumbullime nxisin disa procese, të cilat çojnë gradualisht në formimin e pllakave aterosklerotike në brendësi të arteries.  Këto pllaka ngushtojnë vetë arterien (stenoza e arteries) dhe bëhen pengesë për kalimin e gjakut në to. Arteriet që preken më shpesh nga ateroskleroza janë arteriet koronare (arteriet që furnizojnë zemrën), arteriet karotide dhe arteriet e gjymtyrëve të poshtme.

Në pjesën e qafës, karotidja ndahet në dy degë, nje degë (karotidja eksterne) për furnizimin me gjak të gjuhës dhe muskujve të qafës dhenjë degë (karotidja interne) për furnizimin me gjak të trurit,është pikërisht te kjo zonë ku krijohen stenozat, bllokimet. Krijohen aty, pasi pikërishtkëtu shfaqen turbulenca natyrale, normale, të cilat së bashku me moshën dhe faktorët e aterosklerozes, krijojnë vatra arterosklerotike, të cilat pak nga pak rriten dhe ngushtojnë këto rrugë.

Në përgjithësi çfarë sjell kjo patologji?

Bllokimi i këtyre arterieve sjell dëme shumë, shumë të rënda në tru që shkojnë nga një lezion i lehtë siç i përmenda deri tek vdekja e një pjese të rëndësishme të trurit qëështë fatale për njeriun.

Sa të rikuperueshme janë këto bllokime?

Të rikuperueshme janë vetëm lezionet e lehtanë tru. Ka pacientë që kanëpësuar iskemi të trurit me lezione të moderuara, dhe nën terapi nga specialisti neurolog dhe fizioterapi të specializuar, kanë arritur të rekuperojnë funksionet e dëmtuara.

Si parandalohen këto stenoza të karotideve?

Parandalimi nënkupton parandalimin e faktorëve. Mos pirja e duhanit, mbajtja nënë kontroll e tensionit, mbajtja nën kontroll e kolesterolit dhe jeta aktive ndihmojnë në mos krijimn e pllakave arteriosklerotike ose të paktën në mos lejimin e një zmadhimi të këtyre pllakave që mund tëçojnë në bllokimin e karotideve. Në një farë moshe do krijohen patjetër pllaka milimetrike, të cilat janë fiziologjike, vijnë me moshën. Por nëse faktorët mbahen nën kontroll siç thashë, pllakat mbeten milimetrike, nuk rriten.

Cilat janë grupmoshat më të rrezikuara?

Grupmoshat janë mbi 60 vjeç, prandaj edhe kontrollet fillojnë zakonisht që nga kjo moshë. Por, në 10 vjeçarin e fundit, është parë që kjo tendencë ka shkuar drejt 50 vjeçarëve. Kjo ndodh për shkak të mënyrës së gabuar të jetuarit, nga duhani, obeziteti dhe diabeti, faktorët të cilët kanë bërë që edhe një person në moshën 50 vjecare të rrezikohet nga krijimi i pllakave që bllokojnë karotidet.

Po sa i përket terapisë?

Nëse kemi një pacient që ka arritur një stenozë të karotideve që shkon mbi 70% ose edhe më pak, por ka shfaqur simptoma, atëherë kjo pllakë arterosklerotike ka indikacion për t’u hequr. Në bazë të anatomisëzgjidhet dhe mënyra e duhur kirurgjikale. Kemi 2 trajtime, trajtimin kirurgjikal tradicional që quhet endarterektomi e karotides, tëcilën ne e bëjmë me anestezi lokale, me pacientin zgjuar. Bëhet përgatitja kirurgjike e karotides dhe pastrimi kirurgjik i saj. Ndërsa, mënyra tjetër nuk ka nevojë për hapjen e qafës, por hyjmë me tuba nga arteriet e kofshës, sicc ndodh kur kryhet një koronarografi, dhe hapet nje stent në nivelin e ngushtimit duke i hapur rrugën gjakut drejt trurit.

Si bëhet ndërhyrje në raste më të lehta?

Personat mbi 60 vjeç rekomandohet që të kontrollohen qoftë vetëm për kontroll të thjeshtë. Kryhet nje ekzaminim, ekokolordopler e karotideve, e cila na tregon si jane keto rruge te gjakut.Nuk ka terapi që të shkrijë një stenozë të krijuar, por terapia konsiston në mbajtjen nën kontroll të stenozës në mënyrë që të mos jetë e nevojshme ndërhyrja me operacion./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin
3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja