Kryefaqja Covid-19 Studentët e mjekësisë dhe specializantët shqiptarë në Itali nismë në mbështetje të...

Studentët e mjekësisë dhe specializantët shqiptarë në Itali nismë në mbështetje të QSUT-së dhe Spitaleve Rajonale

0
Shpërndaje

E gjithë bota gjendet përballë një pandemie të madhe, në të cilën është gjunjëzuar dhe po lufton për t’ia dalë mbanë. Pjesë e kësaj, padiskutim që është edhe Shqipëria, e cila gjithashtu si cdo vend tjetër ka krijuar shtetrrethim, dhe ndihmat për të janë reduktuar.

Harta e personave të prekur në Shqipëri dhe Kosovë po zgjerohet cdo ditë e me shumë, ndaj nisur nga situata e krijuar në Itali, masat në vendin tonë janë marrë më herët dhe janë të forta. Parandalimi i përhapjes së COVID-19, sjell reduktimin e rasteve të prekura apo viktimave, dhe vjen pikërisht nga:

  •       zbatimi i masave të ndërmarra
  •       qëndrimi në shtëpi
  •       mbështetja dhe solidariteti.

Bazuar në këtë të fundit, studentë të mjekësisë dhe specializantë në Itali janë bashkuar duke kontaktuar njëri-tjetrin në mënyrë shoqërore dhe kanë vendosur të kontribuojnë me dhënien e ndihmës së tyre për shëndetësinë.

Ata kanë krijuar një fushatë për mbledhjen e fondeve për QSUT dhe për strukturat e tjera spitalore rajonale dhe bashkiake, në mënyrë që të mbështesin dhe forcojnë menjëherë sidomos Njësinë e Kujdesit Intensiv.

Nën sloganin “Mjekët bëjnë pjesën e tyre, ne bëjme pjesën tonë!” ky grup të rinjsh po fokusohet në përmbushjen e misionit me blerjen e:

  •       pajisjeve mbrojtëse për stafin
  •       maska mbrojtëse
  •       shiringa elektrike
  •       kite për tamponë
  •       respiratorë

Të gjitha fondet do të mblidhen online në mënyrë të tillë që gjithçka të jetë sa më transparente, në gofundme dhe do të postohen sistematikisht të gjitha detajet në rrjetet sociale.

Nisma është përkrahur nga mjekë të shumtë shqiptarë, të cilët janë kontaktuar nga vetë grupi i studentëve, disa prej të cilëve do të ndihmojnë në finalizimin e saj. Studentët kanë zgjedhur të koordinohen dhe menaxhohen konkretisht nga Prof. Dr. Edvin Prifti, mjek kardiokirurg, Dr. Gentian Stroni, mjek infeksionit, Dr. Erion Panajoti, mjek reanimator dhe MSc Erisa Mane, fizioterapiste.

Mjekët do të japin informacionet e nevojshme për prezencën ose mungesën e pajisjeve dhe grupi i studentëve do të mundohet t´i blejë dhe t´i sjellë, duke qenë transparent deri në përmbushjen e plotë të objektivave.

Cdo kontribut i vogël do të kishte vlerë të madhe në këto ditë të vështira. Studentët janë falënderues të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe italianë që po i mbështesin dhe i ftojnë të gjithë për shpërndarje dhe solidaritet.

Mos harroni: heronjtë sot janë përparëset e bardha!

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here